Detyra e tij ishte që në çastet e shpalljes së Pavarësisë, ta dërgonte flamurin e Kosovës në sallën ku po mbahej seanca solemne e Kuvendit.

 
Ishte pak para mesnate, por ai nuk duroi dot pa e hapur dhe pa e shikuar çdo detaj të tij. Me shumë kujdes, duke u frikësuar mos do ta shoh dikush, natën e 16 shkurtit, nga ndërtesa e Qeverisë e deri në ndërtesën e Kuvendit, e mbajti flamurin të mbështjellë. Mezi priste të arrinte brenda në kabinet e ta shikonte.
Është ky Ilir Gashi, personit të cilit iu dorëzua flamuri i Kosovës një natë para shpalljes së Pavarësisë, e i cili edhe do ta shpaloste atë në datën e 17 shkurtit para ligjvënësve, në Kuvendin e Kosovës.
Në minutat e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ai hyri në sallën e Kuvendit duke e mbajtur në duar këtë flamur.
Por, pak kush e njeh Ilirin. Në ata minuta historik të 17 shkurtit të 2008-ës, e gjithë vëmendja e popullit ishte e drejtuar tek flamuri.
“Jam shumë i vetëdijshëm që atë ditë jam vërejtur pak”.
Nga emocionet e mëdha, madje ai është habitur. Derisa po shpaloste flamurin në minutat e shpalljes së Pavarësisë, e hapi në anën e kundërt.
“E kam shpalosur në anën e kundërt, dhe nuk e kam vërejt, nuk e kam ditur. Njëri nga deputetët, nëse nuk gaboj ministri aktual Memli Krasniqi, më ka dhënë shenjë që duhet të kthehet flamuri në pjesën tjetër”.
Ai ndjehet krenar dhe i lumtur me detyrën që i është ngarkuar para gjashtë vitesh.
“Edhe gur po të ishte, vetëm të më thoshin që ky do ta simbolizojë shtetin e Kosovës, dhe se do të arrihet sakrifica e shumë brezave, pa hezitim do ta qitja”.
Ky flamur, i njëjti që u shpalos ditën e 17 shkurtit të 2008-ës, qëndron ende në shtëpinë e Ilirit. Edhe pse nuk dëshiron të ndahet prej tij, pranon se një ditë do ta dorëzojë në vendin e merituar.
“Ai flamur duhet t’i dorëzohet arkivit të Kosovës apo kujtdo që vendos shteti që ta ruajë, ta mbajë, ndoshta edhe ndonjë monumenti të pavarësisë së Kosovës që do të ndërtohet…”.
Kosova u shpall shtet sovran dhe i pavarur në ditën e 17 shkurtit të 2008-ës, në orën 15:39 minuta. Atë kohë Ilir Gashi, ka qenë zyrtar në kabinetin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ndaj iu besua kjo përgjegjësi. /Kosovapress/Telegrafi/