Ligji për kontrollin e zhurmave i cili hapi debate në javët që kaluam patjetër se mund të ketë dobi për qytetarët, por, me këtë, edhe njëherë u pa tendenca e vazhdueshme, që tashmë është bërë axhendë e fuqisë së pushtetit në Kosovë, e provokimit dhe diskriminimit të besimtarëve islam. Çështja e kontrollit të nivelit të thirrjes së ezanit me altoparlantë më në fund u diskutua edhe me BIK-un dhe u pa fort mirë që çdo çështje mund të zgjidhet pa qenë nevoja të ngriten debate konfrontuese , të cilat, ka kohë që nxiten nga forca të errëta të pushtetit dhe që ndezin mllefin e besimtarëve.
Njerëzit që nxisin provokime të tilla, duke e krahasuar  ezanin dhe këmbanat me zhurmat e diskotekave dhe me çdo zhurmë tjetër, shihet qartë se akoma nuk e kanë kuptuar se po këta besimtarë, në mos më shumë, janë krijesa të sojit njeri, me të cilët bën edhe të debatohet pa i provokuar dhe me të cilët mund të ndahen vlera të përbashkëta dhe me të cilët jemi të obliguar, me dashje ose pa dashje, ta ndajmë një tokë e një qiell së bashku.
Por, në vend të kësaj, këta zotërinj, të cilët për ndryshim nga shumica e bashkëkombasve të  tyre nuk vuajnë nga uria falë parasë publike, me veprimet e tyre shpërfaqin dhunën  e një mentaliteti darvinist, mentalitet i cili e zhvesh njeriun nga vetëpërgjegjësia, pasi që edhe prejardhjen e tij e shohin nga kafsha (majmuni) dhe veprimet njerëzore i shohin në rrafshin e egërsisë ideologjike materialiste që mundohen të imponojnë si: I forti mbijeton, i dobëti vdes.
Nëse nuk është kështu, atëherë pyes: Si ka mundësi që një njeri i vetëpërgjegjshëm ta quajë ndotje akustike ezanin, i cili përfaqëson një pjesë shpirtërore të një numri të madh njerëzish?! Pyesim edhe më tej, si ka mundësi që dikush të krenohet sepse ka përjashtuar  fëmijët vajza nga shkolla vetëm pse ato paskan bartur shami?!
Kjo gjuhë e urrejtjes, të cilën nuk e dijmë se ku e ka prodhimin, por që po gjen zbatim tek ministrat tanë, në këtë rast kam parasysh Dardan Gashin dhe Enver Hoxhajn, dhe po promovohet aq shumë në media, e ka katandisur pushtetin me papërgjegjësi morale dhe njerëzore. Në emër të sekularizmit sot islami herë quhet politik, herë terrorist, ekstremist, radikal, madje, disa „analistë“ që kanë lexuar nga një libër sa për ta marrë një titull universitar për ta politizuar pastaj universitetin, kanë zbuluar edhe islamin tradicional që sipas tyre përfaqëson një lloj besimi minimalist. Teksa njëri e cilëson ezanin si zhurmë dhe zbraz vrer mbi besimtarët, tjetri, në vend se të turpërohej për nivelin e arsimit gjatë kohës sa ishte edhe vet ministër i arsimit, ku diplomat mund të bleheshin atëherë dhe tani si në treg perimesh, ai shpreh krenarinë  tek thotë në një intervistë në Zëri: Unë mendoj që sekularizmi është një vlerë e shenjtë e shtetit të Kosovës, edhe në të kaluarën, dhe përmes akteve konkrete. Sikurse kam marrë vendim për shami kam dëshmuar që jam i përkushtuar në rrafshin individual për një shtet sekular dhe sekularizmi nuk është një gjetje e jona në fund të vitit 2013 por mesa di, elita politike shqiptare edhe në fund të shekullit 19 edhe në shekullin 20 çdo herë kanë qenë sekulare dhe ajo çfarë duhet të bëjmë përpjekje është që të mos kemi një ndërlidhje të një koncepti nacionalist me elemente religjioze. (www.zeri.info, 03.01.2014).
Qytetarët të cilët kanë udhëtuar përtej vijave kufitare të shteteve shqiptare në ballkan e dijnë fare mirë se një sekularizëm i tillë dhunues që shtrihet edhe deri tek mënyrat se si të thirret ezani apo si të zbulohet koka e fëmijëve në shkolla nuk ekziston në asnjë shtet demokratik. Vlerat shpirtërore të qytetarëve duhet të mbrohen me ligj. Por, se si po funksionon sekularizmi i përqudnuar në Kosovë, që diskriminon disa e mundohet t’i legjetimojë si vlera shumë tradita që për ne kanë qenë gjithmonë të huaja,  tani po i shohim edhe përmes disa aktivistëve që manifestojnë dashurinë dhe ndërtimin e familjes ndryshe nga tradita jonë e pasur. Tashmë „qiftet e dashuruara“ kërkojnë nga shteti kurorëzime martesore burrë me burrë dhe femër me femër. Import evropian dhe kulturë demokratike! Kurse, traditat që bartin edhe vet nënat dhe baballarët e ministrave, të trashëguara nga një frymë e pastër familjare tradicionale, në shumë aspekte e mveshur me petkun religjioz (e kam fjalën për të dy fetë) përçmohen dhe ligjërisht diskriminohen. Madje, për axhendën e tyra janë import nga jashtë. Derisa shembujt fenomenal që mund t‘i gjejmë në traditën familjare të shqiptarëve do t’i kishte lakmi edhe vet Evropa, sot në Kosovë, në emër të lirive të njeriut, më shumë flitet për të drejtat e një pakice homoseksualësh dhe lezbikesh se sa për degjenerimin që po shkaktohet çdo ditë. Sa të tmerrshme janë lajmet që na  informojnë se si studentet shqiptare prostituojnë në Amsterdam, lajm që nuk e trondit aspak qeverinë tonë, pastaj, therjet me thikë gjer në vrasje të nxënësve  në shkolla, varfëria dhe emigrimi dhe çka jo tjetër. Sytë e pushtetit asnjëherë nuk i panë besimtarët tek faleshin në rrugë, në borë dhe në shi, por, ata e panë të panevojshme ndërtimin e xhamisë, të cilën e ndaluan në një lagje të Prishtinës sepse ashtu deshi një familje që ka autoritet në pushtet. Punë e madhe për besimtarët, besimi dhe xhamia e tyre  është import!
Në gjithë këtë katrahurë ajo që duhet në na ndërgjegjësojë është se të gjithë duhet të mendojnë se toka dhe qielli janë të të gjithëve.  Për mendimin e dikujt  ndoshta janë vetëkrijuar sipas ligjeve të Darvinit, për dikë nga Allahu i Gjithëmëshirshëm, por, ajo që duhet të na bashkojë është se s’kemi vend tjetër, dhe, të gjithë jemi të shtytur që t’i sigurojmë vetës një mjedis ku duhet të jetojmë me dinjitet. Përpjekja për ta dominuar me anë të dhunës së pushtetit një grup të caktuar gjithmonë ka rezultuar më nxitjen e ekstremit tjetër. Edhe në debatin që shpresoj se tashmë po përfundon, lidhur me ezanin, u pa se shkëndijat e urrejtjes u ndezën dhe pak mendohet për jetësën në paqe dhe respekt për njëri tjetrin. Përqarja dhe konfliktioziteti janë një humbje energjie për të gjithë. Praktikat që po vendos shteti ynë sekular, nuk janë as sekulariste dhe as evropiane. Këto ditë të qëndrimit tim në Gjermani po e shoh më nga afër këtë. Mbase herave tjera do kem kohë të shkruaj  më shumë për këtë.  Ndërtimi dhe zhvillimi i një shteti nuk bëhet me falsifikime, duke manipuluar me qasjen e gabuar ndaj zhvillimit evropian, se gjoja, rreziku i popullit tonë është ai se ne nuk po bëhemi evropian, sepse kemi brenda vetës besimtarë dhe import islam. Islami ka qene dhe do të jetë brenda nesh, thjesht, kjo është feja jonë. Falë Zotit të madh kemi hoxhallarë të dijshëm që mund të na interpretojnë drejt këtë dhe s’kemi nevojë për interpretimet e ateistëve. Në anën tjetër, më tregoni ju lutëm se çfarë fiton shoqëria jonë, ose më saktë, familja jonë, me qiftet e martuara të të njëjtës gjini? Se si ndërtohet familja nga këta, besoj se do ta kishte të vështirë të na tregonte edhe teoricienti i evolucionit, Darvini. Andaj, si të kërkojmë ndërtim shteti e në anën tjetër të promovojmë shkatërrim të familjes, të këtij institucioni që është themeli i shtetit. Kush më mirë se feja do të na mësojë dashurinë ndaj familjes, ndërtimin dhe rritjen e saj, e pastaj, nga kjo, fuqizimin e tërë shoqërisë. Kush më mirë se islami e ka luftuar racizmin, edhe pse fatkeqësisht  këto ditë disa muslimanë e harruan këtë. Harruan, fatkeqësisht se nënat e të gjithëve islami nuk i trajton sipas egove të njerëzve dhe prejardhjes nacionale, dhe, çrregullimet që bëhen në tokë nga bijtë e tyre nuk zgjidhen duke fajësuar prejardhjen. Çfarëdo që bëjmë, në fund të fundit jemi të detyruar të ndajmë bashkë hapësirën e kozmosit tonë, andaj, t’i vendosim ndasitë tona në nivelin e bashkëjetesës dhe jo atë të dhunës dhe përqarjes. Ndryshe, bota rreth nesh është shembull i mjaftueshëm se çfarë pasojash sjellin mossrespekti dhe diskriminimi. Etiketimi i besimtarëve tek ne me lloj-lloj cilësime negative dhe urejtja e madhe që plasojnë mediat, të ushqyera nga pushteti, janë vetëm një hap i vogël  drejt një humnere që mund të jetë tragjike për të gjithë. Në anën tjetër, fuqizimi i rolit të familjes, respektimi i ndërgjegjies së secilit, pa dallim prejardhje, identiteti fetar, kërkimi nga secili qytetar për t’u arsimuar (dhe jo me seleksionime), për të dhënë dijen dhe talentin e vet në të mirën e përgjithshme, është një bazë e mirë që premton zhdukje të varfërisë, minimizon diktaturat autoritare që sot kanë zaptuar pasurinë e vendit tonë, nxjerr në sipërfaqe njerëz të ndershëm që kanë ndjeshmëri për njeriun. Dhe, në anën tjetër duhet të dihet se pushtetarët që kujdesen vetëm për farefisninë dhe grupin e interesit të tyre gjithmonë, dhe, në të gjitha rastet do të gjejnë fajtorë për problemet e shumta që ata prodhojnë, siç është në këtë rast, gjoja, importi islam.