Çdo qëndrim ndaj edukimit të
brezit respektiv është qëndrim ndaj të
ardhmes. Asgjë nuk përcakton më shumë
të ardhmen, ndërtimin e saj, sesa qëndrimi
ynë i sotëm ndaj arsimit, edukimit,
shkollimit të të rinjve tanë.
 
Ditët dhe datat e rëndësishme  vijnë dhe shkojnë për çdo vit.  Na duket sikur kalojnë shpejt dhe shumë herë na gjejnë të papërgaditur.  E rëndësishme është të mësojmë dhe të përfitojmë mësime dhe urtësi nga ndodhitë e ndryshe dhe datat e shënuara.
Padyshim se një nga ditët  e rëndësishme për popullin shqiptar është dita e 7-të marsit ose siç e themi të gjithë Dita e mësuesit apo Dita e Shkollës së Parë Shqipe.
Gjeneratat e tanishme dhe gjeneratat që vijnë sikurse u duket e zakonshme kjo ditë dhe krejt normale për të festu dhe për të nderu arsimtarët dhe arsimtaret e tyre.
Mendoj se duhet thellu më shumë  në historikun e kësaj dite me qëllim shumë fisnik  për të mësuar rreth sakrificës dhe mundimeve të shumta që përballuan brezat e kaluar që ne të gëzojmë këtë ditë.
Ato e kishin ideal të tyre gjuhën, dhe për këtë ideal punuan natë e ditë derisa u kurorzua me hapjen e shkollës së pare shqipe, siç quhet ndryshe  Mësonjëtorja e Korçës . Ajo u hap më 7 mars të vitit 1887Korçë në shtëpinë e ofruar për mësimdhënie nga Diamanti Terpo. Kjo ndërtesë është sot muzeum kombëtar i arsimit.  Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri.  Ai e filloi mësimin në gjuhën shqipe fillimisht me 35 nxënës. Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasë të rregullta. Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik.  Hapja e shkollës ishte një ngjarje dhe një fitore e madhe për gjithë lëvizjen kombëtare. Mësonjëtorja e Korçës ishte qendër e rëndësishme për formimin kulturor dhe ngritjen e ndërgjegjes dhe moralit në popull. Ajo nxiti edukimin patriotik të brezit të ri e të masave të gjera. Shkolla tërhoqi interesin dhe admirimin e shumë shqiptarëve, nën shembullin e saj u frymëzuan më vonë edhe banorë të viseve dhe trevave të tjera shqiptare.
Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu që nga ajo ditë 7 marsi festohet  si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.
-Moment dëshprimi
Me shumë admirim i ndëgjonje ligjeratat e profesorëve të mi të nderuara kur na shpjegonin  për hapjen e shkollës së parë shqipe,  sidomos për momentet e ditës së parë  kur motrat  Qiriazi u shprehën mirëseardhje nxënsëve në Mësonjtoren e Korçës.
Nga ai moment e prisja pa durim ditën kur do ta vizitoj Korçën dhe kuptohet  Mësonjëtoren e Korçës. Para dy viteve në mënyrë të organizuar vizituam Koçën dhe çka tu them! Dëshira  e flaktë u shëndrua në dëshprim sepse përveç A Be Ce në oborrin e ndërtesës nuk më la gjë tjetër përshtypje të mirë,  sikurse e lënë në pakujdesje kjo ndërtesë historike.  Mbrenda Mësonjëtores-muzeum, ishte një punëtor në moshë dhe në  peshë që sipas tekeve të tij ashtu e hapte edhe derën hyrëse  për vizitorët. Mjerim!!!
Mësuesi profesionist  apo misionar
Jo çdo njëri duhet të bëhet mësues  (mund të bëhet), sepse arsimi është art më vete, sikurse politika që është aftësi më vete. Ky debat është i ngjajshëm me atë se  çka na duhen jurist ,,akademik,, apo jurist të ,,zanatit,,.
Është shumë e vërtetë se në kohën e sodit arsimtarët janë mjaftë profesionalist, tek e fundit kjo edhe kërkohet si çdo punëtor tjetër edhe punëtorët e arsimit pranohen në vendet e tyre të punës sipas normativit të byros për zhvillim të arsimit  për kualifikim të kuadrit mësimor.
Kjo është në rregull dhe e domosdoshme.
Shtrohet pyetja sa arsimin e kemi mision sot?
Në të kaluarën mësuesi e kishte  nderin shumë të madh nga të gjithë, sepse punën e tij përveç që e kishte profesion mbi të gjitha e kishte mision. Nëse lexojmë për historitë e mësuesve të ardhë nga Shqipëria në viset shqiptare në Maqedoni, ato gjatë periudhës së verës nuk ktheheshin në familjet e tyre por vazhdonin  të bashkëjetonin   dhe të arsimonin popullatën e këtyre anëve.  (kemi edhe varreza në të   cilat janë të varrosur mësuesit që ishin me detyrë nga Shqipëria  në viset shqipëtare në Maqedoni)
 Rolet kryesore të shkollave të sotme mund të përkufizohen brenda trekëndëshit të dijes: arsimi, kërkimi dhe inovacioni.
Para disa viteve në Qafë të Kërçovës në një ceremoni të përkujtimit të të rënvë për liri dhe me theks të veçantë përkujtimin e rënies heroike të Sulltanës së Qafës prezentoi edhe Xhozef Diogardi ish-senator amerikan. Në paraqitjen  e tij gjatë fjalimit nga xhepi i brenshëm i kostumit nxori një laps kimik dhe tha:,,luftën ju e bêtë (fjala ishte për 2001)  tani keni një luftë tjetër por jo me armë me laps,,…dhe vërtetë lufta  më e  madhe në botën globale është lufta me laps.
Nga kjo dua të nxjerë se sfida më e madhe e arsimit bashkëkohor është kualiteti.
Sa më shumë të përgadisin mësuesit nxënës të mirë nëpër shkolla aq më krenar do të jenë të nesërmen  me kuadër të profileve të ndryshme të mirëfillta.
Koha në të cilën jemi duke jetuar është përplot me ngjarje, raste e fenomene që na e kanë lodhur syrin, veshin dhe mendjen. Ç’është më e keqja, mësuesi  ende nuk ka shpresë se do të arrijë momentin e çlodhjes. Ky presion psikik, kjo torturë morale / njerëzore shihet në mungesën e një integrimi të nevojshëm, gjegjësisht të dobishëm, të një respekti reciprok dhe kështu me radhë.  Jemi përballë shumë sfidave. Arsimtari bashkëkohor doemos duhet që të gjejë rrugë apo të zgjidhë këtë enigmë.
Shoqëria e sotme kërkon mësues me mission . Ekzistojnë një sërë argumentesh ekonomikë,  socialë, kulturorë dhe pedagogjikë që e shikojnë misionin si një përparësi.  Misioni  shihet si një aftësi kryesore e jetës nëpërmjet së cilit arsimtarët  mund të zhvillojnë potencialet e tyre, të përdorin imagjinatën  e tyre për të shprehur veten e tyre dhe për të bërë zgjedhje origjinale dhe të dobishme për jetën e tyre.
Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesit e Qeverive të Shteteve Anëtare të mbledhur në 22 Maj 2008 për nxitjen e krijimtarisë dhe inovacioneve nëpërmjet arsimimit  dhe trajnimit dhe në 21 Nëntor 2008 për përgatitjen e të rinjve për shekullin e 21 –një  nënvizuan rolin kyç të institucioneve arsimore dhe të mësuesve në zhvillimin dhe mbështetjen e aftësive potenciale krijuese të nxënësve duke kontribuar nëpërmjet demonstrimit të një mësimdhënieje krijuese. Zhvillimi i aftësive krijuese kërkon gjithashtu brenda shkollës  një kulturë të hapur ndaj krijimtarisë dhe krijimin e një mjedisi mbështetës.
Vetëm në rast të mishërimit të virtyteve të pastra edukativo – morale me të arriturat bashkëkohore, mund të konstatojmë se perspektiva e shoqërisë sonë do të fitojë në peshë dhe në dritë të pastër drejt mirëqenies fizike dhe shpirtërore, kuptohet vazhdimisht duke u lutur dhe shpresuar në ndihmën e Krijuesit për realizimin e këtyre qëllimeve.
Realisht nëse edhe në këtë drejtim nuk merren masa të duhura parandaluese, obligim ky që bie barrë më së tepërmi mbi institucionet arsimore, atëherë gjatë kohë në të ardhmen do të merremi me pasojat, mundësia e shërimit të të cilave do të ishte gati se e pamundur, ose e mundur por kostoja historike do të ishte shumë më e madhe.
Populli amerikan vazhdimisht proklamon thënien : act now before it’s too late! Duhet të veprojmë me kohë, se  asgjë nuk është në gjendje të ç’rregullt dhe pa ndonjë qëllim të caktuar.
Urime u qoftë 7 marsi mësues  të nderuar.  Gëzohuni për ditën tuaj. Shpresojmë për ditë më të mira për shkollat tona.  Urime  edhe për ju të respektuar arsimtar dhe arsimtare që nuk jeni më në mesin e të gjallëve.