Qasje fillestare
Gjithmonë janë të vështira qasjet ndaj jetës dhe veprimtarisë së Pejgamberit Muhammed alejhi selam. Edhe pse shumë njerëz konstatojnë se temat e këtilla janë të lehta, por dukja e temave të këtilla është e lehtë. Thellësia e tyre është e rëndë, pasiqë kërkohet një hulumtim shpirtëror dhe psikologjik ndaj të gjitha aspekteve të jetës së Pejgamberit alejhi selam për të kapur vetëm një sferë ose një segment të jetës së tij. Allahu xh.sh. e dërgoi në fytyrën e tokës, Pejgamberin Muhammed alejhi selam si mëshirë për botët.
Kjo gjë është e ditur botërisht prej gjithsecilit. Atëherë, pse kaq shumë urrejtje ekziston në mesin e ummetit të Pejgamberit alejhi selam? Njerëzit nuk flasin njëri me tjetrin, grupet etiketohen ndërmjet veti dhe në fund lind përçarja e që është nëna e djallit të mallkuar.
Bernard Shou për Pejgamberin Muhammed alejhi selam thotë:” Unë e kam studiuar jetën e Muhammedit alejhi selam. Ai, është njeri i mrekullueshëm, e sipas mendimit tim, ai është larg nga të qenët antikrisht.
Atë, duhet ta quajmë shpëtimtar të njerëzimit. Jam i bindur se, një njeri i ngjashëm me të po të merrej me problemet e kohës modern, do t`i kishte zgjidhur me sukses ato, duke i sjellë njerëzimit paqen dhe lumturinë e nevojshme.”[1]
Të gjithë e kemi parasysh konceptin e mëshirës në jetën e Pejgamberit alejhi selam si qenie e dërguar mëshirë, ndërsa gati se askush nuk po e percepton mëshirën si një pjesë praktike dhe reale të jetës së përditshme të muslimanit. Në këto pak rreshta do të mundohem që të pi ujë nga ujëvara e Pejgamberit alejhi selam dhe t`I sjell pak freski edhe lexuesit prej këtij eliksiri hyjnor.
Si t`a kuptojmë mëshirën?
Sipas fjalorit elektronik shpjegues me termin mëshirë nënkuptojmë:” Ndjenjë e thellë dhembshurie e keqardhjeje për një njeri të mjerë a fatkeq dhe dëshira për t’i ndihmuar atij.”[2]
D.m.th. mëshira është një ndjenjë e thellë dhembshurie. Ky koncept është koncept materialist ose njerëzor i termit mëshirë. Edhe si i tillë ka përmasa pozitive për të iu qasur kësaj problematike në mënyrë sa më reale.
Pejgamberi alejhi selam në një hadith të tij ka thënë:” Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet”[3], kjo gjë është e lidhur njëjtë si funksionimi i aksionit me reaksionin. Si mund të presim mëshirën prej të tjerëve, ndërsa ne asnjëherë nuk mëshirojmë askënd? Tema e mëshirës është një oqean i thellë në mendjen dhe shpirtin e çdo njeriu besimtar.
Ky koncept i mëshirës nuk duhet kuptuar vetëm në aspektin e brendshëm ose adhurimor të jetës së besimtarit, por edhe pjesa e jashtme në marrëdhënie me njerëzit tjerë, me popujt tjerë ka rëndësinë e vet. Zoti e dërgoi Musain alejhi selam tek faraoni dhe e urdhëroi që ta ftoje në të vërtetën me fjalë të buta dhe të mira, ndërsa ne në rrugën e thirrjes nervozohemi dhe e humbim durimin me të parën?!
Mëshirën duhet kuptuar si virtyt i cili do të na shërbejë gjatë tërë jetës për të ndryshuar vetveten dhe shoqërinë. Nuk është vetëm durimi ajo që i dha forcë Pejgamberit alejhi selam në rrugën e thirrjes, po edhe mëshira për t`i parë njerëzit të përqafuar me thirrjen e Zotit. Gati të gjithë e dimë rastin e Taifit. Atje Pejgamberi alejhi selam u mohua dhe u ofendua e nënçmua në forma të ndryshme. Ai ishte në gjendje të rëndë fizike dhe shpirtërore. Në ato momente i drejtohet engjëlli si krah dhe ndihmë e i afron mundësinë e shkatërrimit të atij populli. Po Pejgamberi alejhi selam i dërguar si mëshirë për botët, nuk deshi shkatërrimin e mallkimin. Ai u lut që prej atij populli të dal një brez i cili do ta adhuronte Allahun xh.sh. në mënyrën më të sinqertë.
Sikur e kemi harruar Taifin në rrugën e thirrjes. Apo ndoshta nuk duhet ta marrim shembull jetën e Pejgamberit Muhammed alejhi selam në çdo pore të jetës? Kemi harruar se Pejgamberi alejhi selam kishte mundësi që t`i kërkonte engjëllit për ta shkatërruar popullin e Taifit, po ai deshi udhëzimin. Dhe suksesi i thirrjes së tij ishte m`u tek dashuria e tij ndaj udhëzimit të njerëzve. Me një fjalë tjetër metaforike mëshirën do ta përkufizonim si dashuri ndaj udhëzimit. Njerëzit duan që të udhëzohen në Islam të gjithë njerëzit dhe ta adhurojnë Allahun xh.sh. të gjitha krijesat e kësaj bote, e m`u në atë moment janë të mëshirshëm.
Amër Halid thotë:“Mëshira është diçka e dashur nga të gjithë, por që gjendet te pak njerëz. Kur humbet te njerëzit ky moral, përhapen krimet, urrejtja, vrasjet, njerëzit shpikin armë të shkatërrimit në masë për shfarosjen e njerëzimit etj.”[4]
S`i të sillemi me mëshirë?
Syri i urrejtjes dhe gjuha e paragjykimit janë të ndaluara për besimtarin musliman. Ne nuk duhet që të urrejmë dhe paragjykojmë të tjerët, po t`i mirëkuptojmë. Ne nuk urrejmë pabesimtarët, po e luftojmë pabesinë. Si e luftojmë pabesinë? Duke i thirrur njerëzit në të vërtetën, duke i mëshiruar e pasur ndjenja dhembshurie për to.
Paragjykimi është kaosi i mendjes së panjohur. Njerëzit zakonisht paragjykojnë të panjohurën, ndërsa për të na u bërë gjërat të njohura duhet të kapemi pas urdhrit të parë në Kur`an:” Lexo…”
Pejgamberi Muhammed alejhi selam ka thënë:” Ndihmoje vëllain tënd, qoftë ai zullumqar apo që i bëhet zullum”.
Të pranishmit i thanë:” O Pejgamber i Allahut, do t`i ndihmojmë ati që i është bërë dhunë, por si do ta ndihmojmë atë që bënë dhunë”.
“ T`ia mposhtni duart e tij, ta pengoni,”-tha Ai.[5]
Në të dyja rastet Pejgamberi alejhi selam tregoi dozat e mëshirës. Besimtari duhet që t`i ndihmoj vëllait të tij, edhe kur është viktimë e dhunës edhe kur është duke bërë dhunë. A nuk kemi shembuj plot edhe në ditët tona ku po përdoret dhunë ndaj muslimanëve? A nuk është pjesë e mësimit të mëshirës nga dija hyjnore tek eliksiri i dashurisë së Pejgamberit alejhi selam pengesa e dhunës ndaj besimtarëve musliman?
Nuk ishte vetëm faraoni –faraon e të përfundoj historia e tij. Në fakt, në momentin e përmendjes si faraon në Kur`an fillon historia e tij dhe marrja mësim e besimtarëve deri në Ditën e Llogarisë.
Muslimanët në të katër anët e globit po shohim e përjetojmë dhunë e gjak prej gjakësorëve të ndryshëm. Shumë fëmijë musliman po ngelin jetim, shumë gra kanë ngelur të veja nga shkaku se ne jemi larguar nga mësimet e Pejgamberit të mëshirës.
Mëshira është një përgjigje efektive kundër dhunës. Ajo është paskajore e cila ringjall shpirtrat e besimtarëve dhe ndryshon qasjen e jetës së tyre në të gjitha sferat e jetës. Sikur muslimanët të ishin të kapur pas mësimeve të Pejgamberit alejhi selam duke praktikuar ato në të gjitha sferat e jetës, ata do të ishin të drejtë me njëri-tjetrin e nuk do të shprehnin terror e dhunë. Dhuna është mungesë e mëshirës dhe butësisë. Po piedestali i mëshirës është besimi në Allahun xh.sh.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë:” Muslimani është vëlla i muslimanit , as nuk do t`i bëjë dhunë atij, por as do t`ia falë dhunën. Ai që i gjendet në ndihmë vëllait të vet, Allahu do t`i gjendet në ndihmë atij kur ka nevojë; Ai që ia heq muslimanit ndonjë brengë, Allahu do t`ia heq brengat në Ditën e Llogarisë, dhe kush ia mbulon muslimanit( të metën) Allahu do t`ia mbulojë atij në Ditën e Llogarisë”.[6]
Jeta e besimtarit musliman është jetë shoqërore para se të jetë jetë individuale. Ai është i lidhur për tjetrin në mënyrë horizontale dhe për urdhrat e Zotit në mënyrë vertikale. Në asnjë moment të jetës së tij, ai nuk guxon që ta gënjej veten se mund të jetë i pavarur prej të tjerëve. Muslimani është vëlla i muslimanit. Ai mund të ketë të meta, pasiqë nuk ka njeri në rruzullin tokësor pa të meta. Po e metë e madhe është publikimi i të metave të vëllait musliman. Ndërsa, heshtja ose mbulimi i kësaj pike është garancion në këtë botë për një jetë të sigurt, po edhe në Ditën e Llogarisë ndodh mbulim i të metave tua.
Është dhunë psikologjikë nxjerrja në pah e të metave të vëllait tënd.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë:” Dhuna është terri i Ditës së Gjykimit”.[7]
Jam i bindur se asnjë besimtar musliman nuk do ta dëshironte terrin e Ditës së Gjykimit.
Qasje përfundimtare
Allahu xh.sh. thotë në Kur`anin famëlartë:”….e mëshira Ime ka përfshirë secilin send…”[8]
Mungesa e praktikimit esencial të porosive të Pejgamberit Muhammed alejhi selam, ka sjell në shoqërinë tonë shumë probleme të cilat në kohën e Tij, janë zgjidhur me lehtësi. Besimtarët duhet që t`i rikthehen esencialisht jetës së Pejgamberit Muhammed alejhi selam, të përfitojnë nga mëshira e Tij, nga sjellja e tij me njerëzit, me të afërmit, me kafshët, me fëmijët, me gruan, me prindërit. Jam i bindur se në secilën sferë të mëshirës kemi ngecje dhe mungesa të mëdha, ndërsa në fillim të kësaj qasje përfundimtare përmendëm ajetin kur`anor për përfshirjen e mëshirës së Zotit në secilin send.
A nuk jemi dëshmitar të shumë problemeve që lindin midis fëmijëve me prindërit e tyre, duke marr për pretekst fenë?
A nuk jemi dëshmitar të shumë problemeve bashkëshortore që lindin si rezultat i mungesës së mëshirës ndaj njëri-tjetrit dhe përdorimit të forcës nga më i forti?
A nuk është momenti që praktikisht dhe esencialisht të kapemi pas mësimeve të Pejgamberit alejhi selam dhe t`i themi JO: dhunës, mostolerancës, urrejtjes, përçarjes, paragjykimeve?!!!