Dyshimet
Mesfushori kujton në autobiografinë e tij humbjen e Milanit ndaj Deportivo La Korunja
Pirlo hedh dyshime për doping në Champions
Eliminimi – Milani kishte fituar 4-1 ndeshjen e parë në “San Siro”, por u mund 4-0 në “Riazor”, duke i dhënë lamtumirën Ligës së Kampioneve
Andrea Pirlo nuk e harron lehtë një nga humbjet më të errëta të karrierës së tij, atë 4-0 ndaj Deportivo La Korunja në Ligën e Kampioneve në sezonin 2003-2004, që eliminoi Milanin, i cili kishte fituar 4-1 ndeshjen e parë në Itali. Por nëpërmjet faqeve të autobiografisë së tij, “Mendoj, prandaj luaj”, mesfushori ka hedhur dyshime rreth lojtarëve të ekipit spanjoll që u eliminua në gjysmëfinalet e turneut nga Porto e Murinjos.
“Mundësitë që të mos arrinim të kalonim turin ishin të barabarta me ato të Gatuzos që diplomohej për gjuhë e letërsi. Dëmtuam veten dhe kjo është paranteza e detyrueshme që dua të bëj, por ndërsa e rikujtoj në distancë vitesh, janë disa gjëra që nuk më bindin. Kundërshtarët tanë ecnin me 1 mijë kilometra në orë, përfshirë edhe lojtarë pak më të vjetër në moshë, që nuk kishin pasur asnjëherë si pikë të fortë shpejtësinë të kombinuar me rezistencën fizike. Skena që ka bërë më shumë përshtypje ishte t’i shihja të vraponin të gjithë, pa përjashtim, edhe në pushimin e ndeshjes. Kur gjyqtari Majer vërshëlleu për fundin e pjesës së parë, fluturuan drejt dhomave të zhveshjeve, me ritmin e Usain Bolt. Nuk arrinin të ndaleshin as në atë çerek ore të pushimit teknik, të krijuar pikërisht për të marrë frymë, të paktën për të ecur”, shkruhet në biografinë e mesfushorit italian. “Nuk kam prova, ndaj e imja nuk është akuzë. Thjesht është një ide e keqe që më vjen herë pas here. Ishte hera e parë në jetën time që më ka ardhur dyshimi se dikush në të njëjtën fushë loje mund të kishte përdorur doping”, – ka sqaruar ai. Reagimi i spanjollëve ka qenë i menjëhershëm, me ish-lojtarët e Deportivos që kanë kërkuar zyrtarisht nga Pirlo që të kërkojë falje publike për aludimet.
Platini: Preferoj më shumë Europa League
Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, e ka cilësuar Europa League si turneun e tij të preferuar, pasi ka një bazë më të gjerë skuadrash që luajnë në të dhe mund ta fitojnë. “Mes dy turneve, Europa League është ai që më pëlqen më shumë. Të gjithë shohin Ligën e Kampioneve, por Europa League është ‘kupa e zemrës’. E quaj kështu pasi të gjitha shtetet, të gjithë qytetet, të gjithë klubet e Europës mund të luajnë në këtë turne dhe mund ta fitojnë, janë shumë të tilla. Ndërsa janë më të pakët ata që mund të fitojnë Ligën e Kampionve. Ndaj është një turne më i hapur, më popullor në të gjithë Europën”, shpjegoi Platini.
Deshamp: Franca nuk do ta fitojë Botërorin!
Didier Deshamp nuk e sheh Francën mes skuadrave pretendente për fitoren në Botërorin 2014, duke ulur kësisoj pritshmërinë ndaj përfaqësueses që drejton në turneun e këtij vit. “Janë 6 apo 7 skuadra që hyjnë në këtë turne për ta fituar atë, por Franca nuk është mes tyre. Objektivi ynë i parë është të fitojmë ndeshjen e hapjes kundër Hondurasit më 15 qershor. Hera e fundit që Franca ka fituar një ndeshje në grup në Botëror ishte ndaj Togos në vitin 2006. Nuk jemi më mes kombëtareve elitare në Europë apo botë. Jam realist dhe qëndroj me këmbë në tokë. Nuk di ende të them se cila është forca reale e kombëtares”, deklaroi 45-vjeçari.
Tohir: Vjen një mes Xheko, Morata e Torres
Presidenti i Interit, Erik Tohir, ka paralajmëruar se zikaltërit janë të vendosur të afrojnë gjatë verës një sulmues të njohur. “Do të kërkojmë renditjen në zonën e Ligës së Kampioneve që në sezonin e ardhshëm, ndaj kërkojmë një sulmues të nivelit europian. Xheko, Torres dhe Morata nuk janë thjesht zëra, do të ishte diçka shumë pozitive që një prej tyre të përfundonte te ne. Lojtarë italianë? Do të mundohemi të marrim të tillë, por nuk jemi të detyruar të bëjmë zgjedhje të tilla. Milani u jep prioritet lojtarëve italianë, por historia e Interit është ndërtuar nga lojtarët e huaj”, saktësoi Tohir.
EDITOR
11 years ago
previous article
Krujf: Barcelona del nga kriza nëse kthehet Guardiola!
next article
OKB shokohet me imazhet nga Siria (Foto, +16)
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
7 days ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
7 days ago