Ikona e Barcelonës, Johan Krujf, beson se gjëja më e mirë që mund të bëjë klubi katalanas është të kthejë përsëri Pep Guardiolën në drejtimin e skuadrës. Trajneri aktual i Bajern Mynih kaloi 4 vite shumë të suksesshme në pankinën e kësaj skuadre duke e kthyer atë në më të fortën në botë, falë trofeve të shumtë të fituar si në Spanjë, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Por që me largimin e tij, klubi nuk ka arritur të ngjitet më në të njëjtat nivele dhe në këtë sezon u largua nga Liga e Kampioneve që në çerekfinale, ndërsa në kampionat mban vendin e tretë pas Atletiko dhe Real Madrid. Në këtë situatë që shumë prej tifozëve kanë filluar ta cilësojnë si katastrofike, Krujf mendon se për të kthyer përsëri klubin në elitë, do të mjaftonte kthimi i 43-vjeçarit në Spanjë, edhe pse ky i fundit po kalon një periudhë të lumtur në drejtimin e Bajern Mynih.
“Gjëja më e mirë për Barcelonën do të ishte kthimi i Pep Guardiolës”, tha ai për “Mundo Deportivo”. “Nëse Joan Laporta do të bëhej përsëri president, unë do të thosha që gjëja më e mirë e mundshme që do të bënte ishte të firmoste përsëri me Pep dhe meqë e di që është një person inteligjent, jam i sigurt se do ta realizonte një gjë të tillë”.
Ish-presidenti i nderit i klubit katalanas ka shpërthyer më pas në akuza kundër drejtuesve aktualë, duke filluar nga presidenti Josep Maria Bartomeu. “Problemi aktual i Barcelonës është se ata që nuk dinë gjë, janë ata që marrin vendimet. Nuk komandon trajneri. Komandojnë ata që duan të përfitojnë nga futbolli për të bërë biznes”, ishin akuzat e tij.
Më pas, ai bëri një krahasim të mandateve të Laportas, me ato të Rosell dhe të Bartomeu. “Laporta bënte detyrën e presidentit dhe i linte vendimet për ata që merrnin vesh nga futbolli. Ia linte Çiki Begirishtajn, Frank Rajkard e më pas edhe Pep Guardiolës. Të gjithë mund të gabohen, por ata e kuptonin futbollin, merrnin vendimet dhe Laporta kryente detyrën e presidentit duke i mbrojtur sido që të ishin. Por kjo ishte ajo që funksiononte. Kishte momente të mira dhe të këqija, por në përgjithësi ishte një epokë fantastike, si për titujt, ashtu edhe për futbollin që luhej”.
Në fund, nuk mund të mungonte një koment për Lionel Mesin, rreth kritikave që po i adresohen argjentinasit dhe formës së dobët që ka shfaqur në ndeshjet e fundit, që në fakt ishin më vendimtaret e këtij sezoni. “Është absurditet. Pak kohë më parë thuhej se Mesi ishte lojtari më i mirë në botë dhe tani, pas eliminimit nga Liga e Kampioneve, vihet në dyshim vlera e tij. Barcelona ka vetëm një problem strukturor. Presidenti dëshiron të luajë rolin e trajnerit dhe pastaj atë të menaxherit”, ishte kritika e Krujf.
Holandezi 66-vjeçar ka qenë për shumë vite si lojtar, ashtu edhe trajner, te Barcelona. Ai cilësohet si krijuesi i projektit të “La Masia”, akademisë së famshme katalanase, që tashmë furnizon vazhdimisht ekipin e parë me yje të kalibrit botëror.