Tirana ka vite që nuk është më ajo që kemi njohur dikur. Banorë nga i gjithë vendi, biznese të reja, mentalitete në lëvizje. Dhe është krejt normale për një kryeqytet që përfaqëson të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Por, këtyre lëvizjeve të vrullshme duket se i mungon një përshtatje e domosdoshme: një vendfalje e madhe për myslimanët. Edhe pse si ide ka qenë që në vitin 1993, sërish myslimanët nuk kanë mundur të kenë një xhami të madhe, që njëkohësisht do të ishte edhe një qendër e madhe kulturore dhe e aktiviteteve të ndryshme.
Arsye se përse duhet të ndërtohet një xhami e re në Tiranë, unë do të renditja shumë, por le të qëndrojmë tek ato më të rëndësishmet. Do të filloja me historikun e kryeqytetit, i cili para shkatërrimit komunist ka pasur në Tiranës mbi 27 xhamia, në atë kohë Tirana nuk ka pasur këtë shtrirje gjeografike dhe as këtë popullsi.
Në një debat televiziv për moralin e shoqërisë kam dëgjuar se ne jemi një shoqëri e varfër, dhe për këtë shkak na duhen politika të ekonomisë së tregut për rregullimin e moralit të shoqërisë. Nisur nga ky debat, i rikthehem kohës së Zogut, kur njerëzit ishin më të varfër, por kishin shtet dhe besimin në Zot, një lagje e ruante një xhandar. Kur zhdukëm besimin dhe kishim shtetin (diktaturën), një lagje kishte një rajon policie dhe në çdo tre persona punësohej një spiun. Të sotmen nuk dua ta komentoj, pasi realiteti flet hidhur… Prandaj një xhami do të thotë më pak polici, më pak burgje, më pak shpenzime nga taksapaguesit, më pak krim në familje, në rrugë, më pak aksidente, më pak vjedhje, më pak para të shkuara dëm nëpërmjet bixhozit…
Prandaj më duket me vend të sqaroj opinionin publik se ndërtimi i xhamisë nuk duhet të shihet si ndërtimi i një ndërtese, tek e cila ne na intereson arkitektura, hapësira që ajo do të zërë. Të gjitha këto kanë rëndësi, sepse i përkasin qytetit tonë, por më i rëndësishëm është funksionimi dhe kontributi i saj në shoqëri. Ndërtimi i xhamisë është plotësim i harmonisë fetare, pasi një vend me shumicë myslimane akoma nuk e ka xhaminë qendrore të saj. Por duhet të pranojmë se ndërtimi i kësaj xhamie të shumëpritur është njëkohësisht edhe plotësim i dy objekteve të kultit tashmë të ngritura, tepër të rëndësishme për besimin e tyre, atë katolik dhe atë ortodoks.
Myslimanët e kanë mirëpritur iniciativën e kryebashkiakut Basha për të ngritur një komision që do të merret me ngritjen e xhamisë së madhe. Unë besoj se ai projekt duhet inkurajuar, pasi kështu do t’i përgjigjeshim sa më mirë nevojës që ka sot ky komunitet, por duke e parë atë edhe si një ndihmë në përmirësimin e shoqërisë.
Personalisht kam cekur shpesh në media vonesën mbi ndërtimin e xhamisë, por jo vetëm kaq, edhe integrimin e myslimaneve në shoqëri, lidhur me debatet e shamive në shkolla. Sot një femër me shami, së cilës ne i japim mundësinë të arsimohet, nuk mund të punësohet. Ndërkohë kur shembujt e vendeve të zhvilluara ku ne përpiqemi të aderojmë nuk na mungojnë, ata kanë deputete me shami apo dhe deri në administratën e lartë të Presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë. Unë besoj se kjo klimë ka nisur të përmirësohet, por akoma nuk është në nivelin që kërkon një vend i lirë dhe demokratik. Duhet pranuar se brezi i ri është më i hapur ndaj zgjedhjes dhe praktikimit të lirisë së fesë, por haset akoma vështirësi, që për mendimin tim vjen nga e kaluara komuniste. Ndaj, duke parë këto dobi të rëndësishme që sjell mbështetja ndaj institucioneve të besimit, unë do ta ftoja edhe politikën që t’i mbështeste këto iniciativa. Dhe jo thjesht për zgjedhje, por për zgjidhje.
EDITOR
12 years ago
previous article
Google zbulon Chromebook Pixel, laptopin me ekran me prekje
next article
Ja si duken bakteret në telefonin tuaj!
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago