Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, tri partitë shqiptare humbën deputetët e diasporës nga ana e partisë në pushtet VMRO-DPMNE. Çka është më interesantja se e njëjta parti politike maqedonase, i mundi partitë politike shqiptare edhe në Prishtinë e Tiranë, dy kryeqendrat shqiptare.
Gjëra të ditura , por të habitshme ndodhën gjatë këtyre zgjedhjeve të parakohshme. Bashkimi Demokratik për Integrim nuk po i njeh deputetët e diasporës dhe tek Këshilli Shtetëror i Zgjedhjeve, paraqiti ankesat e saja.
Shqiptarët e këtyre kohëve po përballemi me disa falsifikime të tmerrshme, të cilat me kalimin e kohës e gjithë bota do të na llogaris për budallenj nëse i paraqesim si falsifikime. Shumë çështje shqiptare në Ballkan kanë ngel çështje të pazgjidhura në këtë formë. Politika djallëzore sllave në mënyrë të programuar po punon drejtë venitjes së identitetit politik të shqiptarëve në Maqedoni dhe jashtë saj.
Këto zgjedhje, sidomos në diasporës, reflektuan edhe për një mori çështjesh tjera me karakter falsifikimi. Në këtë mënyrë maqedonasit po duan të tregojnë para botës se ata janë shumicë në Maqedoni, ndërsa shqiptarët edhe përkundër diasporës së madhe që kanë, thjeshtë janë 25 përqindëshi i popullsisë së përgjithshme.
Në këtë formë të qasjes së politikës maqedonase ndaj diasporës, i bie që Kërcova të mos jetë qendër shqiptare, por pazar politik ndaj partisë shqiptare në pushtet. Kërcova u rikthye tek shqiptarët me votat e mërgatës shqiptare në Amerikë, Australi e Evropë. Kur votat e diasporës ishin kyçe për fitoren e zgjedhjeve lokale në Kërçovë, si mund të mos janë kyçe edhe për fitoren e tri deputetëve të diasporës?
Diaspora legjitimoi qasjen negative të pushtetit të Gruevskit ndaj mërgimtarëve tanë. Shumë statistika tregojnë se diaspora shqiptare është një burim i madh i të ardhurave për Maqedoninë. Po të hiqej edhe ky burim, Maqedonia do të zbrazej tërësisht prej shqiptarëve dhe do të detyrohej të kërkonte ripopullimin e vendit me njerëz tjerë.
Mendoj se shqiptarët nuk duhet ta tolerojmë këtë falsifikim i cili me kalimin e viteve shndërrohet në falsifikim historik në dëm të shqiptarëve dhe në dobi të armiqve të shqiptarëve. E kuptojë se shumë parti politike bëjnë pazare politike, por me ardhmërinë e popullit shqiptarë nuk bëhet pazar. Ajo ardhmëri duhet ruajtur dhe kultivuar në mënyrën sa më origjinale, pa ndërhyrjen e forcave të errëta që dëshirojnë ta devijojnë.
Tri deputetët e diasporës janë çështje jetike për çdo politikan shqiptarë që merret dhe dëshiron të merret me politikë. Ata nuk guxojnë të lëshojnë pe në këtë pikë për çfarëdo çmimi qoftë.
Tash ngelet që të pengohen proceset politike në vend duke mos njohur zgjedhjet parlamentare sidomos ato në diasporë. Edhe pse vet fillimi i këtyre zgjedhjeve ishte me ngërçe ose paralajmërim për ngërçe. Tashmë BDI-ja nuk duhet ta njoh presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe të mbaj premtimet drejtë injorimit të tij. Ndërsa, VMRO-DPMNE, nuk arriti që të marr 62 deputet për të mos u kushtëzuar nga partitë politike shqiptare. Opozita duhet që ta luaj rrolin e opozitës duke bërë zhurmë e duke mos u përzier në pazare politike që do ta sillnin në vend të njëjtën.
Latinët e kanë një shprehje të famshme ‘ Fer aut feri: ne feriaris feri!’ që në shqip do të thotë:’ Duro ose sill: mësho që të mos mëshojnë!”.
Midis durimit dhe sulmit ekziston populli. Populli e tha fjalën e tij duke i dhënë legjitimitet partisë Bashkimi Demokratik për Integrim. Në këtë mënyrë, ky legjitimitet duhet përdorur në realizimin e synimeve të popullit. Po ashtu edhe legjitimiteti i dhënë ndaj partisë PDSH dhe RDK, duhet përdorur në vijën e njëjtë si ajo e dhënë ndaj BDI-së. Në asnjë vijë nuk duhet të ndryshoj qasja e legjitimitetit ndaj popullit.
Po popull është edhe diaspora shqiptare e cila është regjistruar për të votuar, por është penguar nga ana e maqedonasve. Në këtë mënyrë iu është thyer e drejta elementare e votimit. Shqiptarët e diasporës kanë ngel pa të drejtat e tyre politike, por kanë vetëm një mundësi të mbushjes së buxhetit të Maqedoni.
Partitë politike shqiptare që fituan deputet në parlamentin e Maqedonisë, mendoj se është koha që të krijojnë një front të përbashkët për diasporën, front ky i cili do të bojkotonte mbushjen e buxhetit të Maqedonisë. Edhe pse dikujt kjo gjë i duket thikë me dy tehe, por mësimet politike janë të rënda.