Nuk mund të jemi më të përparuar se të tjerët, nëse përnjëmend nuk punojmë më shumë se ata. Puna jonë jo që duhet, por patjetër duhet të shoqërohet me një qëllim të qartë dhe të çiltër. Të mos harrojmë se qëllimi pa përpjekje është vetëm një ëndërr, kurse përpjekja pa qëllim është vetëm një sorollatje e kotë, ndërsa vetëm qëllimi i shoqëruar me përpjekje është vepër e virtytshme dhe shpresë e vërtetë. Qëllimi ynë është ndryshimi që ka në spikamë mirëqenien tonë materiale dhe shpirtërore. Ndërsa kritika, kërkesa dhe ofrimi i shtigjeve për të dalë prej kësaj balte këllirë është vetë përpjekja jonë për të ndryshuar. Parimisht, them përpjekja për të ndryshuar dhe nuk them në mënyrë urdhërore të ndryshojmë! Nëse do ta ndezi poçin elektrik që gjendet në mes të dhomës, ai do t’i ndriçon edhe skajet e dhomës. Nuk ka nevojë që në çdo skaj të dhomës të vendosi nga një poç elektrik! Rrjedhimisht, të përpjekurit për ndryshim nuk ta garanton domosdoshmërish ndryshimin, por të siguron se nuk do të dështosh, ngase uji që rrjedh nëse nuk arrin të ujitë çdo rrënjë bime, ai të paktën mund të pihet lirshëm. Vetë përpjekja për ndryshim është argument se robi i është mbështetur Zotit, pastaj duke ia shoqëruar edhe mundin e vet, ndërsa thirrja për ndryshim pa cekur përpjekjen, zakonisht perceptohet si diçka abstrakte, si diçka e paprekshme, mbase edhe e pamundshme dhe si një shkëmb tejet i madh në rrugëtimin e kësaj nisme. Muhamedi (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të) e këshilloi shokun e tij që ta lidhe deven dhe pastaj t’i mbështet Zotit. Kësisoj, në këtë thënie shohim kushtrimin për përpjekje.
Kujdes! Nuk jemi vetëm ne duke e kërkuar ndryshimin
Në këto çaste që po shkruajmë për përpjekjen për të ndryshuar në cilësinë e atyre që Zoti i begatoi me udhëzim të vërtetë, shumë lëvizje të tjera, që janë jashtë binareve të së vërtetës, janë duke kërkuar dhe punuar për ndryshimin e gjërave. Kësodore, lëvizjet feministe duan barazi të plot me meshkujt në të gjitha segmentet e jetës, paçka se bien ndesh me vetë qenësinë e tyre. Laikët i bien kambanave që të kihet kujdes me fenë Islame si sistem jete. Politikanët duan ndryshime, jo për të mirën e shoqërisë, por për mundësinë e mashtrimit të mëtejmë. Homoseksualët duan që qasja ndaj tyre të ndryshon; edhe ata duan të pranohen si pjesë e barabartë e shoqërisë. Kështu që, shohim se nuk jemi ne të vetmit që kërkojmë punë dhe vullnet për të ndryshuar. Kjo llojllojshmëri kushtrimesh njëherësh paraqet një digë të rëndë në shtigjet e atyre që udhëtojnë për të mirën e njeriut. Ndërsa ajo që na brufullon vullnetin për punë të mira, është fakti se jemi pjesëtar që e kemi pranuar me dëshirë fjalën dhe udhëzimin e drejtë të Krijuesit dhe vallë si ka mundësi që Krijuesi i çdo gjëje të mos e këshillon dhe urdhëron më të mirën për gjitha krijesat? Prandaj edhe thumbi ynë nuk përkon me kërkesën për ndryshim se patjetër duhet të ndryshojmë. Sikur të ishim në rregull, sa për ta thyer monotonin nuk do të nxisnim për ndryshime, por kushtrojmë përpjekjen për të ndryshuar ngase kemi ndryshuar, por kemi ndryshuar gabimisht. Kemi ecur, por kemi ecur mbrapshtë. Jemi shkolluar, por ecejaket e shkollimit i kemi shoqëruar me shumë punë të liga. Jemi mësuar të lexojmë shkëlqyeshëm, por jo edhe të kuptojmë të paktën shëmtueshëm. Lexojmë për tu dukur të ditur, por jo edhe për të punuar me dituri. Prandaj si të mos e nxisim kërkesën për ndryshim?
Botën lehtë mund ta ndryshoni, nëse niseni prej vetes dhe prej shtëpive tuaja
Allahu Lavdiplotë thotë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata ta ndryshojnë vetveten”. Të keqes i duartrokasim, pastaj ankohemi prej të këqijave që vijnë prej atyre që posa ia rrahëm shuplakat. Nuk është se bota vuan prej dhunës së njerëzve të këqij, por ajo vuan si rrjedhojë e heshtjes së njerëzve të mirë, do të thoshte Napoleoni. Përkundër që mësuesi sheh se nxënësi po bën shumë gabime përgjatë leximit, ai sërish nuk ia tërheq vërejtjen, duke e lënë kështu të gjymtuar përjetë. Profesori në fakultet sheh se studentët lëre që nuk janë duke studiuar, por ata të paktën as që janë duke u orvatur në nxënie diturish dhe prapë ai hesht nga frika se mund ta humbasë vendin e punës. Deputeti e sheh varfërinë në popull, por dëshiron me çdo kusht ta kuptojë se ky popull është i pasur, por ja që ia ka ëndja vetëm për qejf të aktron si i varfër. Pastaj po përmes votës së të ndershmëve, kësaj kategorie fundërrinash, viza po i vazhdohet, duke lënë të nënkuptohet se ata janë duke punuar mirë dhe në rrugën e duhur.
Shumë i lehtë do të ishte ndryshimi nëse do të niseshim nga pika fillestare. Fillimisht, nuk ka nevojë ta mallkojmë qeverinë, por duhet përvjelur mëngët që të punojmë me vetveten, me familjet tona, me lagjet tona, me shoqërinë tonë dhe ç’të shohësh pastaj, vetvetiu të ketë marrë përmbajtje dhe formë tjetër qeveria, kuvendi dhe gjitha institucionet tjera shtetërore. Ndërsa deri më tani metodologjia e ndryshimit ka qenë e mbrapshtë. Kanë menduar se botën mund ta ndryshojnë duke i ndryshuar njerëzit dhe jo vetë njeriun. Ju assesi nuk mund t’i ndryshoni njerëzit, por ju mund ta ndryshoni njeriun. Është parrugësi të jemi të varfër duke ecur me këmbë që shkelin apogjeun e pasurive. Si mund ta arsyetoj një fshatar, i cili tërë ditën ankohet se nuk ka llogari për ta punuar tokën. Pohim i habitshëm ky, apo jo? Të kesh tokë pjellore, njashtu edhe treg ku mund t’i shpërndash prodhimet tua dhe në anën tjetër të vajtosh për mospasje është demagogji e llojit të veçantë. Nëse fushat lihen djerrinë, kurse pyelli nuk pushtohet prej dhive e deleve të shumta, kjo është dëshmi e mjaftueshme se kronikisht vuajmë prej përtacisë, pastaj nuk na bëhet vonë që ankesat për rëndesën dhe hallet e jetës t’i shkruajmë edhe në kronikën e gurit, nën të cilin vlojnë gjarpërinjtë! Kjo kategori njerëzish, nuk ka llogari për të punuar, por vallë, si paskan llogari për të bërë llogari se nuk paska llogari për të punuar? Këta pra shkëlqyeshëm janë llogaritës të pallogarive!
Ndërsa këta harruan se Gjermania doli e shkatërruar tërësisht pas Luftës së Dytë Botërore. Gjermanët kuptuan se ajo që kishte shkuar nuk do të kthehej më. Ata e ndezën vullnetin për të përparuar, duke e përkujtuar secili vetveten se para se të mposhteshin prej Forcave Aleate ata ishin popull madhështor. Ata çdo segment të jetës e mbushën me shpirt, ndaj edhe në vitin 1975 Gjermania arriti të radhitet mes shteteve më të fuqishme të botës.
Parrugësia e populli tonë qëndron në atë se mjaftohemi lehtë vetëm me një pasje të qëllimit të mirë dhe nuk na bëhet vonë ikja prej vetvetes. Sa prej popullit tonë kërkojnë shtetin Islam, edhe pse po këta kërkues nuk arritën të paktën që familjet e tyre t’i bëjnë Islame. Si mund të flasim për libra dhe për dituri, duke qenë se unë dhe ti nuk lexojmë të paktën as gazeta, duke qenë se familja ime dhe familja juaj librat i përdorin për ta nisur ndezjen e druve. Duhet ndryshuar konceptim për ndryshim, përndryshe do të ndryshojmë, por do të ndryshojmë për mbrapshtë. Patjetër duhet nisur nga vetja. Fillimisht vetëm nga vetja!
Dituria dhe vetëdija
Dituria është tërësi e njohurive të fituara në studime e në praktikë ose tërësia e njohurive që kemi në një fushë, ndërsa vetëdija është aftësia që ka njeriu për të njohur e për të kuptuar botën që e rrethon dhe vetveten, për të gjykuar e vepruar në mënyrë të vullnetshme dhe duke qenë i bindur në këtë pikëmapje. Lehtë është të behësh i ditur, madje edhe injoranti më i madh këtë e ka të qartë. Mjafton të lexosh, mendosh, meditosh, shkruash, kundrosh dhe të bashkëbisedosh. Nëse nuk ke ndonjë të metë si shenjë sprove, atëherë sigurisht se do të bëhesh i ditur. Natyrisht, kushtin të gjithë po e dimë, apo jo? Ndërsa përse nuk bëheni dot të ditur? Ose që të fitosh para është kusht që të zgjohesh herët në mëngjes dhe të punosh me zell e me përkushtim, ta kërkosh sa andej e sa këndej rrëskun. Ja kushti i fitimit të pasurisë, por përse shohim shumë të varfër në këtë tokë të pasur me larmi pasurish? Sepse si për njërën, ashtu edhe për tjetrën, mungon vetëdija për rëndësinë e këtyre begative. Ndërsa vetëdija mund të fuqizohet vetëm nëse jemi të vëmendshëm ndaj urtësisë së ardhjes në këtë botë, ndaj urtësisë së vdekjes, ndaj urtësisë së fjalëve të Zotit dhe ndaj urtësisë së krijimit të çdo gjëje që Krijuesi nënshtroi për gjitha krijesat. Madje, mjafton të meditojmë se përse Zoti nënshtroi gjithçka për neve dhe vetëm neve për Zotin? Përgjatë orvatjes për t’ia gjetur përgjigjen kësaj pyetje, ju do të arrini ta gjallëroni vrullshëm vetëdijen. Ndaj, zgjohuni sa nuk ju ka kapluar gjumi i mëngjesit pas atij të mbrëmjes!
A mund të përpiqemi për të ndryshuar?
Sigurisht që po! Mjafton që përmes aftësive t’i identifikojmë problemet dhe ta ndezim vullnetin përgjatë përpjekjeve tona për të ndryshuar, në të kundërtën do të vuajmë shumë në këtë botë dhe në botën tjetër për një mosndezje të thjeshtë të vullnetin. Duhet që prej universiteteve tona të kërkojmë që ata prej neve të mos kërkojnë vetëm para, por dituri dhe studim dhe ne pastaj të mos kërkojmë prej tyre vetëm diploma, por shërbim të mirëfilltë, si dhe nxitje për ndryshim dhe përmirësim të vetjeve tona dhe të shoqërisë që na rrethon. Nëse vijojmë vetëm të diplomohemi, duke e mbytur kritikën e mendimit ndaj dukurive të ndryshme në shoqëri, atëherë ju siguroj juve dhe veten se nuk jemi gjë tjetër pos një lëndë djegëse e lokomotivës që është nisur drejtë greminës vrastare. Në fund të kësaj përsiatje që ka në spikamë ndërgjegjësimin për të ndryshuar, shtroj një pyetje tejet të lehtë; vallë a mund të hiqemi si njerëz normal, nëse përskaj pasurive të shumta materiale dhe shpirtërore, vuajmë po për këso pasurish?