Dr. Sulejman TOPOLJAK
Shumë muslimanë shpesh pyesin se a thua është e lejuar ndërtimi i xhamive dhe mesxhideve me pasuri të ndaluar (haram)?! A i lejohet atij që dëshiron të çlirohet nga pasuria e ndaluar (haram), dhe me të ndërtojë xhami, mesxhide apo shkolla kuranore, etj., apo se xhamitë janë ndërtime specifike, të shenjta, andaj dhe për këtë shkak nuk është e lejuar që ato të ndërtohen me një lloj të tillë të pasurisë!
Qytetërimi bashkëkohor pranon faktin se qëllimi e arsyeton mjetin, e kështu, shume njerëz, për të arritur deri te plotësimi i ëndjeve të tyre, shfrytëzuan mjete dhe metoda ilegale: prostitucionin, drogën, bixhozin, lotarinë, bingon, alkoolin, etj., dhe në këtë mënyrë, sa më parë, të pasuroheshin dhe të bëheshin të njohur në arenën e biznesit ndërkombëtar. Shumë prej tyre asnjëherë nuk mendojnë të pendohen, mirëpo ka të tillë që edhe mendojnë për një gjë të tillë. Dhe, sa po t’i kthehen Allahut, dëshirojnë që të shpërlahen nga mëkatet e tyre dhe të çlirohen nga pasuria e ndaluar (haram), duke ndërtuar, për shembull, xhami për muslimanët, në të cilat do të faleshin pesë kohët e namazit.
Qëndrime të ndryshme midis juristëve islam
Pasuria e papastër mund t’ju arrijë muslimanëve përmes donacioneve dhe dhurimeve të ndryshme, duke u nisur si nga individët, ashtu edhe nga shtetet apo asociacionet dhe organizatat e ndryshme. Për shembull, në disa nga vendet perëndimore dhurohet për muslimanët një pasuri nga kamata dhe lotaria dhe kjo bëhet ekskluzivisht për ndërtimin e xhamive dhe se shfrytëzimi i tyre për qëllime të tjera është i ndaluar. Para disa vitesh kjo ndodhi në Britani të Madhe. Agjenci të ndryshme informative[1] transmetuan lajmin me titull: Muslimanët e Britanisë refuzojnë, ndërsa hebrenjtë dhe anglezët përshëndesin thirrjen e princit Çarls, që pasuria nga lotaria të specifikohet për ndërtimin e xhamive dhe faltoreve.
Pas këtij prezantimi, parashtrohet pyetja se a thua vallë mendimi, të cilin e kanë përqafuar muslimanët në Britani, pranohet edhe tek të gjithë juristët islam, apo se ekzistojnë ixhtihade dhe pikëpamje të tjera që lejojnë ndërtimin e xhamive dhe mesxhideve me pasuri të ndaluar (haram)?
Juristët islam, sa i përket kësaj çështjeje, nuk kanë ndonjë qëndrim të përbashkët. Shkaku i mospajtimeve të tyre qëndron në faktin se çështja në fjalë mund të vështrohet përmes disa supozimeve juridike, prej të cilave veçojmë:
1. Supozimi se pasuria e ndaluar (haram) është e pronarit të panjohur, andaj dhe për këtë shkak dedikohet vetëm dhe ekskluzivisht për të mirën e përgjithshme, analog me El-fej-in[2] i cili mund të harxhohet vetëm aty ku shfaqet interesi i përgjithshëm dhe nuk u jepet nevojtarëve dhe fukarenjve. Sipas kësaj, edhe xhamitë, si institucione, bëjnë pjesë në atë që përfshinë parimi i interesit të përgjithshëm.
2. Supozimi se pasuria e ndaluar (haram) është pronë e nevojtarëve dhe fukarenjve e jo edhe e institucioneve që i përfshinë parimi i interesit të përgjithshëm, andaj dhe nuk lejohet të shfrytëzohet për diç tjetër, pos që t’u jepet nevojtarëve.
3. Supozimi se pasuria e ndaluar (haram) u përket në mënyrë të barabartë si fukarenjve dhe nevojtarëve, ashtu edhe institucioneve të interesit të përgjithshëm.
4. Supozimi se pasuria e ndaluar (haram), në esencë, nuk është e papastër dhe e ndytë, porse është haram vetëm për atë që ka arritur ta përvetësoj në mënyrë jolegjitime. Sipas kësaj, në qoftë se ajo i jepet një fukarai, për të ajo pasuri do të jetë hallall e jo haram. E njëjta gjë ndodh edhe kur atë pasuri e ndajmë për ndërtimin e xhamive, kjo më nuk do të llogaritet si pasuri e ndaluar (haram).
5. Supozimi se pasuria e ndaluar (haram) konsiderohet e papastër, andaj dhe për këtë nuk lejohet shfrytëzimi i saj për ndërtimin e xhamive.
Pra, në bazë të të cilit supozim është e mundur të sillet një vendim për ndërtimin e xhamive duke e shfrytëzuar pasurinë e ndaluar (haram)? Ndaj kësaj pyetjeje, juristët islam kanë dhënë dy mendime.
Mendimin e parë e përfaqësojnë shumica e juristëve nga shkolla juridike hanefite, disa juristë nga shkolla juridike shafiite dhe Ibn Rushdi nga juristët shkollës juridike malikite. Këta e lejojnë ndërtimin e xhamive nga pasuria e ndaluar (haram) përderisa pronari i saj është i panjohur. Megjithatë, nëse pronari i pasurisë së ndaluar (haram) është i njohur, atëherë nuk është e lejuar ndërtimi i xhamive me atë pasuri, pasi që me këtë rast është obligative (vaxhib) që pasuria në fjalë t’i kthehet pronarit të saj të vërtetë dhe assesi nuk lejohet që ajo t’i jepet dikujt tjetër, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. [3]
Pasuria e ndaluar (haram) u përket nevojtarëve dhe fukarenjve
Pra, në rast se nuk njihet pronari i pasurisë së ndaluar (haram), lejohet nga ajo pasuri ndërtimi i xhamive, sepse ajo, si e tillë, i përket Bejtu-l-malit, gjegjësisht Buxhetit të shtetit islam, të cilit i takon ta shfrytëzojë atë për të mirën e përgjithshme apo për t’i ndihmuar nevojtarët. E xhamitë bëjnë pjesë në mesin e institucioneve të së mirës së përgjithshme.
Protagonistët e këtij mendimi, qëndrimin e tyre e mbështesin në argumentet vijuese:
1. Pasuria e ndaluar (haram), pronari i së cilës është i panjohur, bëhet pronë e nevojtarëve, fukarenjve dhe institucioneve që bëjnë pjesë në të mirën e përgjithshme, e që janë nën përkujdesjen e buxhetit të shtetit islam. Lloji i këtillë i pasurisë është nën pronësi të Bejtul-malit, sikur edhe çdo pasurie tjetër që nuk i dihet pronari. Bejtu-l-mali nuk pyet se prej nga vjen ajo pasuri, ashtu sikur nuk pyet edhe për mënyrën sesi është përfituar ajo. Andaj, që kur ajo pasuri del nga pronësia e atij që e ka fituar dhe kalon në pronësi të Bejtu-l-malit, ajo më nuk konsiderohet si e ndaluar (haram). Me pas, Bejtu-l-mali merr atë pasuri dhe e shfrytëzon në gjera të dobishme që lidhen me Islamin dhe muslimanët, siç janë shkollat, rrugët, xhamitë, spitalet, urat, etj. ose ua shpërndan nevojtarëve dhe fukarenjve.
2. Harami është kategori sheriatike, i cili në këtë rast e atakon atë që e ka fituar atë pasuri në mënyrën jolegale, ndërsa kjo nuk ndërlidhet me vet pasurinë. Pra, pasuria e ndaluar (haram) është vetëm metaforë përmes së cilës dëshirohet të tregohet për rrezikun e aktit të cilin e kryen pronari i pasurisë së ndaluar (haram), si dhe, në të njëjtën kohë, ta shmang atë nga përfitimi i saj përmes mënyrës jolegale. Andaj, sipas kësaj, ndonëse harami ndërlidhet vetëm me përfituesin e jo edhe me pasurinë, atëherë ai (d.m.th. harami) bie vetëm mbi përfituesin dhe është e pamundur që ai të transferohet edhe tek të tjerët.
Mendimin e dytë e përfaqësojnë disa nga juristët e shkollës juridike hanefite[4] dhe Ibn Kasimi[5] nga shkolla juridike malikite. Këta konsiderojnë se nuk lejohet ndërtimi i xhamive nga pasuria e ndaluar (haram), sepse një lloj i tillë i pasurisë, pronari i së cilës është i panjohur, në rend të parë, u përket vetëm nevojtarëve dhe fukarenjve, dhe për këtë shkak nuk lejohet që atë ta shfrytëzojmë për qëllime të tjera. Madje, Ibn Kasimi, nga shkolla juridike malikite, shkon edhe më tutje, duke konsideruar se nuk lejohet as edhe falja në atë xhami e cila është ndërtuar nga pasuria e ndaluar (haram). Asbag përcjell se Ibn Kasimi nuk falej në një xhami që e kishte me afër, për arsye se ishte e ndërtuar nga pasuria e ndaluar (haram), por shkonte tek një tjetër xhami, e që ishte më larg.[6]
Qëndrimin e tij e mbështet në argumentet vijuese:
1. Pasuria e ndaluar (haram) konsiderohet si e ndytë, andaj dhe nuk lejohet ndërtimi i xhamive me të, pasi që xhamitë duhet të mbrohen nga çdo pasuri e ndytë dhe prej çdo harami.
2. Pasuria e ndaluar u përket nevojtarëve dhe fukarenjve dhe jo institucioneve që bëjnë pjesë në të mirën e përgjithshme, andaj dhe një lloj i tillë i pasurisë nuk lejohet të shfrytëzohet për të mirën e përgjithshme, ashtu që të mos bëhet uzurpimi i të drejtë së tyre (nevojtarëve).
Mendimi i zgjedhur
Konsiderojmë se mendimi i cili nuk e lejon ndërtimin e xhamive nga pasuria e ndaluar (haram) është më i pranuar dhe më afër parimeve dhe rregullave të Sheriatit dhe atë për këto arsye:
1. Xhamitë janë të Allahut dhe Ai në shenjë nderimi dhe respekti, për nga vlera që kanë, i ka përshkruar si të Tijat.
“E drejtë e përkujdesjes së xhamive të Allahut është vetëm e atij që i ka besuar Allahut dhe ditës së mbramë e që e falë namazin, jep zeqatin e nuk i frikësohet askujt pos Allahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë).” (Et-Teube, 18) E dihet që, ajo që i përket Allahut, duhet të jetë vetëm e pastër dhe e bukur, pasi që Ai vetë është i tillë dhe nuk pranon tjetër, veçse gjëra të tilla. Pasuria e ndaluar (haram) është pasuri e ndytë, e si mundet, atëherë, nga diçka që është e ndytë të ndërtohet ajo që është e pastër?! Dihet që edhe Arabët e kohës së xhahilijetit (injorancës) ishin kujdesur gjatë rindërtimit të Qabesë se me çfarë pasurie do ta ndërtojnë atë. Ibn Hishami në Siren e tij shënon sesi Ebu Vehbi, daja i Pejgamberit a.s., kur Kurejshitët kishin vendosur ta ripërtërinë Qabenë, kishte marrë një gurë nga Qabeja dhe e kishte vendosur përsëri në vendin e vet dhe kishte thënë: “O kurejshitë, ndërtojeni atë vetëm nga ato pasuri që i keni hallall dhe mos shtini në të nga ato pasuri që janë fituar nga prostitucioni, kamata dhe në mënyrë të padrejtë.”[7]
Sipas kësaj, nëse arabët e xhahilijetit kujdeseshin që shtëpinë e Zotit të mos e ndërtojnë me pasuri të ndaluar (haram), atëherë kjo për ne është edhe më prioritare, sepse ne jemi të urdhëruar që të ushqehemi me hallall dhe të penguar që të fitojmë dhe të ushqehemi me haram. Pasuria e ndaluar (haram) le të investohet në ndërtimin e institucioneve bamirëse, poliklinikave dhe institucione të tjera që i përfshinë parimi i dobisë së përgjithshme.
2. Allahu e ndaloi përfitimin e pasuri në mënyrë të pandershme, dhe, nga ana tjetër, sikur ta lejonte ndërtimin e xhamive me pasuri të ndaluar (haram), atëherë, me këtë rast, për këtë pasuri do të ishte nder dhe mirësi. Por, megjithëkëtë, dihet mirëfilli se gjërat e ndaluara nuk mund të bëhen shkak për këtë, porse vetëm për sanksione dhe gjykime. Andaj, xhamitë duhet mbrojtur prej çdo pasurie haram, në mënyrë që pasurisë së tillë të mos i shfaqet respekt apo që të mos zë vend të respektuar.
3. Gjithashtu, pohimi se harami ndërlidhet vetëm me përfituesin e jo edhe me vet pasurinë nuk është i drejtë, sepse Allahu i Madhërishëm e ka urdhëruar Pejgamberin a.s., dhe besimtarët që idhujtarëve të mos u lejohet hyrja apo afrimi pranë Shtëpisë së shenjtë (Qabesë). Allahu i Madhërishëm ka thënë: “O ju që besuat, vërtet idhujtarët janë të ndyrë, andaj pas këtij viti të mos i afrohen më xhamisë së shenjtë. Nëse i frikësoheni skamjes, Allahu me dëshirën e vet do t’ju pasurojë me mirësitë e Tij. All-llahu është i gjithëdijshëm, është i urtë.” (Et-Teube, 26)
Sipas mendimit të shumicës së komentuesve të Kuranit, në këtë ajet mendohet mbi aspektin abstrakt (ideologjik), e jo mbi atë të papastërtisë së vërtetë të trupit dhe teshës.[8] Pra, idhujtari është i papastër në shpirtin dhe natyrën e tij, e jo në trupin dhe formën e tij, kurse pasuria e ndaluar (haram) është e papastër sipas asaj sesi përftohet dhe përvetësohet ajo, dhe jo vetvetiu.
Në qoftë se ndodh, përsëri, që muslimanëve t’u ofrohet pasuri e ndaluar (haram) dhe atë pa qenë të kushtëzuar, siç, p.sh., ajo pasuri patjetër të investohet në ndërtimin e xhamisë apo mesxhidit, në këtë rast është më mirë që ajo të merret sesa të refuzohet, sepse refuzimi i saj do të thotë që ajo të lihet në duart e armikut të muslimanëve. Shumë herë është treguar se kamata, të cilën disa nga muslimanët nuk e marrin si tepricë e depozitimit të parave, dedikohet për Organizatën botërore të Kishave, qëllimi i së cilës është luftimi i muslimanëve dhe zmbrapsja e tyre nga Islami.
Nëse ky fakt vërtetohet, atëherë absolutikisht është obligim marrja e asaj pasurie, sikur që është obligim edhe falja (lutja), sepse interesi është që ajo të merret, ndërsa mosmarrja, në këtë rast, është e dëmshme.
Marrja e pasurisë së ndaluar (haram), në këtë rast, pa dyshim, është e dëmshme, mirëpo shfrytëzimi i saj nga ana e jomuslimanëve për qëllime të luftimit të muslimanëve dhe të zmbrapsjes së tyre nga feja, është edhe më e dëmshme. Kurse, në rast se muslimanëve u ofrohet pasuri të ndaluar, duke i kushtëzuar që ajo të shfrytëzohet vetëm për ndërtimin e xhamive dhe mesxhideve, atëherë mosmarrja e saj është më e dobishme, në mënyrë që të mbrohen dhe ruhen xhamitë prej çdo lloj harami. Allahu, përsëri, e di më së miri!
Përktheu:
Mehas Alija
______________
Shënimet:
[1] Shiko gazetën e përditshme jordaneze Er-R’ej, nr.: 9281, 26.01.1996.
[2] Pasuri e cila i konfiskohet armikut nga pa luftë. Shih: Kal’axhi, M’uxhemu lugati-l-fukahai, fq. 351.
[3] Shih: Ibn Abidin, Hashijetu rendi-l-muhtari ‘aled-d-Derir-l-muhtar, 2/92; Nevevi, El-Mexhmu’u sherhi-l-Muhezzeb, 9/428; Ibn Rushd, El-Bejanu vet-tahsilu, 18/565.
[4] Ibn Abidin, vep. e cit. 2/359;
[5] Ibn Rushd, vep. e cit. 18/565;
[6] Ibid.
[7] Ibn Hisham, Es-Siretun-nebevijjeh, 1/150;
[8] Ibn Kethir, Muhtesar Tefsir Ibn Kethir, 2/135.