1.”SHNDËRRIMET”
Kryetitullit  të këtij vështrimi  a opinioni  gazete do t’i bashkëngjisim a shtojmë  tre  “nëntituj”,  të cilët logjikisht nuk janë në proces me njëri-tjetrin, po edhe me kryetitullin. Që vështrimi të mos mbetet i paekuilibruar, i paqartë dhe pa mesazh, ne më poshtë do të kërkojmë  moralin e përbashkët e të  dyfishtë.
Thonë se kur njerëzit pasurohen “jonatyrshëm a sa hap e mbyll sytë”, harrojnë gjizën, harrojnë fasulen, harrojnë ujin e përroskës së vogël të fshatit, harrojnë lurkën, opingat, harrojnë kërrabën e bariut, si për inat harrojnë fytyrën dhe sjelljen fisnike të katundarit…, ashtu (pa dashje) nëpërkëmbin historinë e burrërisë shqiptare, nëpërkëmbin zakonin dhe fjalën e butë…, atë e zëvendësojnë me atë fjalën e vrazhdë, me atë fjalën e thartë…, harrojnë të folmen a dialektin që nuk e ka çdokush, harrojnë ca porosi të të parëve të vet. Herë pas here harrojnë edhe  familjarët, ata harrojnë edhe  shokë e miq varfanjakë… dhe nuk dimë çka tjetër nuk harrojnë!?  Këta njerëz, kur kalojnë pranë teje, mbajnë mendjen, shikimin dhe kokën mënjanë…, kohë pas kohe ndërrojnë rrugën a drejtimin, që të mos takohen me ty në të njëjtin vend…, e gjithë kjo ta kujton atë punën dhe përshëndetjen e “huamarrësit”. Këtë  “zhvillim jonatyral dhe social” të njerëzve (që harrojnë), mund ta njohin vetëm ata që jetojnë në varfëri materiale të skajshme, ata të cilët janë të “damkosur nga fati i keq i tyre”, si dhe nga njerëz të cilët janë të “detyruar të familjarizohen me lëmoshën e gjithsecilit”. Çuditërisht, këta varfanjakë, haptazi  do ta paragjykojnë apo edhe do ta mohojnë moralin e solidaritetit të “milionerit, biznesmenit” po edhe të ndonjë shoqate bamirëse a humanitare, që kohë pas kohe, me rast e pa rast, “me shkak e pa shkak shtrijnë dorën e lëmoshës!?”…, ku ta dimë se a kanë të drejtë që prejardhjen e pasurisë së tyre ta shikojnë me hamendje. Disa të tjerë nga kjo shtresë (njerëz në nevojë) vazhdojnë të frymojnë edhe më tej me shpresën se një ditë, turma e atyre që kanë me “bollëk”, ndoshta do t’i ndihmojnë me një thes miell, me një iftar, me ca lek apo edhe me lecka që nuk u hyjnë në punë kalamajve të “lëmoshëtarit”! Morali i dyfishtë i të ashtuquajturve “lëmoshëtarë ramazani” do të shthuret në momentin kur varfanjakut nuk ia hapin kollaj derën, jo pse ajo derë është nën dry, por pse për njerëzit në nevojë përgjithmonë mbetet  “derë e gabuar”. Ky  është  nënçmim për njerëzit e varfër.
2.”BAMIRËSI”  a  MITËMARRËSI
Kur isha “shkollar i vogël” mbaj mend një vaki. Mësuesin tim e kishte punësuar një ish-komunist shqiptar gjegjësisht një “mirëbërës” a mitëmarrës. Ky “bamirës” për asnjë çast nuk kishte “hezituar ta paragjykojë”  mikun që e kishte punësuar. Për këtë shërbim i kishte marrë jo më pak se pesë paga mësuesi të asaj kohe. Pasi e kishte kryer këtë “detyrë morale”, ai kishte filluar të lehte rrugëve, ndejave dhe çajtoreve duke ulëritur e thënë se unë, “filan filani”, punësova mikun e familjes sime N.N.!…, por ama mos harroni se  gjithë këtë “e bëra për shpirtrat e prindërve të mi që kanë ndërruar jetë!??” Çfarë idiotësie! Eh, sikur sot ta kisha përballë do t’i parashtroja pyetjen: “Po ç’nder bëre, o idiot? Nuk bëhet nder me paratë e jetimit…, ti debil i harlisur a i papërmbajtur,  si nuk t’u ngop egoja jote prej komunisti, me telashet, mundimet a edhe me frikën e atyre që nuk guxuan asnjëherë ta shfaqin zemërimin kundër teje dhe bashkëpunëtorëve të tu komunistë!? Ish-komunisti hiqej sikur punonte shumë në mbrojtjen e të drejtave të “bashkëqytetarëve të vet, ish-komunisti që hiqej sikur bartte mbi shpinë të gjitha të këqijat e dynjasë shqiptare!?”  Ky farë ish-komunisti, në kohën e njëmendjesisë, kur donte t’ua bënte qejfin bashkëqytetarëve të vet, fillimisht ua shante fisin…, duke menduar kështu se u bënte nder. Krekosjen e bënte shqip, lavdëronte  shqip, vetëlavdërohej  shqip-“shkinisht”, spiunonte maqedonisht, gënjente shqip dhe fishkëllente “maxhupisht” (le të më ndjejnë romët). Mbaj mend edhe një detaj, për komunistin  “allafranga”. Dikur moti, kur shteti amë i shqiptarëve këtej gardhit, hapi kufijtë administrativ…, vajti të shihte “mëmëdhenë” (ata më të moshuarit se unë thoshin se ai atje shkoi me detyrë) dhe kur u kthye shtirej i zhgënjyer këmbë e krye.., nga varfëria kolektive e shqiptarëve, një varfëri që e kishte kapur për fyti çdo shqiptar, të gjithë ata që nuk e kishin përfillur këtë shpjegim të ish-spiunit, por edhe që nuk i kishin besuar komunistit, kishin përfunduar atje ku në vijimësi mbarojnë shumë shqiptarë! Unë nuk e takova më. Pasi u ktheva në vendin tim, miqtë më tregonin se komunistët e kishin pushuar nga puna…, e kishin konceptuar si zagar gjuetie, gjithsesi i padobishëm, si zagar që s’kishte takat të zinte gjahun…, si zagar që gjahut i kishte shkuar tërthorazi…, thonë se në vitet e fundit të “pleqërisë së tij të bardhë”, ishte “shndërruar në qejfli të grave të përgjithshme”, si ato “gratë” e vaktit të Ahmet Zogollit. Çfarë moral i ulët dhe i përmbytur…!?
3.”INTELEKTUALI”
Sot, fatkeqësisht, ka edhe njerëz të tillë që kur mbarojnë arsimin e lartë, pa kaluar atë të  mesmin, “preferojnë që menjëherë të ndërrojnë vendbanimin”, duke i lënë prindërit të jetojnë fill vetëm. (Njëri i kishte thënë: “Mbaroje shkollën, mos rri me fillore!??”…, këtë të thanë mua nuk ma kapi rradakja dhe thashë se mos vallë fillorja nuk është shkollë!? Hajde mendje hajde…, por ama jo me mua). Ata shpesh shtrëngohen që t’i shoqërojnë prindërit e tyre në vende publike, në rrugë, në ndeja apo edhe në hapësira të tjera. Ka edhe ca të tillë “kur marrin poste të larta, qofshin në administratë, në politikë” a gjetiu, nuk duan të “dinë” për shokët nga fëmijëria, harrojnë kolegët, harrojnë apo turpërohen t’i përshëndesin të afërmit. Mendjemadhësia e tyre prej provincialisti do t’i “detyrojë të ndërrojnë lëkurën, të ndërrojnë  karakterin për një kolltuk, për një minder a edhe për një nargjile si ajo e Ali Pashait nga Tepelena, ndryshojnë psikologjinë, komunikimin, mendjen, bajrakun, ndërrojnë din e iman dhe kur në fund s’kanë çka të ndërrojnë, atëherë u ikën nuri, bëhen çehrengrysur!”…, nuk u bëhet vonë, por edhe nuk çajnë kokën e as u ha palla për hallet e njerëzve të rëndomtë. Nëse ky nëntitull me radhë, është i fundit i këtij vështrimi, atëherë morali i saj mbetet të konceptohet i sajuar këmbë e krye.
SHPJEGIMI YNË
Skraparllinjtë për moralin e këtyre vakive kanë qëndisur dy proverba. I pari: “Nëse shala e vret kalin, atëherë fajtor është ai që ia ka ngjit kalit!?”, dhe i dyti: “Hajt, o burrë t’u rrittë mendja!” Sa herë që Mitro Çello nga Shqipëria bën shkrime satirike, aq herë i referohet asaj batute që  i dedikohet ngushëllimit, (çfarëdo qoftë ai): “Dikur moti, disa gazetarë e kishin pyetur një biznesmen: “Si u bëre milioner?”. Biznesmeni ishte përgjigjur: “Me ndihmën e gruas?”. “Si?”. Biznesmeni kishte thënë: “Isha miliarder”.
Ti, motra ime e dashur, nëse mendon se edhe me këtë shkrim të “bezdisa”, atëherë të më ndjesh.