PYETJA: Pyetja ime ka të bëjë me sadakatu-l-fitrin. Unë punoj në perendim dhe pata rastin që ditët e para të Ramazanit t’i kaloj në vendlindje. Atje, pashë se kishin nevojë shumë njerëz për ndihma. Unë përpos ndihmave tjera, ua dhashë disa të varfurve edhe sadakatu-l-fitrin për mua, familjen time dhe për disa shokë me të cilët kontaktova. Kjo pra ishte në fillim të Ramazanit. Disa më thanë se kjo nuk bën dhe duhet përsëri ta japim.A është e vërtetë se vërtet nuk bën dhe a kam vepruar diçka keq?
Dr. Bashkim ALIU
PËRGJIGJA: Çështja e nxjerrjes së sadekatu-l-fitrit një kohë të gjatë para fundit të Ramazanit, do të thotë në fillim apo në mes të Ramazanit, është shqyrtuar nga dijetarët islamë dhe për këtë çështje kanë dhënë mendime të ndryshme. Dijetarët islamë nuk janë të një mendimi për këtë çështje, gjegjësisht disa e lejojnë dhënien e sadekatu-l-fitrit bile prej ditës së parë të Ramazanit, e disa e ndalojnë dhe thuan se mund të jepet vetëm disa ditë para fundit të Ramazanit.
Me këtë rast, do të nënvizoj dy çështje me rëndësi:1- Praktika e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe e shokëve të tij ka qenë që sadekatu-l-fitri të jepet në fund të Ramazanit që të futet gëzimi në familjet e varfura në ditën e Bajramit; 2- Nuk ekziston ndonjë tekst nga i dërguari i Allahut s.a.v.s. që në mënyrë të qartë e ndalon dhënien e sadekatu-l-fitrit në fillim apo në mes të Ramazanit.
Së këndejmi, ma mirë është që të ndiqet praktika e të dërguarit të Allahut dhe e shokëve të tij në këtë çështje. Mirëpo, kush vepron ndryshe, nuk do të thotë se ka gabuar, ngase nuk ka ndalesë për këtë çështje. Thjesht vetëm praktika pa deklaratë gojore nuk nënkupton se veprimi i tillë është i ndaluar.
Për atë, ata që e japin sadekatu-l-fitrin në fillim të Ramazanit, nuk duhet ta përsërisin sepse e kanë kryer obligimin dhe nuk duhet kryer dy herë. Bile, nëse ka shkak për këtë veprim, si për shembull nevoja e madhe apo largësia e njeriut dhe nuk ka të afërm që t’ia len mjetet e sadekatu-l-fitrit t’ua jep të varfurve në fund të Ramazanit, nuk ka pengesë që të veprohet në këtë mënyrë ngase nuk ka ndalesë të qartë. Nisur nga kjo, edhe dijetarët islamë kanë dhënë mendime të ndryshme. Sikur të kishte patur ndalesë të qartë, dijetarët e mëdhej si Ebu Hanife, Shafiju etj, nuk do ta kishin lejuar dhënien e sadekatu-l-fitrit prej fillimit të Ramazanit.
 
Allahu e di më së miri.