Thonë se pronarët e medieve pamore (sidomos ato prestigjioze) shumë kohë më parë kanë “ndërtuar” një barsoletë dedikuar njerëzve të cilët janë nën vartësinë e emi-sioneve fetare, ku, pos të tjerash, thuhet: “Shikoni atë njeriun e ulur pranë televizorit. Në shikim të parë duket sikur ndërron kanalet televizive, po në fakt është e kundërta, kanalet televizive janë ato që këtij ia përbuzin rehatinë dhe, në fund, ia ndërrojnë mendjen!” Ne, që shkruajmë këtë opinion nuk do të ndërrojmë as hapësirën, po as “fiqirin”. Mbetemi të tillë, si përherë. Para se të vazhdojmë ta “shkarravisim” këtë vështrim, fillimisht do të kërkojmë ndjesë nga teologët, nëse do “fusim hundët” në profesionin e tyre.
IFTAR-i
Ne, në këtë vështrim nuk do të diskutojmë për çështje që nuk na takojnë, për çështje që nuk jemi kompetent apo të kualifikuar. Nuk do ta bëjmë këtë, sepse nëse e bëjmë këtë do të ishte kulmi i marrëzisë sonë. Ne do të mëtojmë të prekim një “dukuri që dita-ditës bëhet bajat”, një dukuri e stërngarkuar me çallëme provincialiste, një dukuri që është e mbingarkuar me tallava, shund dhe, në instancë të fundit, një dukuri që “vetëpërbuz” edhe ato pak vlera që ka…, një dukuri që hetohet vetëm në muajin e Ramazanit. Gjatë gjithë muajit të bekuar që lamë pas, u organizuan gjithandej “aktivitete rreth humanizmit dhe solidaritetit tonë kolektiv”. Për këtë qëllim, u shtruan me qindra iftare. Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe për nocionin IFTAR-i jep këtë shpjegim: Darkë që hanë myslimanët pas agjërimit të ditës në kohën e ramazanit: koha kur hahet kjo darkë (në vendet ku vepron feja myslimane). Hanin iftar. Pritnin (çelnin) iftarin. Disa iftare, kryekëput iu dedikuan njerëzve të veshur me kostumin e politikanit të vockël, disa të tjerë ministrave, një i tillë presidentit të shtetit, një kryeministrit, ca të tjera vetëm për ata me strajca të thella, disa të tjerë për besimtarët e devotshëm, disa iftare u shtruan për “autoritetet provinciale”, kishte edhe të tilla iftare (diku në Shqipëri) që shtroheshin nga “zonjat llafazane gjegjësisht nga mbesat e gjysheve telendare dhe me sjellje të shfrenuara!?” Se kjo shtruarja e iftareve ishte një “zemërgjerësi e madhe” e njerëzve me strajca a xhepa të thellë apo një çallëm dhe një katandisje (kockë e lëkurë) e radhës, ne nuk e dimë dhe, nëse vërtet nuk e dimë, atëherë as që do e paragjykojmë…, por ama se e gjithë kjo, ishte shprehje e një provincializmi të shëmtuar dhe me brirë, nuk diskutohet, dhe për këtë arsye nuk ka njeri që mund ta kontestojë.
PËR KË NUK U SHTRUAN IFTARE!?
Nuk dëgjuam që diku dhe dikush të kishte shtruar një iftar për studentët (hiq mënjanë ata të fakultetit teologjik)…, nuk dëgjuam e as nuk pamë që një iftar të ishte shtruar vetëm për skamnorë, për familjarë të dëshmorëve, për invalidët të dalë nga lufta e Kosovës, për nënat kosovare, për ato nëna që sot e gjithë ditën e Perëndisë kërkojnë një gur Drenice a Prekazi, për varret e humbura të bijve dhe bijave të tyre…, nuk dëgjuam që një iftar, po edhe të ishte modest, të shtrohej diku në hapësirat e jetimores së Tiranës…, nuk dëgjuam se diku në fshatrat e varfra të ishte shtruar një iftar…, nuk dëgjuam e as që pamë që diku u shtrua një iftar për njerëz në asistencë…, nuk dëgjuam e as pamë që diku të ishte shtruar një iftar për ushtarin me paterica, nuk pamë e as dëgjuam që diku të ishte shtruar një iftar për njerëzit me gjymtime shpirtërore dhe trupore, nuk pamë e as dëgjuam që të ishte shtruar një “sofër iftari” për ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë dhe për shumë njerëz të tjerë që, ndoshta pa të drejtë, harruam t’i përmendim në këtë vështrim gazete.
PO Ç’QËLLIM KISHIN KËTO IFTARE?
Që ky paragraf i këtij vështrimi të mos karakterizohet me ato “paragjykime mashkullore dhe kumarxhinjsh” dhe njëkohësisht autori të mos “krahasohet a edhe të mos indentifikohet me atë ibrikun ku zihet çaj anadolli” apo edhe me njerëzit e këqij, që në çdo kohë të bëjnë qepaze, do parashtrojmë pyetjen se ç’ishte qëllimi i iftareve në fjalë!? A mos vallë e keqkuptuan iftarin, a mos vallë nuk e denigruan dhe shëmtuan institucionin (fetar) siç është iftari, a mos vallë “nijeti” i shtruarjes së iftarit ishte paksa i mbrapshtë, a mos vallë i gjithë ky ekzagjerim i iftareve nuk nxori në pah të gjithë atë bajraktarizmin tonë mëhallash, a mos vallë edhe njëherë u vërtetua ajo teoria se ne toptan mbetemi një produkt dhe pjesë e asaj mendësie meskine, apo jemi një “kopje e zbehtë e mentaliteteve klanore”. A mos vallë e gjithë kjo prapësi nuk e çekuilibroi filozofinë dhe moralin e iftarit, a mos vallë të gjitha (me disa përjashtime) këto iftare u “shtruan me apo pa sebep”, a mos vallë nuk kishte mundësi që këto “sofra iftari” të shtroheshin larg syve të skamnorëve, a mos vallë nuk kishte mundësi që këto iftare të shtroheshin larg objektivit të “fotoreporterëve” të gazetave a edhe gjithfarë portalesh…, a mos vallë nuk kishte mundësi që këto iftare të shtroheshin larg syve të kalamajve të atij “arabaxhiut” të nderuar të “Bit Pazarit”…, apo thjesht e bënë për çallëm. Thonë se feja nuk duron dhe nuk pranon as çallëm, as megalomani, as ndasi, qoftë ajo morale a edhe materiale. Për fenë dhe për Perëndinë të gjithë njerëzit janë të barabartë pavarësisht se ata janë skamnorë apo të “pasur”. Nëse e gjithë kjo u bë me dije dhe me qëllime të caktuara, atëherë njerëzve në fjalë u shkon ajo shprehja proverbiale a ajo fjalë e urtë me plotë sarkazëm, ku pos të tjerash thuhet: “Shtati pyll e mendja fyll”.
Një ish i dënuar politik, disa ditë më parë në shesh të Tiranës, kishte bërtitur: “Urgjent duhet të bëhet (nëqoftëse është e mundur) klonimi i Enver Hoxhës, vetëm një tip si ai i bën zap këta birokrat të ç’mendur që mi vonojnë lekët”.., thonë se nuk e kishin “dëmshpërblyer”.
Edhe unë shtrova iftar që ishte thjesht familjar. Fatkeqësisht nuk më doli si iftari i nënës sime. Iftari i saj ishte i veçantë…, jo pse ishte i nënës, por pse ajo ishte bijë qehajaje… E veçanta e këtyre iftareve ishte se nga ato dolën me qindra fotografi që përcillnin lloj-lloj imazhesh të njerëzve që kur përtypen njëkohësisht edhe zgërdhihen me skamjen e skamnorit, si atij të Migjenit.
EDITOR
10 years ago
previous article
Gjendjet e vështira
next article
Heronjtë, hipokirtët dhe të tjerë
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago