E di, tani do të mendoni se kam shkruar diçka për politikën ditore dhe do të prisni të lexoni tekst të mbushur me mllef dhe kritika për atë se çka nuk kanë bërë politikanët për ne. Por jo, në këtë shkrim do të lexoni llumin dhe turpin që na ka mbuluar neve, shqiptarëve të Maqedonisë. Në këto dy muaj kam filluar të mendoj se ne jemi shqiptarët më të këqinj në botë, pasi përveç problemeve ditore dhe mos pjekurisë politike neve na reprezenton edhe zilia, çallami, jo modestia, xhelozia për njëri tjetrin dhe mbi të gjitha ngadalë jemi duke humbur edhe vetë kontrollin.
Si gjithmonë ne jemi duke u ankuar për procese politike por këtu nuk i ka fajet politika. Këtu i ka fajet mos zhvillimi, mos edukimi dhe mungesa e dinjitetit që duhet një njeri ta ketë. Ne nuk jemi musliman të mirë pasi gjithmonë i japim më shumë para daullexhiut se sa personave në nevojë. Ne nuk jemi musliman të mirë pasi bëjmë darsma me para të bankave ku kamatat të rëndojnë jetën dhe buxhetin familjar për 10 vite të ardhëshme. Ne nuk jemi musliman të mirë pasi nuk jemi modest dhe në çdo moment kemi si qëllim shfaqjen e asaj që nuk jemi, e jo modestia nuk preferohen në Islam. Ne nuk jemi musliman të mirë pasi japim para për t’u turpëruar.
“Filani ndërroi muzikën me 100 euro” është fraza që shumë e ëndërrojnë për veten, ti përmendet emri dhe ta zënë vendin e parë në valle. Të udhëheqin vallen për ta është njejtë si të kenë zbuluar anijen më të re kozmike ose barnat për shërimin e SIDA-s. Është jetike për ne që të na përmendet emri në darsëm. Atë moment ata janë gjithçka në atë rreth, se këngëtarja pas emrit ka lëshuar një stimulim emocional “hajde jasha”
E çifti i gjorë në atë natë është vetëm zbukurim për maskaradën e atyre që për nevoja emocionale duhet t’i tregojnë dikujt tjetër se kush çka është. Darsma duhet të jetë kurorzim i dashurisë në mes çiftit dhe fillim i rrugëtimit për ta drejtë një jete ku duhet të sundojë dashuria dhe harmonia e përcjellur me shëndetin për ta dhe për të afërmit e tyre. Darsma nuk është fushë betejë për arin, për dollarët, për eurot, për frangat, për denarët, për shërimin e komplekseve, për orgjitë emocionale, për përgojimin dhe për turpe tjera që mbi të gjitha rrumbullaksohen me arsyetimin “është traditë e adet”
Këngëtarët dhe daullexhint janë ata që përfitojnë më shumë në këtë haos kulture. Ata fitojnë për një natë, aq sa fiton mjeku për tre muaj. Ata fitojnë për një natë, aq sa një studenti i nevoiten para për të mbaruar studimet. Ata fitojnë për një natë, aq sa një të sëmuri i duhen për të realizuar operacionin e shërimit dhe shpëtimit. Ata fitojnë për një natë, aq sa një të varfërit i duhen për të larguar mjerimin. E ne jemi ato që paguajmë këngëtarin, e na dhimbsen para për të paguar doktorin! E ne jemi ato që paguajmë këngëtarin, e na dhimbsen para për të ndihmuar studentët, të sëmurët dhe të varfërit. Ne jemi shumë të çuditshëm dhe për këtë jemi në këtë gjendje sociale, ekonomike dhe politike.
E krejt kjo vjen si pasojë e mos zhvillimit kulturor, edukativ, shoqëror dhe ekonomik. Gjithçka mund të rregullohet kur do të vendosim që të largohemi nga “adetet dhe traditat” që shumë ngushtë lidhen me paganizmin, qejfet pa shije dhe jo modestinë. Dasma duhet të jetë kurorzim i të bukurës dhe të mirës mes një çifti dhe familjes së tyre, e asgjë tjetër. Lavdërimi si në fushë betejën e turpit, shërimi i komplekseve, orgjitë emocionale dhe elementet tjera të lartëpërmendura duhet të cilësohen vetëm si turp.
Si përfundim desha të shpreh gatishmërinë time për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi që të gjithë e shohim por e injorojmë. Aksionet tjera që rezultojnë modesti, rregullsi dhe normalitet në shprehjen e gëzimit familjar në darsëm janë shumë të mirëpritura për t’ju bashkangjitur atyre personave që bëjnë përpjekje për darsma normale dhe për të shprehur lumturinë dhe jo turpin(me elementet përbërëse të lartpërmendura) e me këtë ndihmojnë në zhvillimin e shoqërisë dhe shtrojmë rrugën për një ardhmëri më të shëndoshë. Mbi të gjitha ja një këshillë: pse vallë nuk marrim një iniciativë për të ndihmuar të varfërit duke vënduar një kuti ku do fusim paratë që ,,duhet” të jua japim këngëtarëve dhe daullexhinjëve?
EDITOR
10 years ago
previous article
Feja Islame me rritjen më të madhe në botë
next article
Pse e zgjodha Islamin: Muzikanti indian na zbulon
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago