Përmendorja e likuidatorit Andon Llazov Janev – Qoseto e vendosur para disa ditësh në Shkup, është ngritur mbi tokë vakëfi, e uzurpuar nga sistemi komunist viteve të 70ta të shekullit të kaluar. Ky truall që përfshin edhe kompleksin e Gjykatave, i përkiste Xhamisë Jelen Kapan, që funksiononte në atë vend rreth 500 vite, deri në tërmetin e ‘63tës. Pas dëmtimit nga tërmeti, xhamia nuk u meremetua asnjëherë, por u rrënua tërësisht në vitin 1975.
Mbi të u ndërtua kompleksi i gjykatave, ndërsa tani edhe përmendorja e Llazov Janev Qoseto, i njohur edhe me nofkën Kasapi, që shquhet për kryerjen e atentateve dhe grabitjeve të ndryshme gjatë fundshekullit të XIX. Gjatë  ngritjes përmendores nuk janë respektuar as procedurat e domosdoshme për hulumtimet arkeologjike në vendin ku është ngritur përmendorja. Ndërkohë edhe Bashkësia Fetare Islame ka mbyllur sytë para këtij keqpërdorimi të vakëfit, duke mos dalë as edhe me një reagim, qoftë verbal, kundër vendosjes së figurave kontroverse mbi vendin ku mbi 5 shekuj funksiononte xhamia Jelen Kapan. Nga ana tjetër, një tjetër tokë vakëfi, të cilën BFI-ja u zotua ta mbrojë deri në fund, tashmë është humbur. Mbi vendin e Burmali Xhamisë në Qendër të Shkupit po merr pamje hoteli i filluar nga investitori grek. Pavarësisht paralajmërimeve për protesta dhe masa të tjera për rikthimin e Burmali Xhamisë, BFI-ja duket se ka hequr dorë edhe nga ky vakëf.