Kjo ishte porosia, që i dha perandori Wilhelm II nipit të vet, princ Vidit, kur në vitin 1914 u nis drejt Shqipërisë. “Ndoshta në momentet e zbarkimit në portin e Durrësit, këto fjalë paralajmëruese të xhaxhait të tij të madh, i kishin mbetur vath në vesh të tij”.
Miqtë e mi të nderuar, ndonëse unë me profesion nuk jam historian, do të kërkoj falje nga njerëzit të cilët merren me studimin e së kaluarës njerëzore. Do të bëj përpjekje që në këtë shkrim gazete të radhës assesi të mos e zvetënoj hisen dhe kontributin që i kanë dhënë dhe që i japin ndriçimit të antropologjisë humane dhe emancipimit të çështjes së kauzës shqiptare. Fillimisht shkrimin do ta nis me një kalorës të vonuar shumë të “katandisur” (që më pastaj të vazhdoj artikulimin e kryefjalës), i cili realitetit tonë politik ia ka hedhur sytë së prapthi. Se është i marrë, i marrë është, dhe këtu nuk ka vend për të dyshuar dhe diskutuar, se “është syrtyk”, është “syrtyk” me tamam, edhe këtë e dimë dhe të tjerët e dinë, se është paksa i vonuar në zhvillimin mendor, është  goxha i vonuar, se është bërë pronar i deleve të qehajait, edhe këtë e dimë, se i qeth delet dhe leshin e tyre e shet për lesh…, se ua rrjep lëkurat edhe këtë e dimë, se dikur e hiqnin zvarrë si ata zagarët e pashait…, se për nga fjalori duket si debil…, se për nga veshja duket si çun Stambolli, për nga këpucët si aga Anadolli…, se në “fiqir” duket si shpellar dhe trap…, edhe këtë e kemi si informacion, por ama se do ta “thante atë gotën e mbushur me ujin e Skraparit”, me një frymë dhe me një gëlltitje, lëre që hiç nuk ma kapi “fiqiri”, por edhe nuk doja të besoj. Jo se kishte “takat” (atë moti kohë e kishte lënë), por pse e bëri me inat dhe për inatin tim…, kishte marrë ca “habere” se unë kisha hequr dorë nga kjo e keqe. Më tha – nëse je burrë nuk do të thotë se je mur prej “qerpiçi”…, ia ktheva – nëse nuk jam burrë mund t’i “kthehem origjinës dhe identitetit!?”. Dhe, papritur ky kalorësi i vonuar, shpërtheu njësoj si ai “budallai” që padrejtësisht dhe i paftuar merr vend në ndejën e njerëzve të urtë. Mbase këtë shpërthim e ka të trashëguar. Historia e këtij “syrtyku” nuk është i veçantë…, me një të tillë shpërthim do të karakterizohen edhe ca shqiptarë të cilët dikur moti mëtuan të bëjnë politikë!?
Historia jonë shekullore shpjegon a lakon edhe këtë fakt: shqiptarët, sa herë që shpërthejnë dhe rebelohen, aq herë e përjashtojnë dhe e nëpërkëmbin qetësinë dhe urtësinë, aq herë e anashkalojnë tolerancën, aq herë i ngatërrojnë parimet dhe aq herë shtrembërojnë buzët, sa herë do të shpërthejnë, aq herë do të ngatërrojnë mendimet a atë filozofinë puro shqiptare.
Shpërthimi i parë i shqiptarëve do të hetohet “…, më datë 21.2.1914, kur  në një banket të madh (diku në një cep të Evropës “hileqare”), shoqëruar me muzikë dhome me pjesë të Vagnerit e Çajkovskit, u bë celebrimi i pranimit të fronit shqiptar nga ana e Princ Vidit. Një orë më parë, një delegacion prej 18 shqiptarësh, të cilët përfaqësonin zona të ndryshme të Shqipërisë, kishin ardhur për t’i vënë Princ Vidit kurorën e vendit të tyre. Princ Vidi e pranoi kurorën dhe u bë praktikisht mbreti i Shqipërisë. Pas 180 ditësh çdo gjë do të mbaronte. Por periudha kur ai u ngarkua të bënte një detyrë të tillë, korrespondoi me zhvillimin e ngjarjeve të rëndësishme për kohën në Ballkan…”
Se kjo ishte një diletantizëm dhe një marrëzi politike e parë dhe e fundit nuk ishte. Sot, të thuash se në atë kohë Shqipëria nuk kishte një figurë politike që do të udhëhiqte vendin, do të ishte një marrëzi. Kjo marrëzi nuk ishte e fundit. Një e tillë me shumë gjasa do të përsëritet së shpejti në rastin e institucionit qendror, siç është rasti i bankës së Shqipërisë, ku kohë më parë ndodhi ajo “hajdutëria çerekshekullore”…, si dhe çështja e guvernatorit të Bankës në fjalë. Gjithandej diskutohet a lakohet emri i një trashëgimtari të Ardian Fullanit!? Për këtë dhe arsye të tjera, me të drejtë nga ana e Presidentit do të vijë një shpërthim zemërimi, me çka sipas tij duhet të shuhen përfundimisht shpresat për një guvernator të huaj për bankën e Shqipërisë. Tekefundit, Kushtetuta parashikon që në krye të bankës shqiptare duhet të qëndrojë një guvernator shqiptar dhe jo i huaj. Parashtrohet pyetja a mos vallë edhe pas 102 vjetësh, na duhet një Princ Vid, i cili do të ulet këmbëkryq në kryeminderin e thesarit shqiptar, a mos vallë ky guvernator “jabanxhi” do t’i shërbejë bankës apo do ta sundojë atë, a mos vallë Shqipëria, sot nuk ka “burra, gra dhe vajza a djem të aftë për të marrë në dorë fatet e vendit”, a mos vallë shqiptarët edhe sot e kësaj dite duhet të konsumojnë gjellët e kuzhinave politike të së shkuarës, të asaj të Konferencës rospi të Londrës, a mos vallë nuk ndërgjegjësohemi e të themi se ato vakte për ne shqiptarët ishin disfatiste, a mos vallë ato vakte nuk janë të tejkaluara e të harruara.

 
Të thuash se njerëzit që hedhin këto ide a propozime për institucionin e guvernatorit janë “axhami”- nuk janë, të thuash se vrapojnë pas pushtetit – vrapojnë…, por ama të mos thuash se e gjithë kjo është budallaki, atëherë vetë je budalla.
Shpërthimi i fundit u hetua para 9 muajsh, kur me një vendim të posaçëm të Ministrisë së Arsimit u ngrit Komisioni për rishkrimin e historisë së sistemit    parauniversitar në Shqipëri. Kryetar i këtij Komisioni u emërua Paskal Milo, një ish-diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Kjo ide është vërtet humane dhe emancipuese, por ama që kaptinën e Luftës Nacional-Çlirimtare a periudhën e komunizmit në Shqipëri do ta shkruajë historiani gjerman, Fisheri (jo Princ Vidi), është jashtë çdo logjike. A mos vallë prapë të huajt do të na e shkruajnë historinë…, a mos vallë këndvështrimi i tyre do të jetë më “objektiv” se yni, a mos vallë ata nesër nuk do të akuzohen për “njëanshmëri” apo, në instancë të fundit, do t’u themi “faleminderit që edhe kësaj radhe ndërmjetësuat a futët hundët në punët tona dhe që na e shkarravitët të kaluarën tonë pavarësisht si ishte ajo!??”. Të gjithë ata që do t’i besojnë kësaj ideje a këtij propozimi, o janë të marrë, o janë “hyzmeqarë të pagdhendur”, o janë “topallë mendorë”. Kjo mesele i vjen njësoj sikur ujkut t’ia varësh në qafë mëlçitë e qengjit…, dhe ti, vëlla i dashur, mendon se ujku nuk do t’i hajë ato mëlçi.
Thonë se çdo “tenxhere” kërkon kapakun e vet, pavarësisht se çfarë çorbe zihet në të…, qoftë ajo të jetë e fukarasë a e pasanikut, qoftë evropiane a shqiptare.