Anglo-amerikani John O’Keefe dhe çifti norvegjez May-Britt dhe Edvard Moser kanë fituar çmimin Nobel për Mjekësinë këtë vit, gjatë ceremonisë që u bë mbajt ditën e hënë dhe që jepet për zbulimin e sistemit të pozicionimit të brendshëm të trurit, gjë që ndihmon qeniet humane të gjejnë rrugën e duke dhënë të dhëna për mënyrën se si krizat apo Alzheimeri ndikon në tru. 
Asambleja e Nobelit, që vlerëson këtë çmim me 8 milionë korona suedeze (1,1 mln dollarë), tha përmes një njoftimi në Institutin Karolinska të Suedisë se zbulimi në fjalë zgjidhi një problem që kishte pushtuar filozofët dhe shkencëtarët prej shekujsh.
Si e krijon truri hartën e hapësirës që na rrethon dhe si mund të lëvizim e të gjejmë rrugën përmes një mjedisi kompleks?
Ole Kiehn, një anëtar i komitetit të Nobelit dhe profesor në Departamentin e Neuroshkencës në Institutin Karolinska, tha se 3 shkencëtarët zbuluan “një GPS të brendshëm, i cili bën të mundur të kuptojmë se ku ndodhemi dhe se si e gjejmë rrugën tonë”.
O’Keefe, tashmë drejtor në qendrën për sjelljet dhe qarqet nervore në Kolegjin universitar të Londrës, zbuloi përbërësin e parë të sistemit pozicionues në vitin 1971, kur ai gjeti se një tip qelize nervore në rajonin e trurit, i quajtur “hippocampus”, ishte gjithnjë i aktivizuar kur një mi ndodhej në një vend të caktuar në një dhomë.
Duke parë që edhe qëliza të tjera nervore aktivizoheshin, kur miu spostohej nëpër pozicione të tjera, O’Keefe doli në përfundimin se këto “qeliza vendndodhjeje” formonin një hartë të dhomës ku lëvizej.
Në vitin 1996, Edvard Moser dhe May-Britt Moser, të cilët janë të martuar dhe punojnë në institutet shkencore të qytetit norvegjez të Trondheimit, punuan me O’Keefe për të mësuar se si t’i regjistronin aktivitetin e qelizave në “hippocampus”.
Afro një dekadë më parë, ekipi Moser zbuloi qelizat në rajonin “entorhinal” të korteksit në trurin e minjve, që funksiononte si një sistem navigimi. Këto të ashtuquajtura “qeliza rrjetë” të zbuluara prej tyre, punojnë vazhdimisht për të krijuar një hartë të botës së jashtme dhe janë përgjegjëse për njohjen e vendndodhjes së kafshëve, njohjes së vendit ku kanë qenë dhe se ku po shkojnë.
Zbulimi, një pjesë fundamentale e kërkimit, shpjegon se si punon truri, por nuk ka implikime të menjëhershme për ilaçe të reja, për sa kohë nuk përcakton një mekanizëm veprimi.
Por, njohja e sistemit të pozicionimit të trurit mund të ndihmojë gjithashtu të kuptohet se çfarë e shkakton humbjen e vetëdijes hapësinore në pacientët në krizë, apo atyre me sëmundje shkatërrimtare për trurin, si dementia, prej së cilës forma më e njohur është Alzheimer, e që prek 44 milionë njerëz anembanë botës. / Top Channel