Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon ka thënë së Shteti i Palestinës do të bëhet pjesë e Gjykatës Ndërkombëtare Penale më 1 prill, përfshirje kjo e cila i mundëson Palestinës që të padisë Izraelin për krime lufte.
“Statuti për shtetin e Palestinës do të hyjë në fuqi më 1 prill 2015,” tha Ban Ki-moon në një njoftim të publikuar të martën në internet në portalin e koleksionit të marrëveshjeve të OKB-së.
Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë është themeluar në vitin 1998 si gjykatë e instancës së fundit për ndjekjen penale të veprave të rënda të tilla si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në rastet kur gjykatat vendore dështojnë.
Presidenti Palestinez Mahmud Abbas traktatin e nënshkroi të mërkurën e kaluar, bashkangjitur 16 marrëveshjet ndërkombëtare. Në shenjë hakmarrjeje, qeveria izraelite bllokoi transferimin e rreth 125 milionë dollarëve në të ardhurat e taksave të mbledhura në emër të Autoriteteve Palestineze, veprim ky, i kundërshtuar nga Uashingtoni.
Anëtarësimi në gjykatën e përhershme për krime lufte në botë do të thotë që palestinezët mund t’i referohen prokurorit për veprimet specifike të Izraelit dhe të kërkojnë që ato të hetohen. Burime palestineze thonë se do të përqendrohen në ndërtimin e paligjshëm të vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, si dhe ofensivën ushtarake të verës së kaluar, në të cilën mbetën të vrarë më shumë se 2.160 palestinezë në Rripin e bllokuar të Gazës.