Bashkim Aliu
Fillimi i Janarit të vitit 2015, u shoqërua nga një ndodhi e cila e tronditi jo vetëm Francën, por edhe opinionin botëror, dhe u cilësua si jashtëzakonisht trishtuese nga të gjitha mediumet dhe ata të cilët e kanë përjetuar, apo e kanë ndjekur përmes ekraneve televizive.
Është e qartë se skenat e përleshjes nëpër rrugë të vendbanimeve, kudo që të jenë, janë pamje tronditëse, dhe mbjellin frikë e tmerr tek njerëzit, por, ajo që po ashtu duhet nënvizuar është se tronditëse janë edhe shkaktarët e këtyre skenave tronditëse, e që një prej këtyre shkaktarëve është edhe abuzimi me lirinë e shtypit dhe provokimi i ndjenjave fetare, në emër të lirisë së shtypit.
Tradita profetike na mëson të kundërtën e reagimit të dhunshëm ndaj fyerjeve, ofendimeve, kundërshtimeve, kontestimeve dhe mospajtimeve. Nëse kthehemi në jetëshkrimin e të dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit s.a.v.s., do të shohim se fyerjet i janë bërë atij që herët, dhe ai ka përjetuar ofendime, nënçmime, bile edhe dhunë fizike nga kundërshtarët. Megjithatë, reagimi i tij nuk ka qenë ofendues dhe i dhunshëm, por, ka qenë i nivelit më të lartë human, i butë, i mëshirshëm dhe i përgjegjshëm, që është dëshmi e fortë se ai nuk ka punuar për unin e vet, por ka punuar që ta çon në vend misionin hyjnor, gjegjësisht ka qenë i dërguar mëshirë për botërat. Në rastin e shkuarjes së tij në qytetin e Taifit, dhe pritjes arrogante dhe të dhunshme që iu bë, ofendimeve dhe dhunës fizike që u ushtrua mbi të nga banorët e Taifit, ne lexojmë shembullin më të lartë të të dërguarit të mëshirës, paqës dhe humanitetit. Edhe pse banorët e Taifit e pritën shumë keq, dhe u sollëm ndaj tij në mënyrën më vullgare, Muhamedi s.a.v.s., edhe pse e pati rastin t’u hakmerret dhe të lutet kundër tyre, nuk e bëri këtë, por në të kundërtën, u lut për udhëzimin e tyre dhe ndihmën e tyre për të dalë nga injoranca ekstreme e cila i kishte kapluar. Ky ka qenë reagimi i të Dërguarit të Allahut ndaj atyre të cilët e ofenduan dhe ushtruan mbi të dhunë fizike, dhe rrugën e tij duhet ta ndjekin ata të cilët thirren se i besojnë atij dhe i takojnë umetit-popullit të tij. Ndërkaq, ushtrimi i dhunës në emër të dashurisë ndaj profetit, është larg rrugës dhe metodologjisë së besimit dhe veprimit të Muhamedit s.a.v.s. Ai nuk vrau dhe nuk thirri për vrasje të atyre të cilët e ofenduan, dhe as që ushtroi ndonjë formë tjetër të dhunës. Së këtejmi, është e pa drejtë që aktet e dhunës ndaj njerëzve të ambalazhohen me dashurinë ndaj Muhamedit s.a.v.s., ngase kjo nuk ka qenë natyra e veprimit dhe besimit të tij. Ka të ngjarë, që ata të cilët thirren në emër të dashurisë ndaj tij, dhe që ushtrojnë dhunë nën këtë moto dhe thirrje, të jenë argatë të tjerëve, të cilët e dëmtojnë rëndë Islamin, e nuk i ndihmojnë gjësend kauzës islame. Bile, mënyra e veprimtarisë së tyre flet se ata janë më afër mënyrës së veprimit të atyre që e kundërshtonin vetë Muhamedin s.a.v.s. kur ai jetoi dhe e zhvilloi veprimtarinë e tij si i dërguar i Allahut të Madhërishëm. Megjithatë, nuk duhet harruar se, tronditëse janë edhe lojrat e manipulimit me ndjenjat fetare për të arritur qëllime të errta, të cilat mund të jenë pika kyçe në planet strategjike të palëve të ndryshme. Dhe po ashtu, është mjaft tronditës shndërrimi i lojës me gjëra të shenjta për njerëzit, në mjet profiti dhe shitje të produkteve, siç mund të thuhet për rastin e revistave satirike të cilat përqeshjen dhe talljen me personalitete të respektuara te bashkësitë fetare, e kanë si mekanizëm për shitjen e revistave dhe përfitimin e parave. Ky është abuzim i qartë me lirinë e shtypit dhe shprehjes.
Në këtë kontekst, tronditës është edhe akuzimi i Islamit si fe për veprimet e individëve të cilët thirren në Islam, ngase akuzat e këtilla do ta thellojnë edhe më tepër problemin, bile, edhe do të hapin probleme të reja, gjegjësisht do të hapin rrugë për lëvizjet ekstreme që të hakmerren ndaj muslimanëve kudo që të gjinden, ndaj institucioneve islame dhe familjeve muslimane, me pretekst se të gjithë ata që mbajnë emër musliman duhet të ndëshkohen, edhe pse nuk janë aktorë të dhunës. Thirrjet e disa lëvizjeve ekstreme djathtiste në Evropë dhe në Francë në veçanti, kundër emigrantëve, janë boll shqetësuese, dhe pa dyshim, tronditëse për ta.
Njerëzit duhet të jenë të përgjegjshëm dhe mos i hapin rrugë dhunës, mos krijojnë alibi me veprimet e veta abuzive, dhe mos i irritojnë njerëzit tjerë. Liria e mendimit dhe shtypit është e garantuar, megjithatë, çdo kund ka edhe kufizime, dhe nuk mund të flitet për një liri absolute, ngase atëherë preket dinjiteti i tjetrit. Liria e njërit përfundon atje ku fillon e drejta e tjetrit. Dhe kjo nuk është diktaturë dhe as logjikë totalitare, por gjykim i arsyeshëm i cili e mban kohezionin shoqëror dhe marrëdhëniet e relaksuara në shoqëritë multietnike dhe multireligjioze, në veçanti. Nuk bën aspak të nxisish për reagim të pa kontrolluar dhe të dhunshëm, vetëm për të patur alibi ta mallkosh dhunën. Dhuna mallkohet edhe pa u provokuar, por, më e mira është të parandalohet, që mos shkaktohen plagë të shumta në shoqëri. Askush nuk ka të drejtë që në emër të mbrojtjes së ndjenjave fetare të vret dhe të bëjë veprime të pa pranuara sipas asnji logjike fetare, por, edhe askush nuk ka të drejtë që në emër të lirisë së shtypit dhe mendimit, t’i provokojë tjerët, ashtu që provokimi dhe nxitja, mund të shkaktojnë pasoja të kobshme për shoqërinë. Dhe tash kush është fajtor, i pari, apo i dyti? Të dytë kanë faj, por pamjet tronditëse dhe trishtuese të të parit, i ka nxitur i dyti. Kjo nuk është justifikim i dhunës. Jo, në asnjë mënyrë, ngase dhuna është e pa justifikueshme, dhe siç u pa më lartë, vetë i dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi s.a.v.s., nuk ka thirrur në dhunë për shkak fyerjeve dhe ofendimeve që i janë bërë. Por, kjo është thirrje që të eliminohen shkaqet të cilat çojnë në pasoja dhe rezultate të këtilla të trishtueshme. Nuk është e shëndetshme që nën trysninë e momentit, të gjykohet vetëm për pasojat, por jo edhe për shkaqet. Krahas dhimbjes së momentit, nuk duhet neglizhuar shkaqet, ngase shkaqet gjenerojnë pasoja të rrezikshme.
Për atë, me pak fjalë mund të themi se tronditëse ishin pamjet në rrugët e Francës, dhe tronditëse kanë qenë, edhe pse nuk janë vërejtur, qëndrimet ndaj të drejtave fetare në institucionet zyrtare n Francë, dhe tronditëse është abuzimi me lirinë e shprehjes dhe shtypit. Problemet nuk zgjidhen me veprime kozmetike, por me pastrimin e problemit në thelb.
Megjithatë, duhet theksuar edhe atë se, pamjet tronditëse, nuk janë risi e këtij viti dhe as e territorit ku ndodhën ngjarjet e fundit. Pamjet tronditëse e shoqërojnë njeriun e kësaj kohe, që nuk don të thotë se nuk i kanë shoqëruar edhe njerëzit e kohëve të mëparshme, në çdo vend. Tronditës ishte raporti rreth mënyrave se si Shërbimi Sekret Amerikan CIA ka marrë në pyetje të dyshuarit si terroristë, pamjet nga keqtrajtimet në burgun Ebu Gurejb në Irak, pamjet nga keqtrajtimi i të pa dënuarve nga gjyqi në Guantanamo, vrasjet e shpeshta “me gabim” të njerëzve në dasma në Afganistan, vrasja e civilëve nga aeroplanët në Mali, masakrat ndaj muslimanëve në Afrikën Qëndrore, Mijanmar, e gjetiu. Të gjitha këto janë pamje tronditëse, dhe viktimat e pamjeve tronditëse në Francë nuk janë më meritor për keqardhje se sa viktimat e vendeve tjera. Të gjitha viktimat dhe të dhunuarit meritojnë keqardhje për atë që u ka ndodhur, dhe dhuna, kudo që të ushtrohet, duhet të dënohet. Tronditja duhet të jetë rezultat i dhunës, krimit dhe masakrave, e jo i vendit dhe njerëzve mbi të cilët kryhet.
Dhuna duhet t’i trondit edhe shpirtërat e njerëzve të shërbimeve sekrete, ngase edhe ata janë të gjinisë njerëzore, edhe pse janë punëtorë të shërbimeve të këtilla. Jeta e njerëzve nuk guxon të shndërrohet në mjet konsumi për planet strategjike dhe gjeopolitike.
EDITOR
10 years ago
previous article
A është blasfemia art ?
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago