Një sistem operativ, tre mënyra të ndryshme instalimi. Nëse keni menduar të eksploroni sistemin më të fundit operativ të Microsoft-it, Windows 8 dhe jeni të pasigurt për mënyrën se si dëshironi ta provoni, atëherë do t’ju duhet të shpenzoni disa minuta për të vlerësuar opsionet e mundshme që keni para se të ndërmerrni hapat e para në përvojën e Windows 8.
Pasi ta keni blerë, keni tre mënyra për ta instaluar:
1. Ta instaloni si një makinë virtuale mbi sistemin tuaj operativ ekzistues
2. “Dual-boot” përkrah sistemit tuaj operativ ekzistues
3. Instalimi i plotë (ta hiqni sistemin tuaj operativ ekzistues)
Windows 8 në një makinë virtuale
Një nga mënyrat më të thjeshta për të eksperimentuar me Windows 8 është ta përdorni atë pa prekur sistemin tuaj operativ duke e instaluar atë në një makinë virtuale. Për ta bërë këtë, mund të blini programe që e realizojnë ose një opsion pa pagesë është VirtualBox.
Instalimi i Windows 8 në VirtualBox
Një softuer VM (virtual machine) ju lejon të instaloni sistemin operativ dhe ta përdorni atë brenda sistemit tuaj operativ ekzistues, pra në një farë mënyrë si një version virtual të tij. Sistemi i ri do të ketë mjedisin e tij të veçuar nga sistemi ekzistues. Pra, gjithçka që bëni brenda sistemit virtual nuk ka absolutisht asnjë lidhje me sistemin ekzistues. Mund të fshini skedarë, të ndryshoni opsione etj.
Windows 8 virtual machine
Disavatanzhet janë në procesin e konfigurimit, i cili është i më i gjatë dhe ka më tepër hapa për instalim. Nga ana tjetër, nevojitet një procesor që suporton virtualizimin e harduerit dhe duhet të siguroheni se virtualizimi është i aktivizuar brenda BIOS-it të sistemit. Një mënyrë e thjeshtë për ta bërë këtë është të shkarkoni Microsoft Hardware-Assisted Virtualization Tool dhe ta ekzekutoni si administratori i PC-së. Nëse kompjuteri është i gatshëm për virtualizim, atëherë programi do t’ju njoftojë.
Përveç kësaj duhet të siguroni se kompjuteri juaj e kalon minimumin e kushteve të përcaktuara për harduerin (Windows 8) si dhe të jetë mjaftueshëm i fuqishëm për të përballuar dy sisteme operative aktive në të njëjtën kohë. Idealja do të ishte të paktën 3 GB RAM për secilin sistem operativ.
Sigurisht Windows 8 në një makinë virtuale nuk do të ketë 100% të njëjtën eksperiencë që do të kishit nëse do ta instalonit plotësisht. Megjithatë, kjo mënyrë ia vlen të përdoret në rastet kur nuk jeni të sigurtë nëse doni ta instaloni Windows 8 si sistemin operativ kryesor.
Dual-boot Windows 8
Në këtë rast keni mundësi që në momentin që kompjuteri është duke u hapur të zgjidhni se cilin sistem dëshironi të përdorni. Nëse nuk e keni bërë ndonjëherë konfigurimin në mënyrë të tillë, mos u shqetësoni pasi procesi është i thjeshtë.
Windows 8 dual boot
Përfitimet e dual-boot janë të dukshme: keni akses në dy sisteme operative në vend të një dhe asnjëri prej tyre nuk ndikon tek tjetri.
Disavantazhet qëndrojnë në faktin se procesi i çinstalimit të Windows 8 është tepër i bezdisshëm. Nga ana tjetër, do të zihet shumë hapësire në kompjuterin tuaj pasi secili sistem ka pjesën e vet në të. Megjithatë, nëse ju duhen të dyja sistemet për t’i përdorur gjatë punës suaj, atëherë kjo është mënyra më e mirë.
Instalimi i plotë i Windows 8
E treta dhe më e rëndësishmja është të instaloni plotësisht Windows 8 në kompjuterin tuaj duke shfrytëzuar të gjitha risitë dhe avantazhet e tij dhe duke lënë pas të kaluarën me sistemin tuaj të vjetër.
Instalimi i plotë i Windows 8 është i thjeshtë dhe i shpejtë. Fillimisht duhet të bëni backup të gjithë skedarët e rëndësishëm nga sistemi juaj ekzistues.
Më pas duhet të vendosni nëse do të bëni kalim (upgrade) nga sistemi operativ ekzistues apo nëse do të bëni një instalim (të pastër) nga fillimi. Me pak fjalë, nëse bëni upgrade do të ruhen skedarët dhe opsionet nga njëri sistem në tjetrin.
Windows 8 full
Se sa gjëra do të ruhen, kjo varet nga përzgjedhja juaj gjatë instalimit (kalimi nga Windows 7 në 8 mund të ruajë edhe aplikacionet; ndërsa kalimi nga Windows XP në 8 do të ruajë vetëm skedarët, jo aplikacionet).
Opsioni i dytë është të bëni një instalim të pastër i cili fshin jo vetëm sistemin operativ ekzistues, por njëkohësisht edhe të gjithë skedarët në kompjuter.
Përmbledhje
Windows 8 nuk është për të gjithë. Nëse jeni më tepër përdorues desktopi që ia ka marrë dorën përdorimit të Windows 7, kalimi në Windows 8 ndoshta nuk ia vlen. Nëse jeni përdorues mobile, i cili ka nevojë për akses të shpeshtë në ekosistemin e Microsoft-it, përfshi SkyDrive, Windows 8 është zgjidhja e duhur. Nëse nuk jeni të sigurt, provojeni Windows 8 me njërën nga dy mënyrat e para dhe më pas vendosni. (PCWorld Albanian)