EFA po mundohet të ringjallë kampionatin e vjetër jugosllav të futbollit dhe ta quajë atë Liga Ballkanike. Lajmi bëhet i ditur nga reporterët e “Associated Press”, të cilët kanë bërë të qartë se institucioni që drejton futbollin në Evropë po mendon të ringjallë këtë aktivitet duke krijuar një kampionat të mirëfilltë të përbashkët mes Serbisë, Kroacisë, Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi, Sllovenisë dhe Maqedonisë, ndërsa atyre mund t’iu shtohen edhe Hungaria dhe Bullgaria.
Ideja është që të ndihmohet rritja e nivelit të futbollit në këtë rajon, që ka pësuar një rënie të ndjeshme në krahasim me vitet 80’, kur lojtarë të shumtë nga Ballkani shkëlqenin në arenën ndërkombëtare.
Por është ende e pakuptueshme se si UEFA po mendon që të lërë “jashtë Ballkanit” Shqipërinë dhe Kosovën, duke organizuar një aktivitet ballkanik pa pjesëmarrjen e tyre. Ndonëse ideja do ende shumë kohë për t’u vënë në zbatim, qoftë edhe mospërfshirja në planin fillestar është një goditje e rëndë për futbollin shqiptar në përgjithësi.
Megjithatë, ideja e një lige të tillë mund t’i hapte rrugë krijimit të Ligës Mbarëkombëtare Shqiptare, kampionatit të bashkuar të futbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës, që do të ndihmonte futbollin shqiptar më shumë sesa pjesëmarrja në një turne që pritet të prodhojë tensione etnike.
Pikërisht shkalla e lartë e huliganizmit në Serbi e Kroaci ka bërë që UEFA të vazhdojë “studimin” e idesë së Ligës Ballkanike, pasi është e ndërgjegjshme se në kushtet aktuale, një aktivitet i tillë do të prodhonte më shumë dhunë sesa futboll.