U desh që të rridhte koha lumë për ta kuptuar se sa e gënjeshtërt ishte e gjithë ajo ëndërr që mbërriti në agimin e lirisë shqiptare post-diktaturë. Atëherë, shumë gjëra do të ndryshonin në të ardhshmen, por sot e kësaj dite, manipulimi publik dhe përdorimi i shtetit për qëllime personale/partiake, jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por vetëm sa është sofistikuar. Ata janë të njëjtët, të njëjtët që dje bënë thirrje për progres, me plot ngashërim si në lutje për shi në të nxehtë vere, dhe janë po këta që sot, sërish recitojnë në publik të njëjtën propagandë.
Kampion duhet të jetë Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila në këto katër vitet e fundit, është shfaqur si partia më paqësore në skenën politike publike, por nga ana tjetër, e ka përdorur më së shumti pushtetin e saj, duke përfituar edhe nga roli i rëndësishëm në qeverisje, për ta përdorur këtë pushtet dhe xhepat më të rëndësishëm të shtetit për interesat e veta (Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit e fakton këtë kur ministria e drejtuar nga kjo parti zë 60 e kosur për qind të dëmeve financiare dhe shkeljeve).
Edhe kjo thirret gjithnjë në emër të progresit dhe progresistët, ata që kanë vendosur me tërë mend për ta çuar vendin gjetkë përtej Evropës së zhvilluar (sot në krizë), e përdorin më së shumti këtë demagogji për të krijuar përshtypjen e pa soj se ata, vetëm ata punojnë në të mirë të vendit. Sigurisht edhe në vazhdim do të dëgjojmë këtë “fjalor progresistësh” me plot metonimi, për të na e mbushur mendjen edhe një herë me gënjeshtra të mëdha e me punë të vogla sa për të thënë. Jo më kot, gjithnjë e më shumë njerëz bëhen indiferentë, duke braktisur votën, e bashkë me këtë edhe shpresën se ndryshimi dhe progresi do të vijë nga ta. Edhe në këtë rast, partitë janë vënë në punë, duke blerë vota e duke blerë njerëz, e kështu duke shfrytëzuar shtetin, e duke mohuar progresin të paktën psikologjik të demokracisë. Në këtë llum pakënaqësie dhe zhgënjimi ku vetë ata që nuk duhet të na çonin, na çuan, njerëzit kanë filluar më së miri ta përdorin votën jo për qëllimin e saj, por për shitjen kundrejt interesit.
Prapë këtu, “Progresistët” luajnë rolin kryesor, të cilat me të gjitha mënyrat, sigurisht jo të ndershme dhe jo demokratike, veprojnë dhe inskenojnë ngjarje dhe histori, thjesht e vetëm për të turbulluar sa më shumë njerëz, qytetarë të pazot, të dorëzuar kundrejt shtetarëve të tyre. Në këtë dorëzim, media ndihmon për të mos turbulluar ujëra, edhe ajo për interesat e saj, e kështu, gjithnjë si dje në partinë-shtet, si sot në pluralizëm, por në partinë që mbërthen shtetin sapo të vijë në pushtet, qytetarët mbeten si gjithnjë të fundit në radhë për të parë ndryshimin e rrugës në pragun e tyre. Ama, për progresin flasin të gjithë, ashtu sikurse në komunizëm flisnin të gjithë për bollëkun, teksa të gjithë vuanin urie.
Megjithatë, sot kanë ndryshuar shumë gjëra, dhe ndryshimet më të mëdha vijnë në kohë zgjedhjesh, kur bumi i ndërtimeve të rrugëve nis krejt papritur. Sigurisht, pas tyre fillon shkatërrimi, pasi ose nuk janë bërë me cilësi, ose hapin kanale për të futur tubat e ujësjellësit. Më parë nuk iu ra ndërmend, pasi krejt mendjen e kishin tek “progresi” në media për t’iu thënë qytetarëve se çfarë po bëjnë për mirëqenien e tyre. Mbase do të jetë më mirë, kur vendi do të jetë i mbushur me autostrada, aeroporte, porte të mëdhenj, superfuqi energjetike, e shumë të tjera!
EDITOR
12 years ago
previous article
Nga Oslo, me dashuri… (Foto)
next article
Gol nga një pozicion i pamundur (Video)
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago