Forumi Rinor Islam organizoi me sukses takimin përmbyllës me bursistët e vitit akademik 2024/25 – një aktivitet reflektues dhe frymëzues që shënoi mbylljen e një viti të pasur me angazhim, edukim dhe rritje.

Takimi filloi me leximin e ajeteve kuranore nga hafiz Uvejs Murtezi. Më pas, të pranishmit i përshëndeti kryetari i Forumit Rinor Islam, Abdulhamid Mustafa, i cili theksoi rëndësinë e ruajtjes së vlerave në jetën rinore dhe rolin që kanë të rinjtë në shoqëri si bartës të shpresës dhe ndryshimit pozitiv.

Gjatë takimit u shfaq një video përmbledhëse me fotografi nga takimet mujore të zhvilluara gjatë vitit akademik. Më pas, koordinatorja e bursave, Ermira Idrizi, prezantoi ecurinë e programit të bursave.

Një moment veçanërisht frymëzues ishte fjalimi motivues i mbajtur nga Zuhri Kamberi, i cili i inkurajoi të rinjtë të vazhdojnë përpjekjet në rrugën e dijes, vlerave dhe përkushtimit shpirtëror, pavarësisht sfidave që sjell koha.

Në fund të takimit u bë ndarja e certifikatave për bursistët që kanë ndjekur me përkushtim dhe rregull takimet mujore, si një shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për seriozitetin e tyre.

Ky takim përmbyllës nuk ishte vetëm një reflektim mbi atë që është arritur, por një thirrje për vazhdimësi – për të mos e ndalur ecjen drejt vetëpërmirësimit, dijes dhe ndërtimit të një identiteti të qëndrueshëm mbi vlera të vërteta.

Shkup, 14 qershor 2025