Në kabllogramet më të reja të publikuara së fundi nga Ukiliks, janë gjendur edhe dokumente të mbajtura sekrete për situatën në Kosovë, kryesisht për atë politike.
Në këto kabllograme tregohet moskokëçarja e Hashim Thaçit si opozitar me amerikanët në Kosovë, bashkë me zyrat e tjera perëndimore. Në to përshkruhet disa herë tentimi i Kryeministrit Thaçi për të përdorur çdo lloj metode e kërcënimi për ta futur PDK-në në pushtet.
Ai nuk u mor parasysh asnjëherë, derisa i fitoi vetë votat në vitin 2007 për ta udhëhequr Kosovës, transmeton “KTV”.
Historia e Hashim Thaçit me amerikanët pas luftës nis në vitin 2001, kur ai kërkon me ngulm afrimin dhe aprovimin e SHBA-së.
Në kabllogramin e dërguar në Uashington më 11 shtator 2001, shefi i Zyrës Amerikane në atë kohë, John Menzis, i tregon qëllimet e vizitës së liderit opozitar atje.
Thaçi mendonte se ishte njeri i padëshirueshëm nga amerikanët dhe donte afrimin me ta për ambiciet politike. Menzis shpjegonte se Thaçi ishte larg Rugovës në aprovimin popullor.
“Edhe Rugova, edhe Haradinaj janë shumë të interesuar për të bashkëpunuar dhe për të pasur marrëdhënie të mira me SHBA-në, natyrisht, por asnjërit nuk i duhemi aq shumë sa Thaçit, i cili ende vazhdon të besojë se ai personalisht e ka çliruar Kosovën.
Teksa pritet të nisë fushata parazgjedhore, ai me padurim po pret ta portretizojë veten si dikush që ka lidhje me qeverinë amerikane në Uashington dhe me OKB-në në Nju Jork. Ai do të kërkojë mbështetje publike politike nga zyrtarët amerikanë”, shkruante Menzis.
Shefi i Zyrës amerikane e vlerësonte Thaçin për afrimin me serbët dhe kujtonte se i kishin thënë që lideri i PDK-së bën shaka me Rada Trajkoviçin në gjuhën serbe në KPA.
Por, në një takim me Menzis, Thaçi kishte shprehur shqetësimin për dhunën që kryesisht ishte e drejtuar ndaj zyrtarëve të LDK-së, duke e ditur se dyshimi kryesor shkonte në PDK-në e tij.
Zyra Amerikane e kishte inkurajuar që ai të përfshihej në ndaljen e dhunës.
Pas këtij kabllogrami, Thaçi nis të përmendet më shpesh vetëm në vitin 2006, me përpjekjet e vazhdueshme për të arritur pushtetin, në atë që në një kabllogram përshkruhet si “dëshirë e zjarrtë për t’u bërë kryeministër”.
Tentimin e parë për ta futur PDK-në në qeveri Thaçi e kishte bërë në qershor 2006, kur kishte kërkuar një takim me përfaqësuesit e vendeve të Kuintit në Prishtinë.
Aty ai u kishte thënë ambasadorëve të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë se qeveria LDK-AAK nuk i kishte përmbushur detyrat e veta, se vendi ishte në vakum institucional dhe se duhej krijuar një qeveri e re teknike gjithëpërfshirëse me PDK-në në të.
“Të gjithë përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit nuk ishin aspak të impresionuar me propozimet e tij”, shkruhet në kabllogramin e 15 qershorit.
Kërkesa e Thaçit kishte ardhur pas vendimit të Shefit të UNMIK-ut, Soren Jesen Petersen, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale.
“Plani i Thaçit i shërben vetëm atij. Në një sondazh të opinionit publik, që Thaçi u kujdes ta mbante të papublikuar, tregohet rënia e popullaritetit të tij dhe e PDK-së. Të kërkohet një zgjidhje e imponuar ndërkombëtare tregon dëshpërimin e Thaçit për të pasur më shumë ndikim në qeverisjen e Kosovës, sesa lejon karrigia e tij në ekipin negociator. Duke marrë parasysh reagimin me dyshime të Grupit të Kontaktit, pak simpati apo interes tregohet për propozimin e Thaçit”, thuhet në këtë kabllogram.
Një ditë më vonë, më 16 qershor 2006, Zyra Amerikane e tregon sondazhin që e nxirrte shumë keq PDK-në dhe Thaçin.
Në sondazhin e Gani Bobit, 49.8 % e votuesve përkrahin LDK-në dhe vetëm 21.2 PDK-në.
Kryeministri Agim Çeku ishte lideri më i preferuar sipas sondazhit, kurse Hashim Thaçi dilte dëshpërimisht në vendin e 15-të.
Lirim Grejqevci, këshilltar i kryetarit të PDK-së, tash ambasador në Londër, kishte thënë se sondazhi ishte manipulim i Lutfi Hazirit dhe Ramush Haradinajt që e kishin blerë Shkëlzen Maliqin për t’i ndërruar numrat.
Pak ditë më vonë Thaçi kërkoi takim me shefin e Zyrës Amerikane, Filip Goldberg. Aty ai iu shprehur shqetësimin për emërimin e pritshëm të Joachim Ruecker në postin e shefit të UNMIK-ut.
Thaçi u tha amerikanëve se Ruecker kishte udhëhequr si Shef i Shtyllës së Katërt një proces të korruptuar të privatizimit, dhe se kryeadministrator duhej të bëhej dikush me të cilin PDK-ja ndihej rehat.
Zyra Amerikane nuk ia mori parasysh shqetësimin, duke thënë se Rucker kishte bërë punë të mirë dhe se SHBA-ja nuk mund të përzihej në punët e OKB-së.
Goldberg thotë se Thaçi kishte marrëdhënie jo të mira me Soren Jessen Petersenin, për shkak të shtyrjes së zgjedhjeve lokale dhe për shkak se Peteresen nuk pranonte krijimin e qeverisë teknike me PDK-në në të, për të cilën insistonte vazhdimisht Thaçi.
Në të tjera kabllograme të vitit 2006 e 2007, Zyra Amerikane në Kosovë tregon për kërcënimet e vazhdueshme që Thaçi bënte me largim nga Ekipi i Unitetit nëse PDK-ja nuk hyn në qeveri.
SHBA-ja ia kishte bërë të qartë në disa raste, se ai nuk guxonte ta bënte një gjë të tillë, në të kundërtën do të mbahej publikisht përgjegjës për prishjen e konsensusit për negociatat për status me Serbinë.
Në fillim të 2007-s përshkruhet tendenca e Thaçit për të shfrytëzuar ndarjen e LDK-së në dy pjesë, për ta larguar AAK-në nga qeveria, dhe për ta futur aty PDK-në me LDK-në.
Paraprakisht, Thaçi kundërshtonte kandidimin e Sejdiut për kryetar të LDK-së për shkak se ishte edhe president, por ai mori garanci nga UNMIK-u se nuk kishte probleme ligjore.
Thaçi e dinte se nuk mund të bashkëpunonte me Dacin e LDD-së për ta rrëzuar qeverinë, sepse ai ishte i padëshirueshëm për amerikanët dhe bashkësinë ndërkombëtare.
Sipas Zyrës Amerikane, Thaçi do të përdorte edhe protestën vdekje-prurëse të Vetëvendosjes, për të kritikuar qeverinë dhe për të shkaktuar çarje në Ekipin e Unitetit.
Në gusht 2007 Thaçi kundërshtonte fort para amerikanëve idenë që zgjedhjet nacionale të shtyheshin.
“Të gjithë e dinë se Thaçi dëshiron të bëhet kryeministër, sidomos në kohën kur Kosova do ta shpallë pavarësinë. Insistimi i tij për zgjedhje brenda afatit kushtetues e reflekton këtë ambicie. Thaçi gjithashtu ka frikë se mund të humbasë vota në bazën e Haradinajt në perëndim të Kosovës, nëse Haradinaj lirohet para zgjedhjeve nga Haga. Thaçi gjithashtu ka shqetësime për pozicionin e tij në PDK në raport me Fatmir Limajn. Pavarësisht makinacioneve të brendshme politike, ne do ta mbajmë Thaçin përgjegjës që të mos e përdorë planin e Ahtisaarit apo statusin final për efekt elektoral”, shkruante përfaqësuesi i Ambasadës, Laskaris.
Në janar 2008, Zyra Amerikane me Kaidanow në krye më në fund mund të raportonte për Hashim Thaçin – kryeministër të Kosovës.
“Edhe pse ndonjëherë mund të jetë bashkëpunëtor i paparashikueshëm dhe të cilit nuk mund t’i besohet, Zyra Amerikane ka kultivuar marrëdhënie të forta me të dhe stafin e tij dhe ai ka premtuar se do ta konsultojë qeverinë amerikane dhe BE-në për të gjitha ngjarjet e rëndësishme”, shkruante Kaidanou.
Në këtë kabllogram ajo jepte edhe biografinë e Thaçit që e përshkruante kokëfortë dhe që nuk merrte parasysh këshilla kur ndjente se i cenohej interesi partiak.
Kaidanou gjithsesi lavdëron insistimin e pandalshëm të Thaçit për ta çuar PDK-në drejt fitores në zgjedhje dhe çmon faktin që për të mirën e Kosovës ai pranoi koalicionin me kundërshtarët e mëdhenj të LDK-së.