Diplomati dhe intelektuali i njohur shqiptar nga Maqedonia, z. Arsim Zekolli, është shprehur sot kundër sulmit të paprinciptë ndaj shkrimtarit Kim Mehmeti, me shkak disa opinione të tij për raportet midis Islamit dhe identiteti kombëtar. Duke vërejtur qëndrimin ekstrem të një ndonjë përfaqësuesi të klerit dhe inteligjencies në këtë sulm, jo kundër z.Kim Mehmeti, por kundër fjalës së lirë, Zekolli tërheq vëmendjen e opinionit kah shembujt pozitivë që nuk mund të errësohen dot nga ekstremizmi i individëve të caktuar:
deklarata e Kimit, me të cilin kam dallime në mendime për shumë gjëra, ishte puro-intelektuale, individuale dhe mendim i bazuar mbi eksperiencat reale të shqiptarëve në Shkup. Por ajo që pasoi, reagimet e Kishës Katolike në Prishtinë dhe disa intelektualëve, ishte vërtet një orgji talibaneske, nje shfryrje dhe shpërthim pervers i mentalitetit tonë të mbuluar me alla franga frazeologji që kamuflon mendjen tonë orientale alla turka. Dhe ndër ta, me vjen keq, por Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës Don Shan Zefi u soll sikur një taleban, një trashëgues i devotshëm i inkuizicionit krishter nga periudha e Ferdinand Aragonasit. Dhe m’u tani qe i posazgjedhuri Bishkopi i Romës Francesku bën një gjest aq human, një simbolikë aq ekumene sa që përkulet për të larë këmbët e disa të burgosurve, përfshirë një myslimane. Uroj dhe ftoj gjithë shqiptarët të mos lejojnë që fjalët e pamatura të Don Zefit të errësojne këtë simbolikë madhështore të Atit të Shenjtë. 
Zekolli nuk ka lënë pa përmendur edhe hipokrizinë klerikëve apo intelektualëve tanë, të të gjithë llojeve, të cilën ndërsa trimërohen nëpër kauza të parrezikshme, si kjo e fundit kundër një shkrimtari, i shmangen denoncimit e dënimit të shkaktarëve të problemeve të vërteta që heq në kurriz qytetari sot në hapësirat shqiptare.
këtu nuk cënohet e drejta e praktikimit të religjioneve, por cënohet e drejta e shprehjes së lirë. Vëreni këtë hipokrizi – sulm frontal mbi një njeri që shprehu mendimin dhe preku në sferën ekskluzive fetare, por priftërinjtë dhe hoxhallarët, përfshirë dhe shumë intelektualë akademikë tanët, ca nuk i dëgjoni të marrin guxim dhe të përmendim së paku, me emër dhe mbiemër, adresa të sakta, ata që korruptuan dhe kriminalizuan mendjen tonë kombëtare, në majën e gishtit të tyre akuzues nuk do gjeni asnjëherë asnjë kryeministër apo ministër. Më tregoni nje Ipeshkv, nje Imam që morri guximin të sulmon udheheqësit politik shqiptar në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri për amoralin që politika e tyre e ka mbjellë anembanë kombit përmes korrupcionit dhe krimit që tani qelbos vetë trungun mbi të cilin mbahen ende tri fletat e trëndelinës. Faji i Kim Mehmetit është që në bel nuk mbanë revole dhe nuk është i pasur, se përndryshe askush nuk do reagonte, as që do ti shkonte mendja të sprovon trimërinë.
Për çfarë religjione, çfarë fesh, po bile edhe çfarë ateistësh folim kur prijësit e bashkësive fetare buzëqeshin veshum-vesh kur fotografohen me lider politik të korruptuar deri ne fyt dhe japin “indulgacione” dhe “falje mëkatesh”. Dhe pastaj hypin paturpësisht mbi minare dhe para altareve mbajnë ligjerata që të jemi të devotshëm, modest, të sakrifikojmë dhe durojmë.
Për çfarë fe dhe devotshmëri bisedojmë kur Kosova zhytet ne korrupcion të paparë, kur Shqipëria çdo ditë tronditet nga vrasje monstruoze, kur në Pollog  lulëzojnë shtëpi publike dhe Shkupi i vjetër lëngon nga një grusht kriminelësh që të vetmin Zot e kanë paranë? Skaj kësaj gjendje, mund të thuhet se dallimet mes udhëheqësve fetarë tanë është vetëm në simbolet e lluksit – zyrtarët mysliman preferojnë Mercedes, Ortodokset BMW dhe Katolikët Audi.
Intervistën e plotë e gjeni këtu.
http://www.e-zani.com/2013/04/16/trendelina-fetare-po-amniston-kriminalitetin-politik/