Kryebashkiaku i Dubrovnikut Andro Vllahushiç dhe kryetari i Bashkësisë Islame në Kroaci, myftiu Aziz ef.Hasanoviç kanë nënshkruar një marrëveshje me të cilën qyteti i Dubrovnikut dhuron 99 mijë kuna për rregullimin e objektit në Gruzh, ku do të vendoset Bashkësia Islame.

Fjala është për ish objektin 380 metra katrorësh, i cili ndodhet në adresën “Radnička 4”, me përdhesë dhe kat të parë. Përveç kësaj, kryebashkiaku tha se komuna është duke i ofruar mbështetje logjistike Bashkësisë Islame në realizimin e këtij projekti, dhe bëri të ditur se në Dubce do të zgjidhen edhe 160 vende për varrezë muslimane.

“Dubrovniku është një shembull që tregon se si një komunitet integrohet në shoqëri. Kjo dhuratë e qytetit për bashkësinë islame është konfirmim i marrëdhënieve tona të mira. Falënderoj kryebashkiakun dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë akt, i cili është një akt historik, dhe emri i kryebashkiakut Vllahushiç do të hyjë në historinë e bashkësisë islame në Kroaci i gdhendur me shkronja ari”, tha Myftiu Hasanoviç.

Ai theksoi se ky është një shembull për Kroacinë, por edhe për Bashkimin Evropian, në të cilin Kroacia synon të hyjë.

” Me të vërtetë Dubrovniku është shembull i integrimit të komunitetit islam në adresimin e çështjeve jetësore”, tha Hasanoviç.

Është planifikuar që në gjashtë muajt e ardhshëm hapësira, që aktualisht është e braktisur, të aktivizohet, tha kryetari i Bashkësisë Islame në Dubrovnik Haris Bilanoviç, duke shtuar se nuk bahet fjalë për një xhami, por për një qendër shoqërore, ku do të zhvillohen aktivitetet kulturo-fetare të Bashkësisë Islame të Dubrovnikut.

Imami i Dubrovnikut Salkan ef.Heriç tha se ideja për një qendër islame në Dubrovnik, e kziston që nga viti 1939.

Përndryshe, blerja e objektit dhe rinovimi i tij do të kushtojë rreth katër milion kuna./igj/