Hulumtimi i Qendrës për analiza ekonomike shqyrton dy skenare të mundshme për atë se në çfarë drejtimi mund të shkojë Maqedonia në aspekt të ngarkesës me borxh, dhe në të dyja nuk paralajmërohet optimizëm.
 
 
A e dijnë qytetarët se si dhe për çka harxhohen 2 miliardë dhe 400 milionë euro para buxhetore për çdo vjet? Ekspertët e kyçën alarmin se Maqedonia është njëra nga vendet që kanë nivel të ulët të transparencës në menaxhimin e financave publike dhe se ky model i dozimit të informatave e çojnë ekonominë në krizë të ngarkesës me borxhe.
Profesoresha Shenaj Haxhimustafa, njëra nga krijueset e Hulumtimit më të ri të Qendrës për analiza ekonomike, për “Portalb”-in thotë se qeveria nuk ofron transparencë.
“Ne kemi situatë të transparencës së ulët fiskale për shkak se nuk janë në dispozicion disa dokumente që kanë të bëjnë me politikën fiskale në një periudhë të caktuar kohore. Maqedonia shënon rënie sa i përket transparencës, për dallim nga vendet e zhvilluara ku ky indeks është dukshëm më i madh, gjegjësisht ka korelacion ndërmjet transparencës fiskale dhe përqindjeve më të larta të rritjes ekonomike” – thotë profesoresha Haxhimustafa.
Mu informatat jo të plota për harxhimet buxhetore janë njëri nga faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e borxheve të shtetit. Marijan Nikollov nga Qendra për analiza ekonomike thotë:
“Buxhetet janë instrumenti më i fuqishëm i qeverive që t’i plotësojnë nevojat dhe prioritetet e shtetit dhe të qytetarëve. Prandaj edhe buxhetet janë me interes për obliguesit tatimorë, me ç’rast ka detyrim ligjor për vënie në dispozicion të informatave që kanë të bëjnë me sjelljen e buxhetit në të gjitha fazat” – thotë Nikollov.
Sipas një analize të Fondit monetar ndërkombëtar, si faktorë për rritjen e paparashikueshme e borxhit publik, madje 23% është rezultat i informatave jo të plota, pastaj 37% ndodh për shkak të nënçmimit të ndikimit të shokut, ndërsa 18% është rezultat i politikave diskrete të qeverisë.
Se nevojitet rritje e transparencës në harxhimin e parave buxhetore paralajmëroi edhe Ivana Vlladkova Holar, shefe e Misionit të FMN-së në Maqedoni, e cila kërkoi nga qeveria të përgatisë strategji për menaxhim me borxhin publik, mekanizëm ky nëpërmjet të të cilit do të përcillen marrjet e huave dhe pagesa e tyre.
“Strategjia për borxh publik është e domosdoshme që të dihet qëndrueshmëria fiskale e vendit. Varësisht nga ndryshimet në mjedisin ekonomik do të mund të planifikohet kalkulime përkatëse dhe me kohë sa i përket hapësirës fiskale të borxhit publik” – sqaron profesoresha Haxhimustafa dhe shton:
“Vlerësimet dhe rekomandimet e FMN-së janë reale dhe organet përkatëse duhet me seriozitet të madh t’i analizojnë dhe t’i implementojnë ato në politikën fiskale, në ç’mënyrë Maqedonia nuk do ta rrezikojë aftësinë e saj të pagimit” – thotë ajo.
Se menaxhimi i 2,4 miliardë eurove është punë tërheqëse, por edhe me përgjigjësi – thekson edhe Nikollovi.
“Sfidë kryesore për qeverinë është si të menaxhojë me financat publike në kushte të hapësirës së zvogëluar fiskale dhe kur tashmë nevojitet përshtatje buxhetore, mund të veprohet në aspekt të të hyrave, të dalave ose duke e menaxhuar borxhin publik. Por këtu është shumë me rëndësi që përqindja efektive e kamatës të jetë në drejtim të qëndrueshëm. Sa më shumë që rritet borxhi si përqindje e PBB-së, aq më tepër kreditorët do të marrin premi më të lartë për rrezikun, gjegjësisht për kamatat. Shpresojmë se strategjia e re fiskale, të cilën e paralajmëroi ministri i financave do të jetë me kualitet më të lartë dhe më afër kornizës fiskale afatmesme” – deklaroi Nikollovi.
Maqedonia shkon drejt “vijës së kuqe”
Sipas vlerësimeve të ministrave të mëparshëm për financa, ish-guvernatorëve dhe akademikëve aktualë, borxhi i përgjithshëm publik i qeverisë është shumë më i madh se sa ai që është regjistruar si borxh i qeverisë qendrore. Sipas të dhënave të Ministrisë për financa që janë në dispozicion, borxhi i qeverisë qendrore deri në fund të shkurtit të këtij viti është 33,3 % e Prodhimit të brendshëm bruto (PBB).
Mirëpo, sipas asaj që thonë akademik Abdylmenaf Bexheti, ish-guvernatori Petar Goshev dhe ish-ministri për financa Nikolla Popovski, borxhi i përgjithshëm publik tashmë e ka tejakular 40% të PBB-së.
Hulumtimi i Qendrës për analiza ekonomike shqyrton dy skenare të mundshme për atë se në çfarë drejtimi mund të shkojë Maqedonia në aspekt të ngarkesës me borxh. Në të dyja skenaret, nuk paralajmërohet optimizëm.
Në rastin e parë, nën supozimin se efekti primar do të jetë 2,1 përqind e PBB-së, për vetëm dy vjet borxhi do ta tejkalonte kufirin prej 40 përqind. Në rastin e dytë, me tempo më të vogël të harxhimit të parave buxhetore, gjegjësisht gjatë deficitit primar prej 1,4%, borxhi i qeverisëë qendrore do të rritet por me një dinamikë më të ngadalshme. Kufiri prej 40% do të arrihej në vitin 2018.
Në të dyja versionet e hulumtimit, borxhi rritet ndërsa Maqedonia me përqindjen aktuale të rritjes ekonomike (ose me stagnim) do të ballafaqohej me rrezikun që t’i rrezikohej aftësia e pagimit.
Sipas një hulumtimi që është realizuar nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitin 2007, sugjerohet se borxhi publik prej 25% konsiderohet si nivel i arsyeshëm i ngarkesës me borxh për Maqеdoninë, përqindje kjo e cila është tejkaluar që moti.
Ajo që në mënyrë plotësuese e kyç alarmin është jo vetëm ajo se borxhi do të rritet, por edhe vlerësimi se deri në vitin 2018, Maqedonia nuk mund të shpresojë për përqindje të rritjes ekonomike më të madhe se 2%.  /Portalb/