Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, para familjeve të dëshmorëve, studentëve, stafit akademik dhe pjesëmarrësve të tjerë, u mbajt Akademi përkujtimore kushtuar dëshmorëve dhe martirëve të kombit: Naser Veliut, Nurie Zekës, Mujdin Aliut dhe Xhemajl Fetaut.
Në fjalën e tij, para auditorit, Rektori i USHT-së, Prof. dr.Vullnet Ameti theksoi se historia jonë e lavdishme gjatë shekujve ka dëshmuar se kombet që nuk pajtohen me asimilimin dhe robërinë për lirinë e tyre sakrifikojnë gjithçka.
“Historia dhe populli shqiptar nuk do t’i harrojë bijtë dhe bijat që me veprat dhe bëmat e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme në momente të caktuara të historisë sonë, prandaj Ju shpreh nga zemra mirënjohjen dhe falënderimin e thellë për vendosmërinë dhe guximin tyre të pashoq, për sakrificën titanike në organizimin e lëvizjeve çlirimtare kombëtare në përmasa gjithëpopullore duke u shndërruar në themel për proceset gjithëkombëtare për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës dhe avancimin e statusit juridik dhe kushtetues të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë”, tha Rektori, Prof.dr.Vullnet Ameti.
Në vijim të fjalës së tij, rektori u shpreh se luftërat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, kombi shqiptar i përkrahu fuqishëm dhe pa u hamendur. Në këto beteja të lavdishme morën pjesë të rinj e të moshuar, studentë dhe qytetarë, që të gjithë në shërbim të arritjes së të drejtave sikurse të gjithë popujt e qytetëruar.
Në përmbyllje, rektori i USHT-së vuri në dukje se, si rezultat i sakrificës së dëshmorëve të kombit, në radhë të parë, si dhe me angazhimin pasuesve të UÇK, u legalizua Universiteti i Tetovës.
Kryetari SHVL-UÇK-së, Fazli Veliu, foli për aktivitetet që organizohen për të nderuar sakrificën dhe heroizmin e dëshmorëve të kombit në të gjitha trojet shqiptare.
Fazli Veliu vuri theksin në përpjekjet konkrete që ndërmerr shoqata që ai drejton dhe në këtë drejtim deklaroi, “ Ne presim që Mujdin Aliu të shpallet hero i kombit, kurse statusin e dëshmorit ta marrin Naser Veliu dhe Nurije Zeka, kurse Xhemajl Fetau tashmë e ka fituar statusin e dëshmorit”.
Akademinë përkujtimore kushtuar dëshmorëve dhe martirëve të kombit e përshëndetën edhe veprimtarë të tjerë nga vendi dhe diaspora, si: Hisen Xhemaili, Bedri Llapashtica, Sadulla Zendeli dhe Gëzim Selimi.
EDITOR
12 years ago
previous article
Falkao në Çellsi, paga javore – 235 mijë euro
next article
Zyrtare: Mario Gëtce te Bajerni
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
7 days ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
7 days ago