Në vend që të shërbenin për një edukim dhe arsimim më efikas të gjeneratave të reja, kompjuterët e projektit milionësh qeveritar “Kompjuter për çdo fëmijë” ngadalë përmes vjedhjeve po kalojnë në duart e hajnave. Vetëm në 2012, janë kryer mbi 200 vjedhje kompjuterësh.
Sikur t’i kishin blerë për nevojat e grabitësve dhe jo për ato të nxënësve. Në vend që të shërbenin për një edukim dhe arsimim më efikas të gjeneratave të reja, kompjuterët e projektit qeveritar “Kompjuter për çdo fëmijë” ngadalë përmes vjedhjeve janë duke kaluar në duart e grabitësve. Rastet e njëpasnjëshme të vjedhjeve, sidomos në shkollat fillore, tregojnë qartë për mosinteresimin e vet shkollave, por edhe për mosinteresimin e institucioneve të tjera arsimore për të ngritur alarmin dhe për të marrë masa më të rrepta sigurie. Megjithëse nga buxheti i shtetit për nevojat e këtij projekti u harxhuan miliona euro, grabitjet e vazhdueshme që janë më të theksuara në Shkup dhe në rajonin përreth, vazhdojnë të trajtohen vetëm si statistikë policore, pa shkaktuar reagimin e institucioneve shtetërore, të cilët kanë obligim të kujdesen për interesat e nxënësve, por edhe për kompjuterët që janë siguruar me paratë e prindërve të tyre. Të dhënat e Ministrisë së Brendshme, të prezantuara me buletinet e përditshme, zbardhin se autorët që zakonisht mbeten të paidentifikuar në asnjë rast nuk kanë dalë nga shkollat fillore ose të mesme pa vjedhur dhjetëra kompjuterë ose pjesë të ndryshme kompjuteri, që do të thotë se nga fillimi i projektit “Kompjuter për çdo fëmijë”, në duart e grabitësve mund të kenë përfunduar rreth dy mijë kompjuterë ose pjesë kompjuteri.
“Statistikat e tre viteve të fundit tregojnë se nëpër shkollat fillore dhe të mesme janë regjistruar mbi 200 vjedhje. Në vitin 2011 janë regjistruar 94 raste, vitin e kaluar u denoncuar 90 vjedhje të tjera, ndërsa për tre muajt e parë të këtij viti kemi evidentuar 25 vjedhje kompjuterësh nga shkollat, që do të thotë se gjatë periudhës në fjalë janë regjistruar 209 vjedhje. Vlen të theksohet se pjesa dërmuese e tyre, ose 46 për qind e numrit të përgjithshëm të vjedhjeve, janë kryer nëpër shkollat e rajonit të Shkupit”, thotë Ivo Kotevski, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Sipas të dhënave zyrtare, për vjedhje kompjuterësh nga shkollat janë paditur 236 persona të moshave më të reja. Ndërkaq, hetimet policore kanë zbardhur se autorët zakonisht veprojnë në grupe prej dy ose më shumë persona. Me projektin që morri emrin “Kompjuter për çdo fëmijë”, qeveria siguroi 17818 kompjuterë, 98710 monitorë LCD dhe po kaq tastiera dhe mausë. Sipas zyrtarëve të lartë shtetëror, ky ka qenë investimi më i madh në fushën e arsimit gjatë 17 viteve të fundit, megjithatë vitet pas implementimit të projektit, treguan mosinteresimin institucional për kompjuterët, një pjesë e të cilëve mbetën magazinave të shkollave ose institucioneve të tjera, ndërsa një pjesë e mirë përfundoi në duart e hajdutëve, të cilët rezulton t’i kenë shitur si mall i vjetër ose për pjesë këmbimi.
Rasti i fundit i vjedhjes së kompjuterëve shkollorë u regjistrua në shkolla fillore “Drita” që gjendet në fshatin Rashçe të Shkupit. Sipas të dhënave të policisë, persona të panjohur gjatë fundjavës së kaluar nga kjo shkollë kanë vjedhur 55 llap-topë. Pa u vënë re nga banorët e fshatit, personat e panjohur janë futur në ambientet e shkollës fillore dhe nga klasat kanë vjedhur të gjithë llap-topët, ndërsa punonjësit e shkollës, si në çdo rast tjetër, kanë qenë ato të cilët kanë denoncuar rastin në polici. /koha/