Thonë se thashethemexhinjtë dhe ofiqarët që nuk dalin dot kollaj nga lëkura e tyre janë njohës më të mirë të gjenealogjive të familjeve në lagjet e tyre. Ata thonë: “Në do ta mësosh a ta njohësh karakterin e një shtëpiakeje a të një zonje, shikoja kuzhinën dhe banjën… Nëse ato hapësira janë të pastra, atëherë nuk ke nevojë të ndërtosh prova rreth përkushtimit të saj”!
Unë këtë shkrim do ta filloj duke iu referuar përditshmërisë së njerëzve që jetojnë në një qytezë të lashtë të Stanbollit, me emrin Kasim Pasha, si dhe të atyre që frymojnë në rrugën “Selamzës male” (kjo e fundit kur përkthehet në gjuhën shqipe, do të thotë: mëhallë ku njerëzit nuk përshëndesin njëri-tjetrin!?)…, një mëhallë ku gjithsecili në vend që të përshëndesë, fyen zonjat, nënat dhe motrat e njëri-tjetrit…, Ata “shajnë targat e veturave, të kamionëve, të traktorëve, të furgonave, numrin e këmishës dhe këpucëve allaturka”! Ajo mëhallë të duket si një “gjiriz” që nuk ka fund dhe përreth tij kalojnë ujërat e zeza. Thonë se edhe kryebashkiaku i tyre nga “sikleti” i madh që e kishte zënë, ishte detyruar të “arratiset” nga ai vendbanim e “vendvaki”.
Lexuesit e nderuar dhe të respektuar të shkrimeve të mia, me plot gojë do të parashtrojnë pyetjen se, ç’i duhej këtij artikullshkruesi ta filloj këtë opinion me “gjirizin” e lagjes së Kasim Pashës dhe me banorët e saj!? Ja, ne po u përgjigjemi shkurt e troç.
Sa herë që zhvillohen seancat a punimet e institucionit më të lartë legjislativ të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, aq herë mua më ngjallet kureshtja për të dëgjuar a përcjellë atë drejtshqiptimin e deputetëve, atë gjuhë të tyre, sa të rrjedhshme pothuaj edhe të bukur. Më ngjallet kureshtja ta shoh e ta dëgjoj edhe “kryekuvendaren”, zonjën e nderuar Jozefina Topalli, atë zonjë që ka një gjenealogji të lavdëruar e të respektuar të fisit të saj…, një gjenealogji që ka një histori patriotike…, që nuk ka njeri që mund t’ia kontestojë çiltërinë, virtytet dhe imazhin. Kjo gjenealogji e fisit të saj nuk duron sajime, nuk duron shtrembërime, nuk duron paragjykime, nuk ka nevojë për publicitet a edhe publicistikë, thjeshtë kjo nuk ka nevojë për një histori krejt tjetërfare. Kohë të fundit, kështjellën e kësaj gjenealogjie, sikur po e shemb vetë pinjolli i saj, gjegjësisht zonja Topalli, e cila me retorikat e saj, ashtu “pa hiri”…, po e baltos, po e neverit… dhe, në vend që ta davarit këtë retorikë, ajo përkundrazi ditë për ditë e ushqen me të keqen e saj.
Ky argument i lartpërmendur, mos vallë nuk na bind se edhe këtej hapësirave të Gadishullit Ilirik “duket një gjiriz” ku përdoret ai komunikim i bastarduar dhe paksa identik me atë të “Kasim Pashasë” së Stambollit…, a mos vallë edhe kuvendi i gjithë shqiptarëve të dynjasë na u shndërrua në një “aksham pazar kuajsh dhe trangujsh”, ku “kryekuvendares” kur t’i teket, kur t’i “rritet mendja dhe kur t’i fiket qiriu”, aq herë i ofendon kolegët, koleget, nënat, motrat, kalamajtë e bllokut a fshatit dhe në veçanti qytetarët e tjerë që ndjekin seancat në fjalë nëpërmjet mjeteve vizive. Ç’i duhet t’i bëjë vetvetes publicitet të panevojshëm…, ç’i duhet ai “luks i shfrenuar”, ç’i duhet ajo ulëritje, ç’i duhet ajo gojë nepërke…, pse nuk e zëvendëson gjithë këtë retorizëm të rëndë me atë pedagogjinë dhe andragogjinë e politikëbërjes aristokrate dhe qytetare.
Fjalori i denigruar ose edhe gramatika e retorikës së saj krahasuese, lëre që është fyes për qytetarët e rëndomtë, por njëkohësisht është anashkalues edhe për intelektualët (të cilëve moti nuk u dëgjohet zëri i ndërgjegjes dhe i protestës)…, për deputetët e garniturës së saj politike, të cilët kështu si duken dhe si (nuk) reagojnë…, sikur u ka rënë “tifoja e morrit”!? Është e pafalshme që një “kryekuvendare” të ndërtojë gramatikën e gënjeshtrave, atë gramatikën përbuzjes, urrejtjes, fyerjes a neveritjes, atë gramatikën e fajësisë së paqenë, atë gramatikën e papërgjegjësisë. Pse gjithë kjo pakujdesi e palejueshme e saj sa i përket retorikës…, pse i lejohet a i jepet e drejta kësaj zonje të nderuar që të sillet mbrapsht, pse kjo zonjë e nderuar, abetaren politike a edhe kuvendare e shtjellon nga shkronja e fundit për të arritur tek A-ja.
Pse kjo zonjë e nderuar lejon që t’i ngjitet etiketa e së keqes institucionale. Është e pafalshme, që kjo zonjë karizmatike t’u bëjë “davanë” njerëzve që ecin në rrugën e tyre politike. Është e patolerueshme që një zonjë me mendje femre, kur të dojë e kur t’i teket, nga kryeminderi i Kuvendit të ndotë fjalorin a gramatikën e saj politike. Thonë se femra shqiptare, në veçanti ajo malësore, karakterizohet me mençuri, karakter të fortë dhe me virtyte të larta morale. Ne nuk do të themi se “kryekuvendarja” Jozefina Topalli është malësore (sikur edhe të jetë e tillë, gjithsesi se nuk ka gjë të keqe), por ama nuk do të pajtohemi që ajo ta përdorë fjalorin a gramatikën “folklorike si dhe atë fjalorin erotik të të respektuarit Edmond Tupja”…, ajo nuk ka të drejtë ta “huazojë gramatikën e atyre grave të mëhallës së Selamsëz male të Kasim Pashës së Stambollit”!?…, ajo nuk ka të drejtë ta parafrazojë “doktorin”…, ajo nuk ka të drejtë të thotë: “ DO TË IKNI EDHE JU PËR LESH…, HAJT, KËPUTNI QAFËN!? ”, e të tjera zvetënime që, në instancë të fundit, s’janë të moralshme e as pedagogjike, po qoftë të thëna edhe në kontekst të shakasë! Kjo retorikë e saj pa shenja dhe vlera konvencionale s’është as me kanun, as me moral. Kjo retorikë nuk është dhe as që mund të jetë karakteristikë për të folmen e femrës shqiptare… Kjo retorikë e saj lere që nuk i nderon burrat shqiptarë, por edhe e fyen gjenealogjinë e familjes shqiptare.
Për ta përmbyllur a për ta përfunduar këtë shkrim (besoj që s’është as tendencioz, as qëllimkeq e as fyes), do të më duhet fillimisht t’i referohem një argumenti. Edhe në Republikën e Kosovës dhe në atë të Maqedonisë ka femra shqiptare që kuvendojnë në cilësi të deputetes…, por ama kurrën e kurrës nuk mëtuan, po edhe nuk “guxuan” ta ndotin gramatikën e retorikës së tyre politike…, që unë me një “vesh të shurdhër” deri më tani nuk i dëgjova prej motrave tona këtej kufirit administrativ fjalët: “…hajt, këput qafën…, hajt, shporru që këtej” e të tjera broçkulla të “Selamzës male”!
Skraparllinjtë për këtë lloj vakie do të qëndisin dy proverba. I pari: “Pordha del nga b…. e jo nga goja!” dhe i dyti: “Nëse shala e vret kalin, atëherë fajtor është ai që ia ka ngjit kalit!? ”
P.S.
Nëse në këtë shkrim pa dashur i ofendova banorët e mëhallës “Selamsëz male”, atëherë po u lutem të më falin gabimin.
EDITOR
12 years ago
previous article
Kosova alarmohet nga kanceri
next article
Kur humbasim tabelat e orientimit!
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago