Një delegacion i lartë i Lidhjes Arabe, i cili po qëndron për vizitë në Washington, ka shprehur mbështetje për parimin që Izraeli dhe palestinezët ta zgjidhin çështjen e kufijve të ardhshëm mes tyre nëpërmjet shkëmbimit të territoreve.
Pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, kryeministri i Katarit, tha se delegacioni i tij mbështet shkëmbime të barabarta dhe të vogla territoresh me anë të marrëveshjes nga të dyja palët në konflikt. Komenti i kryeministrit të Katarit duket se përfaqëson një ndryshim të nismës dhjetëvjeçare të Liga Arabe për arritjen e paqes me Izraelin.
Kjo nismë kërkonte që Izraeli të tërhiqej nga të gjitha tokat e pushtuara në luftën e vitit 1967 në Lindjen e Mesme dhe të kthehej në kufijtë e saj para vitit 1967, në shkëmbim të një paqeje të plotë me të gjitha vendet anëtare të Liga Arabe.
Ky ndryshim i fundit i qëndrimit arab duket se pasqyron gjithashtu edhe një miratim të udhëzimeve të paqes që presidenti Barack Obama i shpalli në vitin 2011, kur i bëri thirrje Izraelit dhe palestinezëve për të negociuar kufijtë e tyre mbi bazën e vijave ndarëse të vitit 1967 me “shkëmbime territoresh të pranueshme nga të dyja palët.”/mtv/