Të nderuar lexues të mi të paanshëm, këtë shkrim do ta filloj duke iu referuar një mikut tim, i cili disa ditë më parë më tha se opinionet i ke një çikë folklorike dhe të bezdisshme. Që të mos vazhdoj ta “zhgënjej e bezdis” mikun, këtë shkrim të radhës po e filloj me një refren nga një këngë jona e vjetër qytetare: “Mora rrugën për Janinë…, isha vetëm bashkë me arabaxhinë atë natë…, rrugës më zunë pusinë atë natë…, copa-copë ma bënë mëlçinë edhe zemrën”! Këtë refren do ta komentoj në paragrafin e fundit të këtij vështrimi.
Fillimisht më duhet të ndërtoj historinë njëzetvjeçare të një “politike” që “jeton”  në anën e djathtë të Vardarit, që rrjedh midis kryeqytetit të Republikës së Maqedonisë…, aty pranë Skënderbeut, Lekës së Madh të birit të Filipit të Dytë dhe nxënësit të Aristotelit!? Kjo politikë e Shkupit, që mëton të kopjojë “filozofinë e politikëbërjes së moderuar evropiane…, që mëton të adoptojë atë nacionalizmin e vrazhdë”, sikur ka mbetur peng a është zaptuar nga një heshtje e tmerrshme dhe e zymtë. Politika në fjalë që ka mbetur e papërfillshme, të vetmen mbështetje e kërkon te  patriotizmi dhe nacionalizmi i rremë!? Ka shumë kohë që nuk bën zë, “komshillëk dhe jarani politike e diplomatike” me një fqinjë të saj respektivisht me shtetin e Greqisë.
Kështu siç duket,  të krijon përshtypjen se karakterizohet me ato tiparet e “inatçiut homerik”, me atë primitivizmin, provincializmin po edhe me atë dembelizmin e saj të theksuar. Ka një dembeli të çuditshme sa i përket shqiptimit të një fjale a edhe retorike diplomatike gjithsesi serioze. Ia do “qejfi” që fjala e tij të jetë e fundit, thjeshtë nuk pranon a nuk parapëlqen mendim ndryshe. I gjithë ky gjykim i mbrapshtë sikur të kujton atë kohën e “heretizmit mesjetar”!? Edhe ato fjalë që i thotë sikur i shndërron në një retrospektivë të një historie të sajuar a edhe të adoptuar. Kjo politikë  “e padefinuar” ta ndërmend politikën e grushtit të hekurt, të kulaçit dhe kërbaçit, politikën grabitqare, shoviniste dhe sunduese. Kjo politikë, sikur mban peng a edhe ngujon perspektivën e shqiptarëve karshi rrugëtimit drejtë strukturave euroatllantike…, sikur ashtu “pahiri” shqiptarëve ua merr të “drejtën e të qenit vetvetja…, si dhe “hisedarë” të këtyre hapësirave “biblike”.
Kjo politikë ua konteston shqiptarëve të drejtën e pjesëmarrjes së tyre në kuadër të organizimit të negociatave a bisedimeve në lidhje me ndryshimin e emrit të shtetit (nëse mua nuk më është bërë mendja dhallë ajke, do them se në këto takime të deritanishme, lëre që asnjë politikan yni nuk mori pjesë, por edhe nuk e artikuloi shqetësimin ndaj mospranisë së tij në këto takime). Ky mosinkuadrim i palës shqiptare a u bë me “kastile” a pa qëllim, unë si opinionist nuk do ta them. Edhe sikur të ketë prova a edhe indikacione, atëherë parashtrohet pyetja se pse partive politike shqiptare që veprojnë këtej nënqiellit të Maqedonisë, sot u duheshka të “vajtojnë hallin” e këtyre negociatave të stërzgjatura dhe konfuze. Këto (jo)bisedime në vend që të ishin konstruktive, u shndërruan në fragmentarizma, në emocione të pakontrolluara, në konvencionalizëm të rreme, në provokacione, në mendime të gabuara dhe, në instancë të fundit, u ngjyrosën me një “jokorrektesë” të njëanshme dhe të çuditshme. Me një fjalë, këto “bisedime që rrjedhimisht duhej të konceptohen diplomatike”, u shndërruan në veprimtari sabotuese, butafori mashtruese dhe në “bisedomani”. Këto “negociata shterpe” u përngjajnë lëvizjeve të atyre “valltareve” nga Egjipti dhe Stambolli, të cilat në do t’i “darovisësh” nuk ke ku ua vë lekët. Këtë “mosmarrëveshje” diplomatët maqedonas do ta “arsyetojnë me faktin se kinse pala greke, u paskësh “…, prekur fijet e ndjeshmërisë së identitetit dhe trashëgimisë kombëtare të tyre”!?…, siç do të thotë një shqiptar mendjendritur nga Tirana në një shkrim të tij.
Nëse mospërfshirja e partive politike shqiptare në këto bisedime vërtet  ka ndonjë qëndrim dashakeq, atëherë neve na mbetet të themi e të konstatojmë se mospërfillja e diplomatit a politikanit shqiptar është bërë për inat, sepse ai na paskësh qenë “… anëtar nderi i ndonjë bashkësie vendore, ndonjë anëtar i shoqatës së peshkatarëve, i shoqatës së bletarëve, i shoqatës së pensionistëve politikë a edhe i shoqatës së zhytësve…, e të tjera shoqata”!?? Kësaj “vakie” asnjeri deri më sot nuk i thuri asnjë vërejtje, asnjë kundërshtim (qoftë edhe të kotë) po edhe sikur të vinte nga ekspertë a njohës të diplomacisë botërore, nga njerëz me mendje të rebeluar a edhe me koeficient të ulët inteligjence! Një analist nga Shqipëria, kësaj katrahure do t’i ngjisë logjikën me sa vijon: “Kjo politikë e Shkupit po të kishte bisht injorance, njerëzit (qofshin ata të jenë edhe diletantë të politikës) do ta kishin shumë më lehtë për ta fiksuar”! Kjo politikë e Shkupit nuk lejon që fjalimet e saj të protokollohen e as të arkivohen…, kjo politikë të duket si një maratonist i “dopinguar” i cili asnjëherë nuk arrin në cak, po edhe kurrën e kurrës nuk e “kalon klasën e parë (fillore) politike”. “Gojëkëqijtë” do të thonë se “aga baba” i kësaj politike me këtë zhargitje ndaj (mos) zgjidhjes së çështjes së emrit të shtetit, definitivisht e mbushi gotën e marrëzisë dhe gotën e polikëbërjes “terse”!?
“… se kush kishte Marë rrugë për Janinë, se kush kishte qenë arabaxhiu, se kujt ia kishin zënë pusinë atë natë, se kujt ia kishin bërë zemrën dhe mëlçinë copa-copë atë natë…,” se ato a ata ishin kurbetçij a goca lozonjare, unë asnjëherë nuk gjeta asnjë të vetme provë, por ama se politikanët e Shkupit nuk do ta marrin rrugën për Evropë, do t’u copëtohet hapësira tokësore pikë e pesë! Qofsha i gabuar!
Dikur moti, babait tim i parashtrova pyetjen se pse je i “sikletosur” që fqinji ynë e kishte mbjellë arrën e vet me manaferra… Ai ma ktheu se nuk ia ka dertin arrës së tij, por brengosem  nga e vërteta se ato manaferra nesër mund të shtrihen edhe në arrën tonë!? Këtë “dert” të babait e kuptova pas shumë motesh. Kishte pasur të drejtë.