Gjëja që më së shumti e argumenton dashurinë është shikimi në sy gjatë bisedës.
Autor: Xhasim Muhamed El-Mutava
Fillimisht, mendoj se për të shkruar ose për ta lexuar këtë temë “mbjellja e dashurisë në familje” kërkohet të ketë ndjenja te veçanta sepse titulli i saj përfshin “dashurinë”.
Argument për këtë është ngase ndonjëherë dashuria në mes të bashkëshortëve mund të jetë ne piedestalin më të lartë por ndodhë që të jetë edhe e kundërta e saj që dashuria të jetë në shkallën më të ultë, pra ka shtim dhe ngecje. Ajo çka bën që dashuria të rritet janë fjalët e mira, mendimet e mira. Po ashtu, ka shumë shkaqe që të çojnë deri te dashuria e vërtetë, të cilat ne do t’i paraqesim gjatë këtyre rreshtave.
Mendoj se tema mbi dashurinë është ndër temat më me rëndësi qe mund të flitet, ngase dashuria është nevoja më e madhe qe mund të ketë njeriu, sepse njeriu dëshiron t’i dojë të tjerët por njëkohësisht dëshiron që të duhet prej të tjerëve. I humbur është ai i cili i ka humbur të dyja. Ai i cili nuk i do të tjerët dhe nuk e duan atë, ai jeton sikurse me qenë i vdekur, Allahu na ruajt.
Njeriu i gjallë i cili ka ndjenja dëshiron që t’i dojë të tjerët dhe të duhet prej të tjerëve. Nëse njoftohet se dikush është i hidhëruar me të për ndonjë çështje të caktuar, ai zemërohet dhe mundohet qe t’i përmirësojë raportet me atë, sepse ai përveç që dëshiron t’i dojë të tjerët dëshiron edhe që të duhet prej të tjerëve.
Kështu ka qenë Profeti a.s. Ai çdoherë e ka përmend dashurinë kur e ka lutur Allahun me fjalet: “O Zot, kërkoj dashurinë tënde dhe dashurinë e atyre që të duan. O Zot më mundëso të punoj punë që qojnë deri te dashuria Jote. O Zot, më mundëso dashurinë Tënde më shumë se dashurinë ndaj vetes sime, ndaj familjes sime dhe më shume se ndaj ujit te ftohtë”.
Prej nga ka ardhë i gjithë ky interesim i Profetit a.s. për dashurinë? Nuk ka ardhur përveçse islami është fe e dashurisë dhe e përkrahë dashurinë. Pejgamberi a.s. hapin e parë që e ka bërë në formimin e shtetit islam në Medine ka qenë ndërtimi i Xhamisë. Qëllimi i tij ka qenë mbjellja e dashurisë në mes robit dhe Krijuesit.
Hapi i dyte i ndërmarrë nga Profeti a.s. ka qenë vëllazërimi në mes “muhaxhirëve” dhe “ensarëve”. Pejgamberi a.s. ka dashtë që të mbjellë dashurinë në mes besimtarëve.
Prej rëndësisë që ka dashuria është se ajo ndihmon në ndryshimin e sjelljeve te njeriut. P.sh., nëse ne dëshirojmë që fëmijën tonë ta drejtojmë në ndonjë çështje të caktuar, ne përdorim mënyrën e nxitjes dhe të qortimit. I themi fëmiut se nëse ka sukses në provim do të ketë një shpërblim të madh. Ai gëzohet shume dhe jep maksimumin në mënyrë që ta arrijë shpërblimin e premtuar. Ose i thua fëmiut tënd se “nëse nuk kalon në provim do të kesh këtë dënim” dhe ai bënë përpjekje që të kalon në mënyrë që mos të ndëshkohet.
Psikologet thonë: “Ndryshimi i sjelljeve duke e përdorur nxitjen dhe qortimin, ndoshta do të ketë efekt për një kohë të caktuar, pastaj kur të largohet nxitja ose qortimi do të kthehet prapë në sjelljet e mëparshme ose edhe më keq”.
Si ti ndryshojmë sjelljet e njeriut
Rruga më e mirë për t’i ndryshuar sjelljet e njeriut është dashuria. E di që kjo mund të jetë e vështirë të arrihet por nëse arrin që fëmija juaj të mësoj në saje të dashurisë për librin do te jetë i suksesshëm dhe i edukuar. Nëse në saje të dashurisë arrin si bashkëshort t’i eliminosh sjelljet jo të mira të bashkëshortes sate, do të jesh i suksesshëm si bashkëshort. Ose nëse bashkëshortja arrin që t’i largoj sjelljet jo të mira te bashkëshorti i saj përmes dashurisë, do të jetë bashkëshorte e suksesshme. Shembull për këtë e kemi Tufejl ibn Ammar ed-Deusin. Pasi e kishte pranuar islamin, Tufejli shkon në shtëpi dhe gruaja e tij i afrohet afër. Ky me mençuri donë që t’i prek ndjenjat e saja të dashurisë në mënyrë që ajo ta pranoj islamin, dhe i thotë: “Ti për mua prej këtij momenti je e ndaluar (haram). Ajo pyet: “Përse?”, Tufejli i përgjigjet: “Ngase unë e kam pranuar islamin dhe Zoti na ka ndaluar mushriket për besimtarë. Nuk i mbetet asaj gjë tjetër veçse te thotë: “Unë jam e jotja dhe ti je i imi, feja jote është feja ime”, dhe kështu e pranon islamin.
Shiko se si Tufejli me mençuri e ka prek në ndjenjat e dashurisë së saj. Posaçërisht që ai nuk ia ka paraqitur asaj islamin, por ka luajtur me letrën e dashurisë në mes tij dhe bashkëshortes së tij. Këtu nuk ka qenë qëllimi i Tufejlit ndryshimi i një sjellje të gruas së tij por ka qenë çështja edhe më e rrezikshme se kjo; lënia e fesë së të parëve te saj dhe pranimi i islamit.
Mençuria e Sevdës
Shiko në mençurinë e Sevda bint Zemau r.a. kur e ka përdorë këtë çështjen e dashurisë kur Perjgamberi a.s. ka dashur ta shkurorëzoj ndërsa ajo i ka thënë: “O i Dërguari i All-llahut, mos më shkurorëzo, por më mundëso një ditë mua dhe një ditë Aishes”.
Sevda ka arritur që me strategjinë e përdorur që përmes dashurisë së jashtme të ndryshoj sjelljet e brendshme, sepse ajo e ka ditur dashurinë që Pejgamberi a.s. kishte për Aishen r.a.
Shenjat e dashurisë
E para: Biseda për të ardhmen
Nëse dëshirojmë të dimë se a ka dashuri në mes të bashkëshortëve, le t’i shikojmë se a flasin ata për të ardhmen e tyre apo ata fare nuk mendojnë në këtë?! Nëse vërejmë tek bashkëshortët se biseda e tyre flet për të ardhmen, e shohim se aty mbizotëron dashuria dhe ka shpresë se dashuria do të vazhdoj edhe në të ardhmen.
E dyta: Ofrimi i njëri tjetrit
Me këtë e kemi qëllimin që kur te ulen të qëndrojnë afër njëri tjetrit, kur te ecin të qëndrojnë afër, te jenë afër me shpirtrat e tyre.
Çdoherë gruaja dëshiron ta provoj burrin e saj se a e donë ai apo jo?! P.sh., vjen gruaja dhe ulet afër burrit të saj dhe gjithmonë pret reagimin e tij. Nëse nuk ka kurfarë reagimi nga ana e burrit, në mendjen e saj sillen pesëdhjetëmijë mendime derisa të arrin deri te përgjigjja.
Gruaja edhe pse e din ndoshta qëndrimin e burrit të saj për të, mundohet t’i bëhet edhe më e qartë. Kështu ka vepruar Aishja r.a., bashkëshortja e Profetit a.s., edhe pse e ka ditur se ajo është prej njerëzve më të dashur të Profetit a.s. Një ditë është ulur pranë tij dhe po i thotë: “Çka mendon për një kopsht në të cilin gjendet një pemë në të cilën ka ngrënë dikush, dhe një pemë në të cilën nuk ka ngrënë askush. Prej cilës pemë kishe me marrë?” Profeti a.s. i përgjigjet: “Prej asaj që nuk ka ngrënë askush”. Trans. Buhariu.
Natyrisht se gjatë këtij tregimi në të cilën tërthorazi ka pyetur Aishja r.a., nuk ka deshtë të thotë gjë tjetër përveç se kjo ka qenë e vetmja grua beqaresh e Profetit a.s. prej gjitha grave të tij. Këtë e ka ditur Profeti a.s. mirë se ku e ka pasur qëllimin Aishja r.a. dhe i është përgjigjur në atë mënyrë që ka pasur dëshirë të dëgjojë Aishja r.a.
Kjo është feja jonë dhe ky është Profeti ynë. Na mëson që mos t’i lëndojmë ndjenjat e gruas, sidomos kur donë të provoj se çfarë vendi zë ne zemrën e burrit të saj.
Isha duke biseduar me njërin prej vëllezërve për mbjelljen e dashurisë në familje. Gjatë bisedës, ai më tha: “Isha i ulur mbrëmë në shtëpi dhe mu afrua gruaja ime. E vendosi dorën e saj mbi dorën time dhe më pyeti se a ishte ajo femra e parë e cila e vendos dorën e saj mbi dorën time. Unë iu përgjigja me “jo vallahi … e ka vendos dikush tjetër para teje”, ndërsa ajo më pyeti me habi “Kush?”, unë iu përgjigja: nëna ime, tezja ime dhe motra!”
E treta: Ruajtja e sekreteve
Nëse dëshiron të dish se a të donë bashkëshortja e juaj a po jo, shiko se sa është në gjendje t’i ruan sekretet e tua. Këtë e argumentojmë në atë se çka ka ndodhë me Profetin a.s. kur i ka zbritur shpallja. Ka qenë Hadixheja r.a. që më së shumti e ka dashur Profetin a.s. Çështja e shpalljes ka qenë shumë e rrezikshme në atë kohë, sepse ka qenë një ndryshim i historisë së njerëzimit. Me gjithë këtë, Pejgamberi a.s. e ka zbuluar këtë fshehtësi gruas së tij. Nuk ka thënë se ajo nuk i mbanë sekretet se është grua, por ka qenë personi i parë që profeti ia ka zbuluar këtë fshehtësi. E kam bërë një studim sa i përket asaj se a i ruan gruaja sekretet apo jo. Pas një studimi të thellë dhe pas pyetjes së njerëzve eminent, qofshin ata psikolog ose dijetarë islam, rezultati i këtij studimi ka qenë se gruaja i ruan sekret sikurse burri. Këtu lidhet edhe çështja se sa është e edukuar ajo për mbajtjen e sekreteve. Nëse është edukuar padyshim se do t’i ruaj sikurse burri.
Ke kujdes oj bashkëshorte
Ndoshta burri dëshiron me ditë se sa është në gjendje gruaja e tij me i mbajt sekretet. P.sh. donë ta provokoj për një çështje e cila nuk është shumë në interes të tij. Pastaj i thotë se “kjo le të mbetet në mes nesh, nuk dëshiroj që këtë ta di askush”. Pastaj ai të përcjell; një ditë, dy javë ose një vit. Pastaj e pyet nënën e tij, motrën, tezen, babën, ose babën dhe nënën e gruas, se a kanë njohuri për çështjen në fjalë. Nëse vëren se ata kanë njohuri për këtë çështje, ai do të vendos që kurrë më mos t’i tregojë gruas së tij sekretet e tij. Pas një kohe këto gra ankohen se burrat e tyre nuk bisedojnë me ato e as nuk i tregojnë sekretet e tyre, pa e ditur se shkaktarë për këtë janë vet ato.
E katërta: Prekje simpatie
Nëse ju pyes: Kur ka qenë hera fundit që ju e keni prekur dorën e gruas tuaj me një prekje simpatie që e ke për të?! Para se të përgjigjesh në pyetjen time, dëshirojë nga ju që të lexoni këtë studim që e kam lexuar unë i cili thotë se gruaja ka nevojë për katërmbëdhjetë prekje gjatë ditës.
Pasi që e kam lexuar këtë, kam filluar të hulumtoj në historinë e Profetit a.s. dhe kam gjetur diç të çuditshme. Kam gjetur se Profeti a.s. kur ka pirë gruaja e tij Aishja r.a. ujë me gotë, e ka marrë dhe i ka vendosur buzët e tij po në atë vend që ajo i ka vendos gjatë pirjes së ujit. Po ashtu, e ka ngrëne mishin në ashtin në të cilin ka qenë duke e ngrënë Aishja r.a., Çështja është ma me rëndësi se sa numrat. Neve tek e fundit nuk na interesojnë numrat, as katërmbëdhjetë e as pesëmbëdhjetë, ose më shumë ose më pak se kjo, por ne dëshirojmë qëllimin e përgjithshëm. Ndoshta gruas do t’i mjaftonte edhe një prekje ose puthje e vetme por që kjo të jetë me sinqeritetin më të lartë dhe ta kuptoj gruaja se burri i saj e donë.
Ne bisedën tonë, nuk veçohet vetëm gruaja, por ka nevojë edhe burri për ngrohtësinë e gruas së tij. Sa ngrohtësi i ofron burrit tënd në ditë?
Gruaja kineze kur të ofrohet orari i kthimit të burrit të saj nga puna, e merr ujin e nxehtë dhe kur të vjen burri ia lan këmbët në shenjë respekti për të, ngase ai është lodhur duke ia siguruar të mirat materiale asaj dhe fëmijëve. Këtë e bënë një grua e cila nuk ka fe në shpirtin saj, por t’i që pretendon se je myslimane, sa herë i ke ofruar dashuri dhe ngrohtësi burrit tënd në mënyrë që ai të qlodhet me ty.
E pesta: Shikimi në sy gjatë bisedës
Më së shumti që e argumenton dashurinë është shikimi në sy gjatë bisedës. Dëshiron gruaja e jote të bisedoj me ty për diçka dhe e sheh se shikimi yt është i vendosur në ndonjë gazetë ose në ushqim, ose shikon Tv. Nëse e sheh këtë çështje të vogël, kjo mundet me ndikue shumë negativisht te gruaja.
Nuk humb asgjë nëse e shikon gruan me syrin e devotshmërisë dhe mëshirës kur ajo flet me ty. Përkundrazi, do të fitosh shumë edhe në këtë botë edhe në botën tjetër. Në këtë botë do të fitosh dashurinë e bashkëshortes sate, kurse në Ahiret do të ju shikoj All-llahu me syrin e mëshirës.
Transmetohet prej Seid bin Elhudrijj r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nëse burri e shikon gruan e tij dhe gruaja e shikon burrin e saj, do t’i shikoj All-llahu ata të dy me syrin e mëshirës. Nëse ia japin dorën njëri-tjetrit, do të shkulen mëkatet e tyre prej gishtërinjve të tyre”. Këtë hadith e ka nxjerr Sujutiu.
E gjashta: Respekti dhe vlerësimi
Respekti dhe vlerësimi i ndërsjellët është njëra prej rrugëve më me rëndësi që qon deri te mbjellja e dashurisë në familje. Nuk ka kuptim dashuria nëse nuk është prezent respekti dhe vlerësimi.
Një herë një njeri i ishte afruar Omer bin Hatabit r.a. dhe i kishte thënë se dëshiron ta shkurorëzoj gruan e vet. Omeri e pyet “përse”. Ai i përgjigjet se nuk e donë më atë, ndërsa Omeri r.a. ia kthe me: “A mendon se çdo familje është e ndërtuar mbi dashurinë?!”
Ngjasoni atyre edhe nëse nuk jeni sikur ata
Kur ka vdekur gruaja e Aliut r.a., Fatimeja r.a. është ndalë ai pranë varrit të saj dhe ka recituar vargje:
E dashura ime, nuk të zëvendëson kush te unë
Ti kishe një vend të posaçëm në zemrën time
E dashura ime, më mungon pranë meje dhe syve të mi
Por në zemrën time do të jesh gjithmonë.
Fjalë të cilat i ka thënë i dashuri në shenjë dashurie për gruan e tij. Nëse nuk mundemi të jemi sikur ata, atëherë bile të iu ngjasojmë atyre. Në një thënie thuhet: “Ngjasoni nëse nuk jeni sikur ta sepse ngjasimi i sinqertë do të jetë shpëtim”.
Së fundi
Nëse e kemi kuptuar gjithë këtë rëndësi që i ka dhënë feja jonë dhe profeti ynë përkrahjes dhe mbjelljes së dashurisë në familje, atëherë prej neve kërkohet që t’i shfrytëzojmë të gjitha shkaqet të cilat i cekëm por edhe ato që nuk janë cekur në mënyrë që ta arrijmë mbjelljen e dashurisë në familje. Pastaj, do ta arrijmë lumturinë në këtë botë përmes dashurisë e cila do të na përcjell gjatë tërë jetës. Po ashtu, do të arrijmë që ta plotësojmë një kusht të cilin e ka vendosur Profeti a.s për t’i shijuar begatitë e Xhennetit kur ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do të hyni ne Xhennet derisa të besoni, por nuk do të besoni derisa të duheni ….”
Duaja jonë e fundit është falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve.
Përktheu nga arabishtja: Behar Dushi, Vushtrri
EDITOR
12 years ago
previous article
Thirrja e ezanit në veshin e të sapolindurit
next article
Mourinho në Chelsea, me 1 korrik!
you might also like
22 NËNTORI – DITA E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE
7 hours ago
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
7 hours ago