Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi sot një takim me ish-kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko. Në një prononcim për mediat pas takimit, kryeministri Thaçi rikujtoi miqësinë me Majkon që nga vitet 1998-99, në kohën e luftës dhe kur ai ishte kryeministër i Shqipërisë.
“Me Majkon diskutuam zhvillimet e fundit edhe në Kosovë, edhe në rajon, për mundësinë e avancimit të bashkëpunimit në mes të shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, në një relacion të integrimeve kombëtare, por edhe të standardeve dhe vlerave evropiane.
Ish-kryeministrin Majkon e informova edhe për marrëveshjen e arritur në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve dhe popujve, si një marrëveshje nga e cila Kosova fiton, por gjithashtu reflekton për të mirë edhe për Serbinë edhe për të gjithë evropianizimin e rajonit tonë, një marrëveshje, që ka pasur mbështetjen e plotë edhe të shtetit shqiptar, të Qeverisë dhe gjithë politikës shqiptare”- tha kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi tha se e kishte informuar ish-kryeministrin Majko për periudhat kohore të implementimit të marrëveshjes, por edhe për aktorët që do të marrin pjesë në implementim, që do të jenë institucionet e Republikës së Kosovës, NATO, EULEX-i, me një mbështetje të plotë të Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe OSBE.
Nga ana e tij, deputeti socialist Majko bëri të ditur se i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës nisjen e procedurave për të marrë nënshtetësinë kosovare.
“Sot pata emocionin e veçantë t’i ripërsërisë mikut tim, edhe kryeministrit të shtetit të Kosovës, që të më japi nderin dhe kënaqësinë që shpejt do të bëjë procedurat për të marrë shtetësinë e shtetit të Kosovës. Ka shumë qytetarë të Kosovës që duan të jenë shtetas të Shqipërisë, por mos harroni se ka edhe ca në krahun tjetër si puna ime, që këtë anë e konsiderojnë atdheun e tyre, popullin e tyre.” – u shpreh Majko.
Lidhur me marrëveshjen Kosovë-Serbi, Majko theksoi: “Është një moment jashtëzakonisht sfidues, por pa dyshim që ka një përkrahje të gjerë të të gjithë klasës politike. E them këtë jo vetëm se duhet thënë kështu. Ngandonjëherë ne jemi edhe pjesë apo viktimë e vogël e gjërave që duhet thënë ashtu, dhe pastaj ju gazetarët na pyesni se çdo të thotë me këtë apo atë. Në fakt, aktualisht sot që flasim, marrëveshja midis Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar, është një hap cilësor i cili ka pasur reflektim jo vetëm dhe thjesht në marrëdhëniet në mes të dy shteteve respektive, por edhe në të gjithë rajonit ka ofruar një cilësi të re, pasi marrëdhënia midis shqiptarëve dhe serbëve mbetet marrëdhënia më problematike sot në rajon. Kështu që unë jam i prirur të shikoj me shumë vëmendje dhe me shumë optimizëm. Sigurisht pa shmangur edhe atë pjesën e thartë që ka çdo marrëveshje –negociatë, pasi në fund të fundit, negociata është negociatë dhe duhet të bësh kompromiset përkatëse.”- përfundoi ai. (BalkanWeb)
EDITOR
12 years ago
previous article
Wizz Air: Fillon linja direkte Shkup-Stokholm
you might also like
KUVENDI RAPORTUES XVII
11 months ago
HALIL AVDULLI LIGJËROI NË SHKUP
11 months ago
“SIGURONI KIBLËN E JETËS”
1 year ago