Lexuesit e mi të nderuar do të më ndjejnë nëse titullit të vështrimit tim të radhës do t’i bëj një retrospektivë të shkurtër, me qëllim që t’i ndërtoj një lidhje logjike me përditshmërinë tonë. Unë që kam këtë moshë mentale e fizike, gjithsesi se kam leken që të respektoj institucionin ‘mendim ndryshe’ dhe rrjedhimisht të ndërroj mendje…, por jo edhe veset, lëkurën e huqet. Retrospektiva e shkurtër e titullit të këtij opinioni a vështrimi gazetaresk mund të ketë këtë shpjegim: “Thonë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjegjësisht në Uashington, të martën e parë të muajit shkurt, në hotelin Hilton organizohet për çdo vit ceremonia a takimi tradicional “Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve-National Prayer Breakfast” (që nga viti 1980, mbështetur a me një vendim të Kongresit Amerikan nga viti 1970), ku marrin pjesë shtetas, diplomatë, kryeministra, presidentë nga më shumë se 100 vende të botës. Bartës i këtij evenimenti është presidenti i shtetit…, ndonëse në këto aktivitete nuk përfshihet drejtpërdrejt Shtëpia e Bardhë. Historia thotë se ideator i këtij evenimenti është norvegjezi Abraham Vereide, përndryshe pastor i kishës protestante, i cili në moshën 21-vjeçare ishte shpërngulur në Amerikë”!
Në ceremoninë a takimin e parë të Mëngjesit Kombëtar të Lutjeve (të atij moti) liderët politikë kishin diskutuar çështje të moralit të denigruar amerikan, papunësinë, ndërgjegjen nacionale, korrupsionin, si dhe çështje të tjera sociale. Në vitet e mëvonshme, në këtë eveniment u nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe burrështetasit e Gadishullit Ilirik. “Ndoshta” pjesëmarrja e tyre është një përvojë më shumë për ta si dhe për qytetarët që i përfaqësojnë.
Në një përvojë të tillë u përfshi edhe Republika e Kosovës respektivisht kryeqendra e saj. Kjo u konceptua si “Lutjet e Mëngjesit” (!??)…, ku morën pjesë liderë partiakë, presidentja e Kosovës, prijësit e komuniteteve fetare, kongresistë amerikanë, biznesmenë kosovarë dhe mysafirë të tjerë. Në “Lutjet e Mëngjesit”, mori fjalën edhe kryetarja Atifete Jahjaga, e cila tha edhe këto: “Kosova sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Është model se si funksionon një shtet shumetnik dhe si shembull konkret se si diversiteti është vlerë e një shoqërie…” Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha: “Me marrëveshjen Kosovë-Serbi nuk ka humbës. Me të fitoi paqja, fituan popujt e të dyja vendeve, fitoi Kosova, fitoi Serbia, fitoi rajoni, fitoi BE-ja, investimi i saj…“ (!??)
Këto prononcime “nuk ka njeri që do t’i kontestojë”. Se në kuadër të evenimentit në fjalë (nuk) u organizuan lutjet e mirëfillta, mua nuk më jepet e drejta që ta diskutoj a së fundi edhe ta hetoj, aq më tepër kur ke parasysh se evenimenti në fjalë ishte një kopje tërësisht e zbehtë, e dalë nga “Mëngjesi i Lutjeve Kombëtare” (amerikane). Se në “Lutjet e Mëngjesit të Prishtinës” (dyditore), (nuk) u prek a nuk u llafos fenomeni i tolerancës ndërfetare te shqiptarët, edhe kjo nuk më vë në “siklet”…, se në “Lutjet e Mëngjesit” nuk u prek çështja e varfërisë tej mase që ka zaptuar gati çdo qytetar të Kosovës, edhe kjo nuk do të na “interesojë”, por ama të mos i kthehesh “logjikës së retorikes” të kryeministrit, do ishte vërtet jokorrekte. Në gjithë atë “fjalim a lutje” të mos prekësh çështjen e të humburve kosovarë, është jashtë çdo logjike të shëndoshë…, të mos përmendësh shpirtrat e njerëzve të cilët Kosovës ia sollën lirinë e munguar, është njësoj sikur të bësh namaz pa avdes…, të mos thuash asnjë fjalë apo edhe të mos bësh një lutje paksa më të veçantë për nënat kosovare, është njësoj sikur të thuash se ato nëna më kot (sot e kësaj dite të Perëndisë) bredhin maleve të Kosovës, në kërkim të një guri për një varr të humbur të birit a bijës së saj…!? Të mos thuash asnjë fjalë a të mos bësh një dua për ushtarakun, i cili mundohet të lëvizë me ndihmën e patericave (të dhuruara nga një organizatë bamirëse a edhe joqeveritare), është njësoj sikur t’i thuash: “ç’të të bëjmë se ke lindur i dehur dhe i marrë”. (!???)
A mos vallë në “agjendën” e kësaj “Lutjeje të Mëngjesit” të Prishtinës nuk kishte vend të diskutohet problemi i papunësisë, çështja e ekonomisë kosovare, që të duket si një i sëmurë që nuk kurohet dot kollaj. Pse në atë “Lutje Mëngjesi” nuk u tha një llaf serioz për korrupsionin që është ulur ashtu këmbëkryq dhe rehatshëm në çdo cep të Kosovës…, pse nuk u tha asnjë fjalë për ca politikanë të korruptuar dhe për moralizimet e tyre të mërzitshme, të kota dhe mbi të gjitha të thata! Po, të nderuar lexues, këto fjalë thuhen troç çdo mot në “Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve të SHBA-ve”… dhe, nëse kjo është e vërtetë, atëherë ç’i duhet ky shtrembërim “Mëngjesit” të Prishtinës, aq më tepër nëse ke parasysh se ky “është një shembull” i bartur nga kultura amerikane! (ky shembull a kjo kopje nuk të bën vetvetja, nuk të bën as amerikan e as evropian…, nuk të bën të mençur, thjesht të detyron të ndërrosh lëkurën, fytyrën, mendjen e bajrakun).
Në instancë të fundit, a mos vallë, kështu siç u organizua ky ‘Mëngjes’, nuk është një gënjeshtër e radhës e politikanëve, a nuk është iluzion a edhe produkt i një zhgënjimi për qytetarët e rëndomtë të Kosovës… pse vallë në ditën e “Lutjeve të Mëngjesit” nuk u “dëgjua” së paku një gjysmë fjale për shqiptarët e Luginës, a edhe një çerek fjale për shqiptarët e Malit të Zi dhe atyre të Maqedonisë!?… Ç’u duhej njerëzve të atij evenimenti ta çarmatosin (pa)përgjegjësinë, qoftë individuale a kolektive… Ç’u duhej të çarmatosen nga historia dhe trashëgimia e tyre… A mos vallë rendi i ditës i kësaj ceremonie ishte shkruar në “defterin e bakallit nga Tavuk Bahçeja” e Prishtinës!??… A mos vallë prezenca e politikanëve dhe biznesmenëve kosovarë duhej të kuptohej vetëm si çallën, apo edhe si një rast i veçantë në jetën e tyre, për t’u takuar e për t’u fotografuar me politikanë a edhe me kongresistë amerikanë dhe…, hiç tjetër.
A mos vallë ky eveniment për ca politikanë kosovarë (hiq mënjanë ata të Vetëvendosjes) (nuk) ishte një rast i veçantë që duke tundur “tespihet” të llafosin folkpatriotizmin, provincializmin dhe politikën e tyre katundareske. Një politikan kosovar gjegjësisht një opozitar i rebeluar disa kohë më pare kishte mëtuar të merret me teologji. Pos të tjerash kishte parafrazuar historinë e krijimit të natyrës si dhe historinë e Havës dhe Ademit!? Kishte parashtruar pyetjen se pse Perëndia ca njerëzve u “dha” varfërinë e ca të tjerëve pasurinë e mendjes. Miqtë e tij thonë se asnjëherë nuk mori përgjigje nga që kundërshtarët e kishin vënë në gjumë…, gabimisht i kishin dhënë ujë të ftoftë për mendjen e tij të vakët!?
EDITOR
11 years ago
previous article
Përse bërtasim kur zihemi?
next article
Përuruesit e vetëvrasjes!
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago