Kur ishte për herë të fundit në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, Çeçenia qe e rrënuar, kryeqyteti Grozni qe reduktuar në pluhur nga bombardimet nga ajri dhe toka, më të ashprat e shënuar në truallin e Europës që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sot, ndërsa dy çeçenë u shpallën si të dyshuar për vënie bombash vrasëse në Maratonën e Bostonit e rikthyen këtë vend në Kaukaz në qendër të vëmendjes së botës, Çeçenia duket pothuajse mrekullisht e rilindur.
Rrugët janë rindërtuar. Muret e bërë shoshë nga plumbat janë zhdukur. Pallate të reja të larta janë ngritur. Ambientet e lojërave janë përplot me fëmijë. Një xhami e stërmadhe prej mermeri shkëlqen gjatë natës.
Megjithatë, nëse gërvisht pak sipërfaqen, mrekullia del më pak impresive nga sa duket. Pas dyerve të mbyllura, njerëzit flasin për një vend shtypës dhe të deformuar, drejtuar nga një udhëheqës i imponuar nga Kremlini që sundon përmes frikës.
Qiellgërvishtësit e ruajtur rëndë të sapondërtuar në Grosni janë të rrahur nga era dhe bosh. Gjatë natës, rrugët janë të shkreta.
Atdheu etnik i Dzhokhar dhe Tamerlan Tsarnaev, një provincë përgjithësisht myslimane që pa shekuj të tërë luftërash dhe represioni, nuk kërcënon më të ndahet nga Rusia. Por ajo është bërë një vend shumimi për një formë islami militantist, aderuesit e të cilës përhapin dhunën në pjesë të tjera të Rusisë dhe mund të kenë frymëzuar radikalizmin e bombëvënësve të Bostonit.
“Mund të ngjajë sikur është stabël dhe paqësor por në fakt nuk është fare kështu”, tha një aktiviste e të drejtave të njeriut, e cila, si të tjerët që guxojnë të shprehin ndonjë kritikë, kërkojnë që të mos i shkruhet emri. Çeçenia sundohet nga udhëheqësi i mbështetur nga Moska, Ramzan Kadyrov.
Ka ende grupime të fragmentarizuara luftëtarësh rebelë nëpër male, shton aktivistja. “Dhe ka të rinj nëpër fshatra që ikin dhe bashkohen me ta, që dërgojnë ushqime në mal”.
Sushi, iPhones dhe Islam
Moska ka derdhur miliarda rubla në Çeçeni për ta rindërtuar atë. Ajo krenohet se tashmë nuk ka asnjë gjurmë të kryengritjes që poshtëroi ushtrinë e Rusisë në betejat e viteve 1990.
Mbi atë që dikur qenë mbeturinat e sheshit qendror të Grosnit, Minutka – ku një kolonë e koracuar e forcave ruse u shkatërrua pothuajse tërësisht në luftimet rrugë më rrugë në janar 1995 – tashmë ka kafe luksoze ku të rinjtë me xhaketa lëkure dhe gratë e mbuluara me shami hanë sushi dhe luajnë me celularët iPhone.
Kadyrov, një ish-rebel 36-vjeçar, shfaqet nëpër tabela të mëdha në rrugë apo në ekranet e televizorëve. Një slogan me neone të kuq deklaron: “Ramzan, faleminderit për Groznin!”
Një njeri trupngjeshur me një mjekër të prerë me kujdes dhe me sy intensiv gri, ai kultivon imazhin e një myslimani të nevojshëm dhe një familjari të mirë, i dashuruar pas idesë së publikimit të fotove të veta në internet.
Ai dashuron festat e mira, veçanërisht në rastet kur është vetë i ftuari i nderit. Më 2011-n, ai punësoi këngëtaren Seal dhe yjet e Hollivudit Jean-Claude Van Damme dhe Hilary Swank për të marrë pjesë në festimin e ditëlindjes së tij. Pasi grupimet e të drejtave të njeriut u ankuan, Swank kërkoi ndjesë, pushoi nga puna menaxherin e saj dhe e dha pagesën me gjashtë shifra që pati marrë në këtë rast për bamirësi.
Kadyrov dhe zyrtarët e tij mohojnë të jenë përfshirë në abuzime, vrasje apo zhdukje. Por kritikët e tij kanë një histori të gjatë të vdekjeve në vrasje të pazgjidhura apo të zhdukjeve pa gjurmë.
Grupimet e të drejtave të njeriut e kanë lidhur Kadyrov me vrasjet e gazetares opozitare ruse Anna Politkovskaya, emigrantët çeçenë në Austri dhe Turqi, si dhe vrasjet e shefave të klaneve çeçene që janë qëlluar për vdekje në Moskë e Dubai. Për të gjitha këto raste ai mohon përfshirjen.
Aktivistja ruse e të drejtave të njeriut Natalya Estemirova u rrëmbye në Grozni në vitin 2009 dhe u gjet më vonë e vdekur. Grupimet e të drejtave të njeriut kanë një listë me mbi 5 mijë çeçenë që rezultojnë ende të zhdukur.
Zyra e Kadyrov tha se ai nuk ishte i disponueshëm për intervistë.
Besnikëria e tij mund të jetë e sikletshme edhe për Kremlinin. Në zgjedhjet e fundit, partia e Presidentit Vladimir Putin, Rusia e Bashkuar, fitoi më shumë se 99 për qind të votave në Çeçeni, me normën e pjesëmarrjes sipas stilit sovjetik, 99 për qind.
Rruga kryesore e Groznit tashmë ka emrin e Putinit.
“Ajo që po ndodh këtu është absurde. Është ‘1984’ nga George Orwell (romani i tij i falshëm)”, tha një disident që kërkoi që identiteti i tij të mos publikohej. “Asgjë nuk pritet të ndodhë këtu edhe për shumë kohë. Pranvera Çeçene? Harroje!”
Llambadar i artë
Në Grozni, rruga ngrin dhe njerëzit shohin me një miks frike dhe nderim kur kolona e makinave të Kadyrov kalon me zhurmë përmes qytetit. Aleatët e tij të ngushtë kanë makina luksoze me dritare antiplumb, si dhe targa me germat dalluese “KRA”, inicialet e tij “Kadyrov, Ramzan Akhmatovich”.
Babai i Kadyrov ishte një ish-myfti rebel që u vendos në detyrë në Çeçeni nga Putini dhe sundoi deri sa u vra në vitin 2004. Një muze për të krenohet se ka llambadarin më të madh të Rusisë, me peshë 1.65 tonë që mbart 22 kilogramë ar.
Ndoshta në përpjekje për të kufizuar ndikimin e rebelëve islamikë duke i konkurruar me religjion, Kadyrov ka ndaluar alkoolin dhe bixhozin, ka promovuar poligaminë dhe mbulimin e grave. Disa vite më parë mbështetësit e tij u panë duke i gjuajtur me peintboll grave që kishin rroba të cilësuara si jo modeste mjaftueshëm.
Megjithatë, promovimi i islamit nga Kadyrov nuk e ka pakësuar joshjen për versionin radikal të praktikuar nga luftëtarët e udhëhequr nga Doku Umarov, një ish-udhëheqës guerilas pro pavarësisë së Çeçenisë që tashmë udhëheq një revoltë islamike të përqendruar më së shumti në Dagestanin fqinj.
“Kur ata na thonë ne se vetëm kjo formë zyrtare e Islamit është e lejuar, natyrisht të gjithë do ta vënë në pikëpyetje këtë”, tha aktivisti i të drejtave të njeriut. “Njerëzit nuk kanë qejf t’u mbahen leksione se sa besimtarë duhet të jenë”.
Devocion dhe fyerje
Si në kohët sovjetike, është e pamundur të thuhet se çfarë realisht mendojnë çeçenët për udhëheqësin e tyre. Kur pyeten në publik, banorët përgjigjen me shumë shprehje lajkatare devocioni.
“Nuk e di se çfarë mund të kishte ndodhur me ne pa udhëheqësin tonë”, tha Fatima Magomedova, 44 vjeçe, një punonjëse e mbuluar rëndë e një dyqani lulesh. “Ne jemi të lirë tashmë”.
Shumë padyshim janë të sinqertë në admirimin e tyre për Kadyrov, i cili ka sjellë paqe dhe prosperitet relativ pas një dekade lufte që vrau dhjetëra mijë njerëz, më së shumti, civilë.
“Nuk mendoj se shumë njerëz duan të ikin. Në fakt, shumë çeçenë thonë se duan të kthehen. Ata që po ikin janë ata që kërkojnë një jetë të lehtë”, thotë Khamza Khirakhmatov, zëvendësi i një udhëheqësi zyrtar shpirtëror në Çeçeni.
“Ata që duan të arrijnë diçka, njëfarë suksesi, thjesht po kthehen pas, duke krijuar vende pune, duke u përfshirë në projekte për të promovuar moralitetin dhe spiritualizmin dhe për të ndihmuar republikën tonë”.
Por jashtë qendrës me shkëlqim të qytetit gjendet një vend i varfëruar ku papunësia është deri në 80 për qind në disa rajone. Shumë vijnë në Grozni në kërkim të punës, por ankohen se punët janë të rezervuara vetëm për ata në klanin Kadyrov.
“Është shumë e vështirë. Pothuajse nuk ka fare punë. Unë kam qenë pa punë për shumë vite. Të gjitha qendrat e ndërtimit drejtohen nga njerëzit e Ramzan dhe është e pamundur të gjesh një vend pune atje sepse të gjithë janë duke kërkuar vend pune atje”, thotë Lyoma, një burrë nga qyteti Urus-Martan, duke pritur të punojë në anë një rruge bashkë me punëtorë të tjerë me mëditje të grumbulluar nga e gjithë Çeçenia.
Jashtë Groznit, Çeçenët mbijetojnë me bujqësi në shkallë të vogël në fshatra të shpërndara në një brez pjellor mes kryeqytetit dhe maleve të larta të mbuluara me dëborë të Kaukazit në jug.
“Njerëzit jetojnë nga bujqësia. Ata hanë çfarë rrisin”, thotë Yusup, një banor vendës në një fshat malor të quajtur Itum-Kale, i cili gjendet në luginën e një lumi në kufi me Gjeorgjinë. “Është shumë bukur këtu, por nuk ka punë për të rinjtë”.
Të tjerë ëndërrojnë për të ikur.
Rukiyat Arsayeva shkoi në Grozni për të aplikuar për një pasaportë me shpresë për të udhëtuar në Europë. Ajo tha se po kërkonte ndihmë mjekësore për dy vajzat e saj.
Njëra prej tyre, tashmë 14 vjeçe, u plagos në kohën kur sapo kishte mësuar të ecte nga një bombardim ajror rus. Tjetra, tashmë 20 vjeçe, mbeti e shurdhët kur ishte fëmijë nga një shpërthim rakete.
Nëna e tyre tha se kishte frikë se bombat e Bostonit do ta bënin jetën më të vështirë për çeçenët që kërkojnë viza për t’u arratisur në Perëndim.
“Çeçenët tashmë do të fillojnë të shihen si njerëz të këqij. Ne nuk jemi terroristë. Pas asaj që ndodhi nuk e di se çfarë lloj trajtimi mund të presim atje”, tha ajo e nervozuar, ndërsa palos dokumentet e saj në një rrugë të pluhurosur jashtë zyrës së pasaportave.
“Ajo çfarë ndodhi në Boston është shumë keq. Unë jam një person i vogël. Gjithçka që dua është të ndihmoj fëmijët e mi”.
EDITOR
11 years ago
you might also like
REAGIM ME RASTIN VANJA
12 months ago
ÇMIMI “HAFËZI I RI I VITIT”
2 years ago
Çmimi “Shkencëtari i ri i vitit”
2 years ago