Këtë vështrim timin do ta filloj duke iu referuar një “vakie’ nga “vakti” i Qeverisë së Ismail Qemal bej Vlorës, ideatorit të mëvetësimit të Shqipërisë. Thonë se një shqiptar mysliman që kishte jetuar në një fshat rreth Elbasanit, kishte vajtur në Korçë për të ushtruar “profesionin e priftit ortodoks”. Pas disa muajsh, besimtarët korçarë që ishin frekuentues të rregullt të hapësirave të kishës së tyre, kishin konstatuar se “ky farë prifti” predikimin nuk e kishte bërë me përkushtim, andaj edhe e kishin larguar. Para se të ikte, “prifti” u dha korçarëve këtë përgjigje: “…, do kthehem në fshatin tim për të bërë imamllëkun”!?
Sot, kësaj “vakie” aristokratët e politikëbërjes profesionale, serioze dhe të qëndrueshme do t’i thonë: “o, do bësh punën që ke marrë përsipër, o do të shporesh nga kisha, xhamia dhe politika, o do thyesh qafën, sepse ndryshe nuk bëhet!”. Para s’e ta shpjegojmë “historinë e fundshpinës” së polikëbërjes këtu në nënqiellin e Maqedonisë “biblike” (në veçanti të partive politike maqedonase), besoj se do na lejohet që t’i referohemi një opinioni të botuar para disa ditë në rubrikën “KULTURË” të gazetës së përditshme “Panorama” të Tiranës, me firmë të studiueses dhe kritikes Persida Asllani, e cila i kishte bërë një parathënie veprës së Ismail Kadaresë, “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”…, ku, pos të tjerash, kishte cituar një thënie të moçme të Kadaresë “…, nuk kam gjuhë…thashë gati me dënesje. E ndieja që po flisja përçart. Nuk kishte gjuhë për atë që kisha në shpirt. Duhej një gjuhë tjetër. Kurse kjo, e këtushmja…, s’më bindej”!
Që lexuesit e paanshëm të këtij vështrimi të mos i vë në “huti” e dilemë, më duhet t’u them që në fillim se edhe sot, pas dy dekadash të tranzicionit (në Republikën e Maqedonisë) politik të stërzgjatur dhe të mërzitshëm, mos vallë politikanëve të Shkupit (nuk) u mungon ajo gjuhë e Kadaresë (as që mund ta kenë një të tillë, po qoftë ajo të jetë e përçart a edhe adoleshente), me të cilën do të kishin dalë nga vorbulla e kësaj katrahure, një katrahurë që ashtu pamëshirshëm e ka zaptuar “toptan” politikën e tyre këmbë e krye ”ters”…, a mos vallë politikanët maqedonas do vazhdojnë të ballafaqohen me mungesën e komunikimit të ndërsjellë…, a mos vallë politikanëve në Maqedoni (hiq mënjanë shqiptarët) edhe sot e kësaj dite “duhet t’u mungojë logjika e fakteve”, ose ajo duhet të zëvendësohet me “gjykimin a edhe çapkënllëkun fëmijëror”!?…, a mos vallë (nuk) u duhet një gjuhë krejt tjetërfare…, a mos vallë edhe pas kësaj “moshe të thellë politike”, duhet të ngelin si ata adoleshentët e dashuruar…, a mos vallë kjo dashuri e tyre në vend që t’i “faturohet imazhit të partisë politike, simpatizantëve dhe votës deliberative të tyre a edhe shtetit”, ajo “do të duhet të shkojë” në adresë të gabuar, gjegjësisht në kryeminderin e  kështjellës së dufit të tyre, sa të tërbuar, po aq edhe homerik!
A mos vallë sot e gjithë ditën e Perëndisë, politikanët maqedonas, që frymojnë këtej një cepi të Gadishullit Ilirik, nuk u bie ndërmend e kaluara e tyre e sajuar a e shkurdisur, a mos vallë nuk janë të ndërgjegjshëm se anija e tyre pa “kompas politik” rrezikohet të fundoset në ujërat e turbullta të Ballkanit…, a mos vallë nuk janë të ndërgjegjshëm s’e ditë për ditë u zbehet “emri i shtetit”, identiteti i kishës e gjuhës edhe ashtu të padefinuar a të  rremë…, a nuk u “punon rradakja” s’e shqiptarët ishin të vetmit që ua “shtrinë dorën e shpëtimit”…, a mos do të thonë se “ndihma e komuniteteve” që jetojnë përreth nesh nuk na duhet. Pse, gjithë ky inat i tyre sa i përket mosndërtimit të një komunikimi diplomatik dhe serioz me palën greke…, pse gjithë ky “dembelizëm i tyre i theksuar” ndaj  moszgjidhjes së çështjes së emrit të tyre, po edhe tonit…, pse politikanët maqedonas, sa herë që t’u teket e t’ua dojë qejfi të hidhen në lumë, aq herë edhe duhet të na stërpikin a të na lagin me ato ujëra të zeza që, siç kishte thënë dikur akademik Dervish Rozhaja, lëre që nuk mund të  shuash etjen me këtë ujë, por as nuk mund të marrësh “avdes”! Nëse ata mendojnë se vetë do të mund ta zgjidhin çështjen në fjalë, atëherë le të thonë “ashiqare”: ju, shqiptarët, në këtë “llaf-muhabet me grekët nuk keni hise”,  nuk na duheni…, pavarësisht se jeni “hisedarë në këto troje”. Tekefundit, politikanët “inatçorë” të Shkupit, duhet ta dinë se shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë kohë për të pritur zgjidhjen e emrit, për faktin se edhe ata ballafaqohen me “problemet e hallet” e tyre, qofshin ato sociale, politike, kulturore e të tjera.
Një gerontolog i njohur gjerman, dikur një stërnipi të një plaku, i kishte parashtruar pyetjen se pse stërgjyshi i tij kishte jetuar shumë gjatë. Ai ishte përgjigjur shkurt: kishte shikuar punët e veta. Mos vallë kjo pyetje e gerentologut a edhe shpjegimi i atij stërnipi, nuk u hynë në punë politikanëve shqiptarë…, apo ndoshta kanë nevojë për ndonjë sqarim tjetër, po qoftë ai të jetë akademik a diplomatik. Nëse kjo përgjigje e këtij stërnipi është e saktë, atëherë ç’u duhet shqiptarëve kjo “ortakëri joparimore”, po qoftë ajo të jetë edhe diplomatike. Neve do na duhet të parashtrojmë edhe një pyetje hipotetike, sikur shqiptarët ta kishin “zgjidhur” problemin e çështjes së emrit të Republikës së Maqedonisë, mos vallë nesër apo në një kohë tjetër, diplomatët maqedonas nuk do të thoshin se këtë punë, e bëmë ne vetë!?? Mos vallë shqiptarëve, edhe pas kushedi sa “vaktesh”, u duhet t’i besojnë “ortakërisë” me maqedonasit…, a mos vallë ai “bashkim-vëllazërim” i dikurshëm nuk ua hëngri kokat shqiptarëve…, mos vallë shqiptarëve këtej ish-Jugosllavisë u mungon ajo “arkiva e kujtesës pamore e dëgjimore” sa i përket anashkalimit të të drejtave të tyre në Republikën e Maqedonisë…, ndaj akuzave për nacionalizmin dhe separatizmin shqiptar…, mos vallë kemi harruar atë deklaratën e Kiro Gligorovit në lidhje me atë “korridorin e tij të famshëm” që do të shfrytëzohej nga ana e kosovarëve të dëbuar nga trojet e tyre shekullore! A mos vallë kemi harruar vendimin e Lidhjes Socialiste të Maqedonisë që urdhëronte rrënimin e mureve të oborreve të shtëpive të shqiptarëve dhe shumë e shumë aktakuza të nënshkruara nga prokurorët e atëhershëm…, vallë nuk na etiketuan si “pllaninari, teroristi, dobar shiptar e mrtov shiptar, gasna komora za shiptari” e të tjera hamam etiketime. Të gjitha këto fyerje përngjajnë si ajo puna e atij pronarit të bordellos që sa herë kalamajtë e tij e pyesnin se si i fiton lekët, ai u përgjigjej: i fitoj me djersë, me punë dhe…, sa për pak kishte harruar të thotë se i fiton edhe me prapanicat e rospive!… A mos vallë ne nuk kemi nevojë ta rikujtojmë atë kryeartikullin e gazetës së përjavshme “NIN”, që asokohe botohej në Beograd, ku politikani i njohur maqedonas, Llazar Mojsovi (jo futbollisti i Vardarit), u tha shqiptarëve që jetonin në Kosovë dhe Maqedoni, pos të tjerash: nëse nuk doni të jetoni në Jugosllavi, shkoni në Shqipërinë e Enver Hoxhës!? Nëse kjo është “ortakëri a bashkëjetesë”, atëherë ç’na ishte dikur Tivari, Monopoli i Tetovës, Kosova e prapambetur dhe e nëpërkëmbur, ç’na ishte konflikti a lufta e “fundit” në Tanushë, në Luboten dhe… që unë nuk di ku tjetër.
Im atë dikur më thoshte: “Mos i fut hundët në çështjet e pazgjidhura të një çifti të divorcuar a edhe në punët e huamarrësve…, sepse në fund do të duhet t’ia paguash borxhin njërit prej tyre!??…, ose edhe do të jesh pjesëmarrës i këtyre mosmarrëveshjeve. Thonë se sikur “ortaku” të ishte i mirë, një të tillë do ta kishte edhe Zoti!?