Nga pikëpamja social-kulturore, rajoni i Anamoravës është një entitet mes tradicionales dhe modernes. Gjilani, qyteti më i madh i saj, në strukturën e vet shoqërore për shumë kohë ka pasqyruar vlerat bazë, ato kombëtare dhe fetare. Në dekadat e fundit kjo anë ka qenë dhe ende vazhdon të jetë dëshmitare e ndryshimeve social-kulturore. Intelektualët e këtushëm, që në numër nuk janë të pakët, përjetuan një transformim të llojit të vet; disa prej tyre edhe më tutje reflektojnë shenja të atij “qytetërimi” që ra ndërsa të tjerët të këtij që është dhe që nuk e dimë se ku po na çon. Meqë ata ende nuk arritën të jenë promotorët e shoqërisë, politika po vazhdon të ketë fjalën kryesore.
Së këndejmi, ekzistojnë një mori problemesh intelektuale që diskutohen, për të cilat nuk ka zgjidhje të dëshiruar, ndaj vazhdimisht shpresohet në shtetin i cili ka shumë probleme të veta, ende të pazgjidhura. Të kyçur aty këtu nëpër debate, disa herë shterpe, intelektualët po lënë anash çështjet që kanë të bëjnë me jetën shoqërore. Demokracia kosovare e brishtë, e ngjeshur me zënka dhe konflikte politike, varfëria dhe problemet e tjera sociale vazhdojnë të shqetësojnë sërish rajonin tonë.
Kudo flitet për kriza dhe politikë. Njerëzit harrojnë të gëzohen, dhe nëse gëzohen, gëzohen për pak kohë. Bisedat nëpër takime mes të rinjve, të rejave, grave, burrave dhe pleqve janë shqetësuese, pa inspirim dhe pesimiste. Rrallë dëgjon të flitet për ndonjë libër, të komentohet ndonjë roman dhe thuajse nuk folet fare për vlerën e ndonjë poezie apo pikture. Në promovime librash, për autorin flitet më shumë se sa për vlerën e veprës. Edhe aktivitetet fetare janë të zbehta; të pamet për ngushëllime të organizuara në ambiente të çuditshme si dyqane, bodrume, mbase edhe nëpër depo e pleme mbesin të pame sa për të parë por jo për t’u shfrytëzuar për ndonjë ligjëratë rasti enkas për familjarët dhe të pranishmit. Qelimja me zë të lartë në “kupë të qiellit” i këndohet të vdekurit por të gjallëve u thuhet shumë pak. Nëpër shtëpitë e reja organizohen mevlude në të cilat flitet shumë pak për kultivimin e vetë atyre shtëpive. Zëri i lartë i muzikës në shumicën e lokaleve nëpër dasma dëgjohet në “shtatë kojshi”, ndërsa ata që janë brenda për disa ditë mbesin të shurdhër. Qytetarët kanë nevojë të kthjellohen, të dinë më shumë të veten, t’i besojnë vetes, t’i kthehen vetvetes dhe nga aty të fillojnë. Ndryshimi i gjendjes është i domosdoshëm. Intelektualët e përgjegjshëm duhet të lëvizin, sa më shpejt që është e mundur.
Kështu, si në mjegull kemi dy linja me ndikim nga pikëpamja sociale dhe politike, ku që të dyja mund të jenë të dëmshme, nëse nuk dimë t’i ratifikojmë në dobinë tonë. Ato duhen shfrytëzuar për të shpjeguar dhe për t’i dhënë zgjidhje tatëpjetës fetare dhe intelektuale të kësaj ane. E para është linja e traditës fetare dhe kombëtare, ndërsa tjetra bazohet në mohimin e trashëgimisë historike të traditës dhe praktikës fetare. Nëse kjo e fundit pëlqehet më shumë e që sipas nesh ajo është e çliruar së tepërmi nga identiteti ynë dhe e cila progresin e shikon vetëm nëpërmjet prizmit të vlerave kulturore dhe materiale të Perëndimit si dhe të mënyrës së jetesës që këto vlera prodhojnë, e para, dinamikat e progresit i ndrydhë dhe i interpreton vetëm brenda kufijve të traditës. Për të dytën, çdo gjë që vjen nga çdo anë përveç Lindjes, është e pranueshme, ndërsa e para harron se globi ka katër anë. Personalisht, mendoj se duhet ruajtur fryma e familjes tradicionale e në të njëjtën kohë të mirëpriten interpretimet e reja të cilat nuk bënë t’i gjykojmë menjëherë si “dalje jashtë linje”.
Ne nuk duhet të fshehim identitetin tonë. Përgjatë rrugëtimeve të jetës dhe në shumë vende të botës jemi munduar të reflektojmë idenë se perceptimi i saktë i botës, nuk është ndryshe nga përvoja jonë për të cilën besojmë se identiteti dhe praktikat fetare nuk janë të ndara nga thelbi i shoqërisë. Një karakter fetar i sinqertë do të ishte përfitim edhe për shtetin. Ndëshkimi i qytetarëve për shkak të koncepteve që kanë nuk është i dobishëm. Sipas nesh, njëri ndër problemet më qenësorë është edukimi fetar, ama, jo i gabuar. Rajoni ka nevojë për njerëz të virtytshëm, ndërsa virtyti, si diçka që korrespondon me ndërgjegjen arrihet nëpërmes mësimeve fetare, por jo vetëm me to. Nisur nga këtu, njerëzit e fesë duhet të lexojnë më shumë, fenë ta kuptojnë drejt dhe të jenë në gjendje që ta shpjegojnë atë në mënyrë paralele me vijën e dinamikave të kohës dhe të lartësimit të vlerave tona kombëtare.
Përfundim
Nëse transformohet kultura, atëherë identiteti kombëtar dhe fetar duhet të ruhet. Duhet të tregohet gatishmëri për sfidat e së ardhmes, të mos biem në dëshpërime dhe të kultivojmë norma morale përballë transformimeve që po përjeton vendi ynë. Sidomos rinia, pjesa më vitale e shoqërisë duhet të ketë kujdes ndaj kërkesave për kthimin nga e kaluara dhe prej ëndrrave që e bëjnë të fluturojë pa krahë drejt së ardhmes. Nuk është regresive çdo gjë që trashëgojmë e as progresive çdo gjë që është e re. Rinia duhet të vijojë konturimin e përvojës së vet individuale, shoqërore dhe fetare, duke u marrë njëkohësisht në mënyrë aktive me transformimet sociale në proceset e kohës. Për t’u realizuar kjo, rajonit, vendit dhe tërë kombit i duhen njerëz të shkolluar mirë e drejt, mbase më shumë se kaq; besim i sinqertë në Zotin dhe vullnet i hekurt.
Ky shkrim është botuar në gazetën ZËRI me datë 29. 06. 2013.
EDITOR
11 years ago
previous article
Kosova më keq se Bosnja
next article
Ndërmjetësimi mes bashkëshortëve në perëndim
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago