Autoritetet shëndetësore në Arabinë Saudite u kanë kërkuar pelegrinëve që vizitojnë objektet e kultit me rastin e Ramazanit që të vendosin maska në ambjentet e populluara, me qëllim pengimin e përhapjes së virusit MERS.
Një listë me kërkesa e lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë u sugjeron personave në moshë me sëmundje kronike që të shtyjnë pelegrinazhin e tyre.
Të paktën 38 persona kanë vdekur nga virusi MERS në Arabinë Saudite, ndërkohë që miliona myslimanë nga e gjithë bota pritet të marrin pjesë në pelegrinazhin e tetorit.
Një herë në vit, pelegrinët bëjnë udhëtimin e tyre drejt Mekës, në Arabinë Saudite dhe falen së bashku përpara Kaabasë.
Besimtarët myslimanë udhëtojnë gjithashtu drejt objektit të shenjtë edhe periudha të tjera, si dhe vizitojnë Masjid Al Nabawi, siç njihet ndryshe Xhamia e Profetit në Medina.
Autoritetet shëndetësore u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve që të kujdesen për standartet e higjenës personale, të përdorin facoleta kur teshtijnë dhe kolliten, si dhe të kenë vaksinat e duhura.
Virusi MERS (Middle East respiratory-sindrome) u shfaq në gadishullin Arabik në shtator të vitit 2012 dhe është pjesë e një familjeje të madhe virusesh, ku përfshihen i ftohti i zakonshëm dhe SARS-i (severe acute respiratory syndrome).
Organizata Botërore e Shëndetësisë deri tani ka konfirmuar 80 raste infektimi, përfshirë 44 raste vdekjeje në mbarë botën. / Top Channel