Drejtues të Komunës së Prizrenit, TIKA-s turke dhe të Këshillit të Bashkësisë Islame, të enjten kanë nënshkruar Marrëveshjen trepalëshe për rregullimin e oborrit të Xhamisë së Sinan Pashës.
Përfaqësues të këtyre institucioneve kanë vlerësuar se qëllimi i këtij projekti është mbrojtja e njërës prej ikonave të trashëgimisë kulturore të Prizrenit sikurse edhe krijimi i kushteve të duhura për besimtarët që i kryejnë ritet fetare. Në bazë të parallogarisë së bërë nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim, TIKA, vlera e projektit pritet të arrijë në 300 mijë euro.
“Në vitin 2011, ne e kemi përfunduar projektin e restaurimit të Xhamisë së Sinan Pashës, por rregullimi i oborrit pati mbetur për tani. Projekti është hartuar nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Historike, është aprovuar nga Ministria e Kulturës edhe nga kryetari i Komunës së Prizrenit. Me realizimin e këtij projekti do të krijojmë një hapësirë shoqërore që do të përdoret nga besimtarët, por edhe nga të gjithë qytetarët e Prizrenit”, ka thënë koordinatori i TIKA-së në Kosovë, Adem Urfa. Sipas tij, punimet për këtë projekt do të nisin shpejt dhe do të përfundojnë brenda këtij viti kalendarik.
Urfa ka sqaruar se restaurimi i trashëgimisë kulturore osmane në Kosovë zë një vend të rëndësishëm në agjendën e TIKA-s dhe se deri më sot ka përfunduar shtatë projekte të restaurimit në tërë Kosovën.
“Në agjendën tonë janë edhe tetë projekte të tjera, prej të cilave pesë janë të gatshme dhe shpejt do të nisin punimet derisa tri të tjera janë në hartim e sipër. Vlera e këtyre projekteve kap shifrën prej 3,7 deri 4 milionë euro”, ka deklaruar Urfa, para gazetarëve.
Ndërsa kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, Lutfi Ballëku, ka theksuar se Sinan Pasha ka një vlerë të jashtëzakonshme për qytetin dhe se është një monument që ka nevojë për një trajtim të mirë.
“TIKA e ka restauruar xhaminë, por edhe oborri ka nevoje për trajtim, prandaj presim fillimin e shpejtë të punimeve. Ne gjithmonë i kemi parasysh nevojat e xhematit dhe çdo objekt që ndërtohet në oborrin e Sinan Pashës do të jetë për nevojat e xhematit dhe do të shërbejë për nevojat e ibadetit, pra do të ketë kroje, abdeshane, dhomën e imamit, dhomën e mësim-besimit, atë të leximit dhe një bibliotekë”, ka thënë Balleku.
E kryetari i Komunës, Ramadan Muja, ka vlerësuar se bashkëpunimi i tri palëve të përfshira do të mundësojë realizimin e një projekti që do të jetë në shërbim të komunitetit fetar, qytetarëve, por edhe vetë strukturës historike të qendrës së
Prizrenit.
“Duke ditur se qyteti i Prizrenit identifikohet me Xhaminë e Sinan Pashës, me Shatërvanin dhe objektet tjera në zonën e parë, ne jemi të interesuar që atë objekt ta kemi në gjendjen më të mirë të mundshme dhe ta ruajmë si trashëgimi kulturore e historike”, ka thënë Muja.
Maketi i Xhamisë së Sinan Pashës sipas projektit të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike të Prizrenit
Pak orë pasi është dhënë lajmi se 300 mijë euro do të investohen në rregullimin e oborrit të Xhamisë së Sinan Pashës, Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA) dhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), të enjten kanë nënshkruar Memorandumin për realizimin e projektit.
Sipas një komunikate për medie, MKRS-ja, përmes kësaj marrëveshjeje, obligohet të bëjë sigurimin informatave dhe dokumentacionit të nevojshëm, të sigurojë lejen për miratim të projektit si dhe të asistojë në koordinim me institucionet e tjera relevante për sigurimin e Lejeve.
BIK-u obligohet që si pronar i objektit të lëshojë lejen për implementimin e punimeve në këtë projekt konservues-restaurues.
Sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi, ka thënë se ky memorandum thellon bashkëpunimin mes Kosovës dhe Turqisë. “Ne konsiderojmë se TIKA është një partner i rëndësishëm i MKRS-se, sidomos në fushën e trashëgimisë. Dihet që MKRS-ja ka projekte të shumta, sidomos në fushën e trashëgimisë, e nder partnerët më të rëndësishëm është edhe ‘TIKA’ e Turqisë”, ka thënë Firzi.
Shefi i Zyrës për Kosove i TIKA-s, Adem Urfa, ka rikujtuar që kjo agjenci është aktive nga viti 2007 dhe gjate kësaj kohe ka implementuar shumë projekte konservimi e restaurimi të objekteve të trashëgimisë kulturore.
“Populli i Kosovës ka treguar gatishmërinë e tij e po ashtu edhe mbështetja e institucioneve të Kosovës dhe Bashkësisë Islame na kane ndihmuar që në fushën e trashëgimisë të kemi ngritje të buxhetit dhe të restaurimit të objekteve të trashëgimisë”, ka thënë ai.
Sekretari i BIK-ut, Resul Rexhepi, ka thënë se Kosova ka me së të mburret, sa i përket trashëgimisë kulturore, veçmas me xhamitë. /kohaditore/