PYETJA: Ne kemi dëgjuar se lejohet të hahet mishi i kafshës që e ka therrur një krishter, por këtu në perëndim, ka raste kur ndonji musliman për shkaqe të ndryshme të kalojë në krishterizëm. Tash, a lejohet ta hamë mishin e kafshës që e therr ky person?
PËRGJIGJA: Esselamu alejkum. Është e vërtetë se Allahu i Madhërishëm e ka lejuar të hahet mishi i kafshës së lejuar të cilën e ka therrur një ithtar i librit-Ehli Kitab, e që me këta aludohet në hebrejtë dhe krishterët. Allahu i Madhërishëm në Kur’an ka thënë:<<Sot u lejuan për ju ushqimet e mira, edhe ushqimet (të therrurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therrurat) tuaja janë të lejuara për ta (u janë lejuar)…>>[el-Maide: 5]. Ibn Kethiri në tefsirin e tij ka thënë:”Me konsensusin e dijetarëve është e pohuar se kafshët të cilat i therrin ithtarët e librave, janë të lejuara për muslimanët…”.
Mirëpo, kjo vlen për ata pjestarë të krishterizmit dhe hebreizmit të cilët lindin në familje hebreje dhe krishtere, dhe pasi të arrinë moshën madhore, e vazhdojnë rrugën e pribdërve të tyre, pra i takojnë krishterizmit dhe hebreizmit. Nga ana tjetër, nëse një musliman kalon në krishterizëm apo hebreizëm, kafsha që e therr, nuk hahet, ngase ai është murted-renegat, e renegati konsiderohet i pa fe, pasi ka dalur prej Islami. Me këtë rast, nuk ka rëndësi nëse ai ka kaluar në krishterizëm, kjo nuk e bën atë që të trajtohet si hebrejt dhe krishterët në dispozitat juridike, në rastin konkret, kafsha që e therr ai, nuk e ka tretmanin e kafshës që e therr hebreji apo krishteri i lindur në familje hebreje apo krishtere. Ky është renegat, dhe nuk i pranohet statusi i ithtarit të librit, njejtë si që nuk i pranohet feja as idhujtarit. Ky është qëndrimi i katër medhhebeve dhe pjesës dërmuese të dijetarëve islamë.
Allahu na ruajt nga braktisja e fesë Islame.
Bashkim Aliu