Para një jave, gazeta’ Koha Ditore’  publikoi intervistën që kishte bërë me Schwartzin, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Pluralizëm Islamik me seli në Vashington.
Koha kur u publikua intervista  ishte kohë afërzgjedhore për Bashkësinë Islame të Kosovës, prandaj s’do mend se intervista, siç zbulohet edhe nga përmbajtja, ishte bërë jo aq për kureshtje opinioni, sa me qëllim ndikimi në këto zgjedhje. Intervistimi, si jo rrallë herë në gazetat kosovare, ishte sinonim i peshkimit dhe Schwartzi u zu si peshk nga ‘ Koha Ditore’, ndonëse në prag vjeshte.
Idetë që provokohen dhe që jepen në atë intervistë janë aso për të cilat Sami Frashëri thoshte se ngjajnë me qymyrin që, ndonëse nuk djeg, nxin.
Për fjalë të pabaza që dëgjonin për mësuesin e tyre, i janë ankuar Ebu Hanifes, imamit të preferuar të Schwartzit, nxënësit e tij.  Ebu Hanifja me atë rast  u shpjegoi nxënësve se nga të  tilla fjalë ishte rënduar edhe Musai a.s., madje ai a.s. i kishte kërkuar Allahut që t’i ndalte njerëzit të mos flisnin për të pa bazë dhe Allahu i kishte thënë Musait a.s. që njerëzit nuk i ndal  dot të flasin as për Veten e Tij e lëre më për njerëzit.
Prandaj, fjalët që thuhen e idetë që jepen, sidomos për çështje madhore, duhen verifikuar e jo të besohen me t’u thënë e me t’u artikuluar.
Schwartzi, nga ana e tij, nuk është hera e parë që mundohet t’i imponohet publikut  shqiptar duke folur keq për personalitete  shqiptare të respektuara dhe me arritje të veçanta . Më parë, ai është marrë me shkrimtarin Ismail Kadare dhe ka dhënë mendimin,  si zakonisht absurd, se vepra e tij nuk paska vlerë letrare, pa ngurruar që edhe të sygjerojë, me të drejtat që ia njeh vetes, të mos i jepet çmimi ‘ Nobel’ për letërsi. Shkrimtari Kadare, në reagimin e tij, Schwartzin e ka quajtur provokator dhe përçarës fetar.
Jo rastësisht duket se , pasi është bërë mysliman, ka zgjedhur për vete emrin e një të dërguari që kishte pasur pushtet të madh. Sulejman.  Sulejmani a.s. me një letër të dërguar Belkises  shpejt sa çil e mbyll sytë, e kishte kthyer në fe të vet, kurse Sulejman Schwartzi, me një letër interviste që endet, dorën në zemër, jo ngadalë Prishtinë -Amerikë, do që sakaq të ndryshojë rrjedhat në Bashkësisë Islame të Kosovës. Forma ka ngjashmëri, nijeti jo dhe Schwartzi, si sufi që pretendon  të jetë, duhej ta konsideronte më shumë  ndikimin e nijetit.
Ai, në intervistë, i bie më shumë idesë se largimi i myftiut aktual është parakusht për adresimin e problemeve në luftimin e ndikimeve ekstreme në islamin shqiptar, i cili tradicionalisht ka qenë i moderuar dhe tolerant.  Si shembull  të ndikimeve ekstreme që ka për qëllim, përmend protestat e organizuara në  Kosovë në mbrojtje të shamisë.
Si studiues i historisë dhe i kulturës shqiptare që hiqet të jetë, Schwartzi do të duhej të paktën të kishte dëgjuar për protestat masive në Shkodër, në vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar, që ishin organizuar kundër vendimit të mbretit Zog për heqjen , jo më të shamisë, por të nikabit ( mbulimit edhe të fytyrës)
Raportimet për këto protesta janë dhënë edhe në anglisht dhe në italisht, gjenden  të ruajtura fjalë për fjalë në disa libra historie për kohën e sundimit të mbretit Zog (shih për këtë  librin ‘ Kombi dhe feja në Shqipëri 1920-1944′ të autorit Roberto Moroco dela Roka).
Atëherë, myftiu ynë nuk ka qenë as i lindur dhe s’ ka pasur si t’i pengojë e as të adresojë gjë për to.
Bëjnë përshtypje fjalët kyçe që përdor  Schwartzi ( largim, luftim…), përdorimi i të cilave mund të shpjegohet vetëm përmes  një analize psikolinguistike. Ai, siç dihet dhe e pohon vetë,  dikur i ka përkitur ideologjisë staliniste, e cila përplasjen shoqërore e sheh si proces historik dhe konfliktin si motor përparimi. Madje, për të dëshmuar se ideologjia staliniste nuk i është ndarë nga mendja , atij, edhe kur përzgjedh fjalën për të fyer , e para  i vjen në mendje pikërisht  fjala ‘stalinist’ dhe thotë ‘ stalinist Tërnava’. Në kontekst sugjestiv për revolucion  përmend gjithashtu disa prej figurave tona kombëtare.
Është e paqëndrueshme fetarisht dhe përgjithësisht njerëzisht dhe jashtë interesave tona kombëtare ideja e Schwartzit sipas së cilës trajtimin jokonfliktuoz që u ka bërë myftiu atyre që praktikojnë fenë  me ndonjë element të ndryshëm nga tradita jonë ia kundërvë mez’hebit hanefi dhe fton për prishje harmonie.
Meqë mbahet si hanefist, Schwarzit i duhet kujtuar se ka qenë pikërisht Ebu Hanifja ai i cili kishte  hartuar tekstin e marrëveshjes që u arrit ndërmjet përfaqësuesit të shtetit emevi, valiut të Irakut Ibnu Ubejre dhe grupit të havarixhëve( sekt i njohur për devijim dhe radikalizëm), pasi kishin dështuar fukahatë e tjerë të sillnin projektmarrëveshje që do ta pranonin të dy palët.
Pikërisht për ndryshimet në praktikim ibadetesh, për të cilat Schwartzi do luftë, Ebu Hanifja me rastin e takimit me  imam Malikun ka thënë se ato janë argument të gjallërisë së ymetit islam.
Sigurisht që në vendin tonë, sikur në çdo vend tjetër islam,  është promovuar dhe duhet promovuar  e duhen ndërtuar ndërtuar politika favorizuese për ruajtjen e  mez’hebit të vendit, por pa ndjerë nevojën e ndonjë lufte.
Nuk ka kuptim që myftiut t’i vihet faji pse nuk u ka kufizuar qytetarëve disa prej të drejtave dhe lirive të tyre të garantuara me kushtetutë
Schwartzi  konteston edhe emërtimin e të  parit të Bashkësisë Islame duke mos e pëlqyer fjalën ‘myfti’ dhe në vend të saj propozon fjalën ‘ reis ulema’, ndërkaq që i ikën e dhëna historike, pikërisht historikja në të cilën  provon kryesisht të mbështetë idetë e tij, që i pari i organizatës së parë parë fetare islame shqiptare pas rënies së halifatit osman është quajtur ‘ myftiu i madh’.
Për të na bërë të kuptojmë se nuk e ka mendjen aq te saktësia dhe te vlefshmëria e ideve që jep, por te qëllimi që synon të arrijë përmes tyre e që është denigrimi i Bashkësisë Islame dhe i myftiut, ai nuk është aspak koheziv.
Sa kritikon  për  radikalizmin, qëndrimin e myftiut ndaj të cilit e sheh si arsye për largimin e tij, e kalon  shpejt këtë lloj arsyetimi dhe   nis ta akuzojë  për plagjiaturë të punimit të magjistraturës duke e quajtur plagjiaturist dhe rrjedhimisht duke e parë të padenjë për mbajtjen e postit të myftiut.
Shih  me çfarë argementi  mundohet të provojë plagjiaturën, me mungesën, sipas tij, të një fusnote. Bëhet fjalë për një pjesë teksti, jo nga sfondi thelbor teorik në të cilin mbështetet punimi.
Në pjesën tekstuale që Schwartzi e do të ishte plagjiaturë theksohet roli i fesë në individin dhe në shoqërinë. A të thuash fjali si kjo që feja  ka ndikim në individin dhe në shoqërinë dashka të gjendet i pari kush e ka thënë e t’i vihet  fusnotë?!
Pikërisht fusnotat që vihen për këso lloj njohurish konsiderohen të meta  për  shkrimin akademik. Një studiues shqiptar, Kadri Osmani, për to thoshte se nuk janë fusnota, por fus kota. Dihet që fusnota vihet për njohuri të cilat nuk janë  gjithaq publike dhe që karakterizojnë autorët e tyre. Fusnota për atë pjesë teksti do të kishte kuptim veç nëse punimi do të kishte për qëllim të zbulonte se kush ishin të parët që konstatuan thënie aksiomatike e që zbulimi, për thëniet në atë pjesë teksti, do ta çonte në periudha parashkrimore.
Schwartzi, duke paraqitur këso  sajesa  ideore tendencioze e të dalluara lehtësisht ka ulur veten dhe nuk ka lënë vend më të lexohet me seriozitet.
Megjithatë,  neve ndaj tij le të na vlejë  fjala e Ebu Hanifes që i kishte thënë një njeriu që para nxënësve e kishte  sharë me nënë pse  Ebu Hanifja po thoshte:  ” Ka gabuar Hasan Basriu e ia ka qëlluar Abdullah  ibën Mesudi”.
Pasi ai njeriu e kishte sharë me nënë Ebu Hanifen, ky ia kishte kthyer:
” Edhe për atë që iu ngushtua  gjoksi për shkak tonin, zemrat tona janë të hapura”