Categories
Fetva

A konsiderohet se e kam shkurorëzuar gruan time duke thënë veç me veten time?

PYETJA: Unë  kam qenë shumë i nervozuar me gruan time, dhe në vetvete, do të thotë pa deklaruar diçka me gojë, por vetëm me mend thashë se ajo është e shkurorëzuar. A konsiderohet se e kam shkurorëzuar gruan time?
Dr. Bashkim ALIU
PËRGJIGJA:
Së pari duhet theksuar se shkurorëzimi është çështje mjaft serioze në fe, por nga ana tjetër, edhe që merret shumë joseriozisht nga njerëzit. Është çudi kur dëgjon se disa muslimanë disa herë i shkurorëzojnë dhe pastaj përsëri i kthejnë gratë e tyre. S’do mend se veprimi i këtillë është shqetësues dhe i pa pranuar. Po ashtu, flet për një defekt të madh në këtë drejtim, që ose nuk është sqaruar sa duhet çështja e shkurorëzimit, ose njerëzit e dine po nuk ia varrin veshin, apo u vjen shumë rëndë t’u përmbahen rregullave islame në këtë drejtim.
Shkurorëzimi është prej çështjeve për të cilat Muhamedi s.a.v.s. ka thënë se edhe kur thuhen me lojë, marrin status fetar, e mos flasim më kur janë serioze. Që të jem më i qartë, them se hadithi qartë pohon se nëse dikush i thotë në lojë gruas së vet “je e shkurorëzuar”, konsiderohet e shkurorëzuar. Për atë, me shkurorëzimin nuk ka lojë.
Mirëpo, për shkurorëzimin, për ata që mund të flasin, është kusht që ta shprehin me fjalë. Do të thotë, nëse e mba në vete dhe nuk e shpreh, atëherë nuk konsiderohet se e ke shkurorëzuar gruan.
Së këndejmi, edhe në rastin tënd, nëse është ashtu si thua ti, pra se ti vetëm në mendjen tënde e ke patur këtë mendim, por nuk e ke shprehur me gojë, nuk konsiderohet se e ke shkurorëzuar gruan.
Por, megjithatë, unë të porosis ty dhe gjithë muslimanët që të jeni të kujdesshëm në çështjen e shkurorëzimit që mos shpejtojnë, bile edhe në vete mos ushqejnë mendime të tilla, sepse prej thjesht një mendimi, mund të bëhet realitet dhe të shqiptohet edhe me gojë.
Allahu e di më së miri.

Exit mobile version