PYETJA: Hoxhë i nderua, babai ka probleme shëndetësore, dhe disa që merren me mjekim popullor i kanë thënë të pijë qumësht pele. Kur i kemi pyetur mjekët, na kanë thënë se qumështi i pelës edhe nëse nuk ka ndonji efekt në shërim, nuk të dëmton. Tash ngelet pyetja: Nga aspekti i sheriatit, a lejohet ky qumësht?
Bashkim Aliu
PËRGJIGJA: Esselamu alejkum. Nga aspekti i sheriatit, për të thënë për ndonji lloj ushqimi apo pije se është e ndaluar, duhet të kemi argument autentik dhe konkret e të drejtpërdrejtë nga Kur’ani apo Suneti se ndalohet. Apo, dijetarët të konstatojnë se një lloj ushqimi apo pije, është e natyrës, gjegësisht ka elemente për shkak të cilave ndalohen gjërat, fjala vjen të të dehë, apo të jetë e pa papastër. Për sa i përket qumështit të pelës, argument të këtillë që e ndalon nuk ka, dhe ky qumësht nuk përmban ndonji nga elementet që e bëjnë të ndaluar. Nisur nga kjo, qëndrimi i dijetarëve të shokllës juridike Shafi’ite, Hanbelite dhe nxënësve të Ebu Hanifes, imam Ebu Jusufit dhe Muhamedit, është se qumështi i pelës lejohet të pihet. Në këtë drejtim, mendim tjetër kanë juristët e shkollës juridike Malikite. Por, pasi shumica e dijetarëve e lejojnë, dhe nuk ka nji argument të qartë që e ndalon, përgjigja është se qumështi i pelës lejohet të konsumohet, në veçanti nëse bëhet fjalë për shërim.
 
Allahu e di më së miri.