Smartfonët tanë tashmë mund të përkthejnë tekst në mënyrë të menjëhershme përmes tetë gjuhëve të ndryshme, madje edhe pa një lidhje interneti, falë një përditësimi në aplikacionin e Google Translate. Kompania ka përditësuar edhe funksionalitetin e aplikacionit “Word Lens” i cili përkthen çdo tekst që qëndron përpara kamerës së smartfonit në kohë reale.
Përdoruesit do të mund të bashkëbisedojnë pa qenë nevoja e përzgjedhjes së një gjuhe për shkak se aplikacioni automatikisht do të përkthejë për të dyja palët sapo të dëgjojë gjuhën e folur. Kjo teknologji ka ekzistuar për disa kohë, por ndryshimet e ditës së sotme janë hapa substanciale për lehtësinë në përdorim.
Një zëdhënës i Google Translate, Barak Turovsky tha: “Aplikacioni i përkthimit aktualisht bën të mundur përkthimin e një teksti në një foto realizuar nga kamera e smartfonit tuaj në 36 gjuhë të ndryshme. Këtë funksionalitet po e kalojmë në një nivel tjetër ku teksa përballë kamerës së smartfonit do të përkthehet në kohë reale, prandaj është shumë më e lehtë të navigoni përmes shenjave rrugore në disa vende të botës.”
Ndërsa mjeti i përkthimit të tekstit gjatë bashkëbisedimit deri tani kërkonte disa sekonda për të kryer përkthimin dhe funksiononte vetëm më një lidhje në internet ndërkohë që përdoruesit duhej të specifikonin gjuhët përpara se të flisnin përpara mikrofonit. Që të dyja veçoritë, si përkthimi përmes kamerës dhe përkthimi i bashkëbisedave automatikisht janë risi tek përdoruesit e iPhone.
Përkthimi në kohë reale i bisedave funksionon vetëm për përkthimet në gjuhët: Angleze, Franceze, Gjermane, Italiane, Portugeze, Ruse dhe Spanjolle. Aplikacioni Google Translate aktualisht përdoret nga më shumë se 500 milion njerëz çdo ditë sipas gjigantit të teknologjisë. Aplikacioni kryen më shumë se 1 miliard përkthime çdo ditë dhe Google shpreson që më veçoritë më të reja ky numër të rritet edhe më tej. Google ka lajmëruar përdoruesit e Android dhe iOS për përditësimin i cili do të jetë i disponueshëm në ditët në vazhdim./ata