Në fillim ishin vetëm ders’hanet, pastaj problemi i ryshfetit, pastaj dolën në shesh parregullsitë e qeveritarëve dhe së fundi filluan dorëheqjet, shkarkimet dhe burgosjet në të gjitha anët. Mosmarrëveshjet mes qeverisë dhe “hizmetit” tejkaluan parametrat e një mospajtimi të thjeshtë mes dy palëve që luftojnë për pushtet. Turqia është kapluar nga një “valë nxehti tropikal” që nuk di të ndalur. Nën tokën e Turqisë është ndezur një zjarr dhe nëse nuk shuhet shpejt, më së keqi do të pësojnë qytetarët e Turqisë. Pasojat mund të prekin edhe shtetet që po mbështeten nga qeveria turke. Raportet Kosovë Turqi, sidomos në vitet e fundit janë të një natyre specifike. Ishte krijuar një afërsi, që, në optikën diplomatike duket më shumë sa veç diplomaci.
***
Ata që këtyre ditëve vizitojnë Turqinë, nëse sadopak përcjellin ngjarjet apo lexojnë gazetat, dëgjojnë lajmet, thjeshtë që kuptojnë gjuhët turke dhe angleze, do të vërejnë diçka që rrallë ka ndodh në Turqi; Atje, gati të gjithë po brengosen, ka frikë, të gjithë flasin për gjendjen e krijuar, por, thuajse askush nuk di se çka në fakt është duke ndodh! Edhe pse mjegullat e errëta po qëndrojnë mbi tokën turke, promotorët e atyre mjegullave, sipas shumicës, ose veprojnë nën tokë ose janë jashtë Turqisë. E gjithë kjo, Turqinë e këtyre ditëve po e bënë edhe më të pakuptueshme.
Në fakt, fjala është për tre aktorë kryesorë, pa përjashtuar mundësinë e implikimit edhe të tjerëve.
Qeveria e Taip Erdoganit e cila përveç punëve dhe probleme tjera, po merret edhe me shuarjen e zjarrit. As vet qeveria, sikur as shumë të tjerë nuk është në gjendje të interpretoj tërësinë e situatës. Ky konstatim tingëllon ndoshta çuditshëm, por kjo është e vërtetë. Përderisa nga njëra anë “hizmeti” kishte nisur propagandë kundër qeverisë si rezultat i revoltës kundër mbylljes së ders’haneve, nga ana tjerët, forcat e rendit, me kërkesë të prokurorisë dhe organeve tjera te rendit dhe sigurisë kishte nisur burgosjen e familjarëve të disa zyrtarëve të lartë të shtetit për, siç thuhet në raporte, të keqpërdorimeve, abuzimeve dhe parregullsive tjera. As vet qeveria turke nuk është kompakte në këtë amulli. Para dy ditësh, një zyrtarë i lartë deklaroi se është qesharake të thuhet që “hizmeti” ka vënë rrënjët nëpër institucione të shtetit dhe se dëshiron shembjen e qeverisë dhe turbulencat në vend. Nëse i referohemi kësaj deklarate, atëherë gjërat duken të jenë edhe më të paqarta.
Aktori i dytë është “hizmeti” roli i të cilit gjithashtu duket të jetë i mjegulluar. Përderisa nga një anë kjo lëvizje akuzohet për shkaktare të gjendjes së krijuar, në anën tjetër, njerëzit e “hizmetit” por edhe disa zyrtarë të lartë të qeverisë turke thonë se faji nuk është i saj. Edhe pse “beduaja”, mallkimi i Fetullah Gulenit nga Amerika u prit keq dhe çuditshëm në krahasim me gjuhën e tij tolerante që njerëzit janë mësuar ta dëgjojnë, deri më tani, askush nuk mund ta thotë troç se kundër kujt beri mallkimin. Mediat por edhe shumë zyrtarë thonë se ai mallkoi Erdoganin, mirëpo, kjo, megjithatë nuk është e sigurt. Pasiguria qëndron në atë, se, thuajse askush nuk dyshon në raportet “ideologjike” mes dy palëve. Si do që të jetë, njerëzit po brengosën, u brengos edhe Liga e Dijetarëve Muslimanë Botërorë kur lëshoi një rezolutë në mbështetje të Taip Erdoganit dhe në fund të asaj rezolute, ishte shtuar një aneks ku ftohej Fetullah Guleni për të frenuar të vetët që të rregohen sa më të arsyeshëm.
Edhe pse pala e tretë duket të jetë e padukshme, Ajo është shumë aktive dhe shumë e fuqishme për të vepruar; Në ngjarjet inkorporohet nëpërmes gazetave, revistave, medieve tjera brenda dhe jashtë Turqisë. Ajo tregohet e brengosur dhe gjithsesi e interesuar shume, për krizën turke. Sipas analitikëve, kjo palë është po ajo që jep kredi, që ka para, forcë, që posedon korporata të fuqishme në botë, që shtien në dorë shumë qeveri të cilave u ndihmon kur do dhe i rrëzon kur i pengojnë. Thuhet se bota, sidomos e pas Luftës së Ftohtë menaxhohet dhe monitorohet nëpërmes saj. Banka Botërore, FMN-ja dhe korporata të shumta perëndimore që kanë korrelacione dhe kooperime të ngushta me lobe të fuqishme në planetën tonë, nuk ndjehen rehat në rastin e Turqisë tetëdhjetë milionëshe të Taip Erdoganit. Përgjatë kohës së Erdoganit, Turqia pagoi të gjitha borxhet që i kishte marrë për dekada dhe për çudinë e shumë kujt, botërisht shpalli gatishmërinë për ti dhënë borxhe jo vetëm këtyre korporatave por edhe shumë shteteve që deri dje njiheshin si të forta. Banka Botërore, FMN-ja dhe korporatat tjera simotra duket se kanë humb një treg të madh përfitimesh. Turqia më nuk merr as borxhe e as kredi.
Siç shihet, ngjarjet e fundit janë të rënda edhe për një arsye tjetër. Fjala është për ushtrinë turke e cila më nuk mund të ndërhyjë në politikat e brendshme, në rrëzimin e qeverisë apo vendosjen e pushtetit ushtarak, sikur bënte më parë sa herë që dëshironte. Para pak muajsh parlamenti turk kishte aprovuar një ligj që ndalon ndërhyrjen e ushtrisë në problemet e brendshme, dhe cili do gjeneral që nuk respekton këtë, nesër do të ballafaqohet me ligjin. Gjeneralët e tanishëm mund të kenë marrë mësim nga burgosjet e shumta të kolegëve të tyre të cilët ishin pjesë e aferës “Ergenekon”. Rrjeti Ergenekon ishte i organizuar aq mirë sa rrëzonte cilën do qeveri që binte ndesh me politikat e tij. Ushtria turke më nuk e ka atë peshën politike që kishte më parë, andaj edhe përplasjet e fundit mund të konsiderohen më të rrezikshmet.
Personalisht mendoj se situata mund të tejkalohet. Nuk ka dyshim se forca e madhe ndikon të voglën më shumë se anasjelltas. Por, ekziston edhe ligji tjetër i jetës. Forca e vogël, edhe pse më e dobët në krahasim me të madhen, ajo mund të parandalon realizimin e qëllimeve të forcës së madhe. Turqia sot nuk mund të konsiderohet forcë e vogël, por nëse forcat që akuzohen se po dëshirojnë të destabilizojnë Turqinë janë më të mëdha se sa forca e këtij shteti për të parandaluar djegien, Turqia, sikur edhe çdo shtet tjetër i vogël në krahasim me fuqinë e madhe mund të tejkalojë situatën. Për tu realizuar kjo, përveç vullnetit dhe bashkëpunimit mes palëve, duhet patur parasysh katër momente shumë të rëndësishme:
Nëse janë të vërteta ato që po dëgjohen dhe që “po shihen” në Turqi, atëherë duhet të ndalen keqpërdorimet, ryshfeti, vjedhjet, mashtrimet dhe të gjitha parregullsitë që qesin nën hije shtetin ligjor, e nëse ka nga ata që kanë bërë këto krime, të ndalen dhe gjykohen sipas ligjit. Ligji është ligj kur gjen shtrirjen në të gjitha shtresat e shoqërisë.
Të identifikohen të gjitha ata që janë futur brenda institucioneve të shtetit dhe të cilët janë përgatitë me dekada për këtë gjendje të krijuar.
Të ndalohen me ligj përhapja e shpifjeve, gënjeshtrave, shantazheve dhe komploteve nëpër mendia, rrjete sociale dhe vendtubime të cilat për interesa personale nuk kursejnë as qytetarin, as institucionet e as vet shtetin.
Të ndalohen me ligj premtimet e rreme, gënjeshtrat dhe përhapja e frymës përçarëse që mund ta bëjnë partitë për interesa të veta por gjithnjë në dëm shtetit.
Për tu realizuar të gjitha këto, Turqisë i nevojitet në sistem i fortë ligjorë, një ministri e qëndrueshme e drejtësisë dhe një ministër i drejtësisë që është në gjendje të sfidojë këdo që pengon implementimin e ligjit. I sapoemëruari për Ministër të Drejtësisë, miku i vjetër i kryeministrit Erdogan do të jetë i vetëdijshëm për situatën që ka përpara. Si ish zëvendëskryeministër, ministri i tanishëm e drejtësisë, të cilin e pritëm me gjithë delegacionin e tij në zyrën tonë përderisa ishim në krye të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, sigurisht ka parasysh atmosferën e tanishme dhe trazirat politike. Respektim i ligjit të cilin me ngulm e kërkon bashkësia ndërkombëtare është parakusht për Turqinë në rrugën e saj kah Evropa. Evropa, me kujdes të madh është duke vëzhguar situatën për së afërmi. Turqia është para një provimi të madh.
NOT:Titulli i këtij shkrimi nuk është imi. Është i një artikulli të gazetës Zaman, organ i “hyzmetit. Kjo gazetë së fundi pranoi se Turqisë i është kanosur një zjarr i rrezikshëm. Ajo ka filluar të thërret në shuarjen e atij zjarri, përpara se të gjithë të digjen në te.
admin
11 years ago
next article
Berat Jakupi sportisti shqiptar i vitit
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago