Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka dënuar përdorimin e fuçive me bomba në qytetin sirian të Aleppo-s, nga forcat besnike të presidentit Bashar al-Assad. Kerry tha se ky është “akti më i fundit barbar i regjimit sirian”.
Aleppo është ndarë, që kur rebelët pushtuan pjesë të mëdha të qytetit në vitin 2012. Një pjesë e mirë e qytetit të vjetër është shkatërruar tërësisht nga luftimet.
Bisedimet mes opozitës siriane dhe qeverisë, të cilat u mbajtën javën e kaluar në Gjenevë, nuk patën një rezultat pozitiv në fund të tyre. E megjithatë, një tjetër raund është planifikuar për javën e ardhshme.
Ndërkohë, qeveria ruse ka bërë të ditur se Siria duhet të kompletojë dërgesën e armëve kimike të saj jashtë vendit, brenda 1 Marsit, disa javë nga planifikimi i mëparshëm. SHBA-të kanë ngritur shqetësimin se Damasku ka dorëzuar vetëm një pjesë të arsenalit të tij kimik.
Komentet e Kerry-t erdhën pas raportimit se helikopterët e ushtrisë siriane hodhën disa fuçi të tjera me bomba mbi Aleppo gjatë së martës, duke vrarë të paktën 8 persona. Bombat janë kryesisht bateri nafte, apo cilindra të paketuar me eksplozivë dhe pjesë metalike.
5 fëmijë ishin mes viktimave të një bombe, që goditi një xhami në distriktin Masakan Hanano, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup aktivist me bazë në Londër të Britanisë së Madhe.
Më shumë se 150 njerëz janë vrarë gjatë 4 ditëve të kaluara, pas një sërë sulmesh të ngjashme, njofton grupi OSDNJ. Dëshmitarët thonë se sulmet thuajse të përditshme në Aleppo kanë shkaktuar një eksod masiv nga disa distrikte të kontrolluara prej rebelëve, në lindje të qytetit.
Kerry shtoi se “çdo ditë që bombardimi me fuçi nga ajri mbi Aleppo do të vazhdojë, regjimi i Assad i kujton botës ngjyrat e vërteta të barbarisë së tyre”. / Top Channel