Duke qenë se Kosova patjetër duhet të ndryshojë, atëherë Albinit i duhet gëlltitur disa fjalë dhe disa qëndrime për disa njerëz jo të mirë në të kaluarën. Ata me gjasë janë të njëjtë edhe sot, por për hir të së ardhmes më të ndritur duhet pranuar si të tillë, edhe pse bartja e së keqes prej ditës së sotme në atë të nesërme nuk ia humbë vetitë asaj! Sidoqoftë, nëse bëhet fjalë për më mirë, vallë përse dashka t’i mbahet besnik parimeve? Mirësia është më e rëndësishme se parimet e ndërtuara në kohëra të ndryshme dhe në emocione të veçanta. Fundja janë parime që lindin në varësi të rrethanave të caktuara dhe jo parime hyjnore që patjetër deri në fund duhet të jemi parimor ndaj atyre parimeve, sepse nuk ligjërohen nga koka e një njeriut, sado gjenial të jetë ai, por ato kumtohen nga Krijuesi i botërave dhe i gjitha krijesave. Këtu edhe fillova të habitem, njëherësh edhe të mos pajtohem me Albinin. Mospajtimi im në këtë pikë, nuk do të thotë edhe urrejtje ndaj Albinit, si dhe njoftim se unë qenkam më i ditur se Albini. Meqenëse jemi njerëz, diku më të ditur e diku më injorant, atëherë shfrytëzoj rastin të shkruaj diçka për të cilën ka vite të tëra që përpiqem ta kuptoj. Nuk bëhet fjalë për biologji, të cilën edhe po nuk e njoha nuk do të humbisja shumë në jetë. Bëhet fjalë për diçka qenësore në jetë. Bëhet fjalë për kombin dhe për fenë, segmente këto që jo vetëm teologët dhe sociologët duhet t’i dijnë. Ata janë krerët e këtyre fushave, pa dyshim, por kjo nuk do të thotë se të tjerët duhet t’ia fusin gjumë, sepse ka kush merret me kombin dhe fenë.
Me ç’rast lexova se për Albin Kurtin kombi është më i rëndësishëm se feja. Fundja meqë rrethanat plitike në vendin tonë janë të këtilla siç janë, atëherë do të ishte mirë të mos viheshin në peshore këto dy gjëra kaq të rëndësishme. Për Albinin si dhëndër Norvegjie, kombi duhet të mësohet në histori e në gjeografi, mirëpo jo në biologji. Për Albinin si baba i Leos, duhet që vajza fillimisht ta mësojë anglishten, pastaj shqipen dhe norvegjishten. Këto i tha Albini për veten dhe jo unë për Albinin. Ndërsa për mua, Albini është gërshetim mes njeriut të drejtë dhe atij të mjegulluar. Nuk mund që kombi të jetë më i rëndësishëm se feja për shumë arsye, si njëndër to do t’i përmendi me sa vijon:
- Kombi është identitet, ndërsa feja nuk është vetëm identitet.
- Brenda një kombi sistemi juridik, politik, kulturor dhe ekonomik nuk është sistem që burojnë prej një kombi të veçant. Këto sisteme a modele të tyre merren prej kombeve tjera, duke ndërhyrë aty-këtu me qëllim përshtatjeje me vendin dhe me krerët qeveritar. Po ashtu edhe kombet tjera nuk i kanë tërësisht sistemet autoktone. Madje duke bërë plagjiaturë, shumë kombe mjaft gjëra i kanë marrë prej fesë, vetëm duke i shekullarizuar pastaj.
- Feja është ajo që i jep jetë kombit. Parimin e së mirës dhe së keqes, njohjen e Zotit dhe qëllimin e ardhjes në këtë botë dhe hapin e mëtutjeshëm, feja ishte ajo që na i mësoi. Ajo nuk ishte një mësuese pa nxënës dhe këta nxënës nuk ishin njerëz pa emër. Nxënës ishin njerëzit që i përkisnin një kombësie të caktuar.
- Korrupsioni është ligësi në vete që nuk mund të luftohet vetëm me ndëshkime ligjore, edhe pse ndëshkimet ligjore janë pjesë përbërëse e fesë. As e liga vetëm përmes ligjit nuk mund të parandalohet e të luftohet. Morali duhet të jetë patjetër i pranishëm në këtë rrjedhë. Ai është barometër i ndërgjegjes së njeriut. Ndërgjegjen nuk mund ta gjallërosh ndryshe pos me njohjen dhe zbatimin e udhëzimeve të Zotit, kurse Zoti është njohur dhe njihet drejtë vetëm përmes fesë.
- Kombi njeh vetëm materien, ndërsa feja njeh materien dhe shpirtëroren. Kjo i bie se kombi është pjesë e fesë, edhe pse kjo në shoqërinë tonë vështirë është të pranohet, ngase ata që kombin e paraqitën si antonim të fesë ka vite e vite që e kanë shtresuar dhe shtruar teorinë se kombi është mbi të gjitha, madje se vetë kombi është Zoti.
Me pak fjalë; kombi nuk mund të zëvendësohet me fenë dhe as feja me kombin. Njëri ka rolin e tij dhe tjetri detyrën e tij. Rolet e tyre janë të prira të ecin në binaret e natyrshmërisë. Kombi dhe feja janë në shërbim të mirëqenies materiale dhe shpirtërore të njeriut. Ndërsa të flaket feja për hir të kombit, është sikur të vetëvritet njeriu për hir të një varri të bukur. Kurse të flaket kombi për hir të fesë, është sikur të shkruash pa emër, të punosh aq shumë dhe në kohën e marrjes së shpërblimit të madh të mos dihet kujt t’i jepet ai shpërblim.