Categories
Lajme FRI

Analistët: Maqedonasit nuk kanë arsye për disponim antishqiptar

Maqedonasit nuk kanë arsye për disponim antishqiptar, ndërsa Shqipërinë dhe Kosovën duhet t’i shohin si vende mike pasi Shqipëria është shteti i vetëm që Maqedonisë që nga formimi nuk i ka kontestuar as integritetin por as identitetin e popullit. Kështu shprehet analisti, Ismet Ramadani, duke komentuar anketën e Institutit Dimitrija Çupovski lidhur me qëndrimin e qytetarëve për fqinjët e Maqedonisë. Sipas tij ky shfrenim i ndjenjave antishqiptare të qytetarëve maqedonas është rezultat i asaj se në vazhdimësi elitat politike maqedonase por edhe vetë edukimi familjar tek ata si popull, i ka frymëzuar dhe mësuar që tek shqiptarët të shohin armik ose qytetarë të padëshirueshëm.
‘Nëse shikohet për nga qëndrimi, atëherë këtu edhe qëndron absurdi,është fakt se Shqipëria është njëri ndër shtetet e para që ka pranuar edhe integritetin e Maqedonisë si shtet por edhe nuk e ka vënë në pikëpyetje asnjëherë edhe identitetin maqedonas, tek e fundit edhe fare nuk ka qenë e interesuar që ta vejë në pikë pyetje këtë identitet dhe nëse shikohen të gjitha këto, shihet qartë se këtu ka diçka më shumë se një anketë apo se sa një diskonim i përkohshëm për faktin se maqedonasit me vite janë edukuar, janë mësuar që të jenë anti-shqiptar’, tha Ismet Ramadani, analist.
Ndërkohë ekspertja e marrëdhënieve ndëretnike, Mirjana Malevska thotë se maqedonasit dhe Maqedonia si shtet nuk duhet të kenë një percepcion të tillë për Shqipërinë dhe Kosovën pasi edhe ato bashkë me ne ndajnë të njëjtin pikësynim, integrimin në NATO dhe BE.
‘Sot në kufijtë tanë kemi dy shtete mike, Shqipërinë dhe Kosovën, njëjtë sikur është edhe Serbia e Bullgaria, këto shtete ndajnë synime të njëjta, ato janë respektimi i së drejtës, demokracisë, lirive të njerëzve, të gjithë dëshirojmë të bëhemi anëtarë të BE-së dhe NATO-së. Nuk ka arsye për diskonim të tillë, për mua kjo është vetëm një shenjë se ne ende nuk njihemi mirë mes vete’, deklaroi Mirjana Malevska, analiste.
Ramadani edhe Malevska janë të mendimit se politika është fajtor kryesor për disponim të tillë antishqiptar të maqedonasve. Analistët vlerësojnë se politikanët nxisin dhe krijojnë tensione për përfitime ditore politike.
‘Në qoftë se ky disponim, si duket edhe është ashtu si e tregojnë anketat, vehet në dilemë ndërtimi i një shteti të përbashkët, vehet në dilemë ardhmëria e këtij shteti dhe për këtë sigurisht se fajin më të madh e kanë maqedonasit dhe elitat politike. Shqiptarët janë më tolerant, shqiptarët janë treguar më ferr ndaj identitetit, gjuhës dhe shtetit në Maqedoni, por për fat të keq kjo është një situatë e cila vështirë mund të ndryshohet dhe nëse vazhdon kështu atëherë sillemi në gjendje për të menduar se si duhet vazhduar më tutje bashkëjetesën edhe si duhet ndërtuar shtetin e përbashkët’, u shpreh Ismet Ramadani, analist.
“Unë do të thosha se të gjithë, edhe kryeministrat, edhe e gjithë elita politike, edhe në shtëpi por edhe gjatë vizitave nëpër vendet fqinje që i përmendëm e kanë patjetër të mbajnë llogari se çka flasin. Nuk mundet ti lejojnë as fjalor patriotik, e lëre më ndonjë fjalor nacionalist”, deklaroi Mirjana Malevska, analiste.
Sipas rezultateve të anketës së Institutit ‘Dimitrija Çupovski’ fqinjët që më së paku ia dëshirojnë të mirën Maqedonisë janë Shqipëria, Kosova dhe Greqia, kurse Serbia dhe Bullgaria llogariten si një ndër vendet më mike të Maqedonisë. Valmir Kuçi 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version