Pavarësisht rezistencës së nxënësve dhe mësimdhënësve, që nesër fillon realizimi i projektit të vlerësimit ekstern, i paralajmëruar që prej vitit 2009.
Provimit ekstern do t’i nënshtrohen më shumë se 200 mijë nxënës – të shkollave fillore dhe të mesme, ndërsa do të përjashtohen vetëm klasat e para, të dyta dhe të treta, si dhe maturantët.
Provimet duhet të mbahen në periudhën prej datës 27 maj deri më 10 qershor, përfshirë dhe të shtunat, por jo dhe më 8 qershor , kur do të realizohet matura shtetërore.
Pyetjet, që mbulojnë materien e mësuar përgjatë vitit shkollor, do të jenë me katër përgjigje të dhëna, ndërsa nxënësi duhet të zgjedhë me një klik përgjigjen që vlerëson se është e saktë.
Notat që do t’i marrë nxënësi në dy lëndët e provimit ekstern, do të përfshihen në dëftesën përfundimtare dhe do të ndikojnë në suksesin e përgjithshëm.
Provimi do të zgjasë 60 minuta. Brenda kësaj kohe, nxënësi duhet të përgjigjet në 30 pyetje.